Prova shtesë për vjedhjen në polici

Hetuesia e EULEX-it ka siguruar prova shtesë në lidhje me vjedhjen e para një viti e gjysmë në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Kosovës, ndonëse ende nuk ka të arrestuar apo pista konkrete të të dyshuarve.
Zyrtarë të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit kanë bërë të ditur se tashmë ka të dyshuar në lidhje me vjedhjen në polici, mirëpo nuk kanë dhënë detaje tjera, me arsyetimin se dëmtohet procesi i hetimeve.
“Nën mbikëqyrje të Prokurorisë Speciale të Kosovës, hetuesit e Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës kanë bërë mbledhje të provave për këtë hetim shumë kompleks. Përmes masave ligjore dhe ndihmës juridike ndërkombëtare, Prokuroria është në pritje të rezultateve të linjave të tjera të hetimit para se të vazhdohet më tutje. Në këtë hetim kompleks ka disa të dyshuar, por që nuk mund të japim detaje më të hollësishme pasi që hetimet janë ende duke vazhduar”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht hetuesit ndërkombëtarë të EULEX-it, që po hetojnë vjedhjen skandaloze në Policinë e Kosovës, verën që lamë pas i patën kërkuar Gjykatës Supreme edhe pesë-gjashtë muaj kohë për t’i zhvilluar hetimet, të cilat deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
Zyrtarë të subjekteve politike opozitare konsiderojnë se zvarritja e këtij rasti flet më së miri se edhe EULEX po e “luan të njëjtën valle”, sikurse UNMIK-u për mosndriçimin e kësaj ngjarjeje.
Shefki Abdullahu nga Aleanca Kosova e Re (AKR) rikujton se edhe pse fillimisht lihej përshtypja se gjërat kishin lëvizur pozitivisht nga vendi në zbardhjen e rastit, megjithatë ai është skeptik se edhe hetuesit e EULEX-it do të ndriçojnë këtë rast.
“Derisa EULEX-i nuk del me rezultate praktike për arrestimin e njerëzve që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarjen e vjedhjes në Polici, atëherë vihet në pikëpyetje efikasiteti i hetuesve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe pse misioni i EULEX-it ka zhvilluar hetime në shumë fusha, megjithatë në asnjë rast nuk është dëshmuar se një lëndë ka përfunduar dhe të ketë marrë dënimin e merituar. Abdullahu ka theksuar se edhe EULEX-i nuk është i interesuar që të ndriçojë këtë rast, sikurse pararendësi i tij, UNMIK-u dhe sipas tij, zvarritja e procesit është e pakuptimtë. “Arsyetimi i cili konsiston se hetimet janë duke vazhduar, vërtet është i pakuptimtë”, ka thënë Shefki Abdullahu.
Ndërkaq Bislim Zyrapi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) beson se prokurori i EULEX-it do të gjejë “fillin e lëmshit” në lidhje me rastin e vjedhjes në Dhomën e Dëshmive. Sipas tij, “gradualisht EULEX duhet të bëjë spastrimin nga koka në Policinë e Kosovës, që është thënë disa herë se kanë gisht në ngjarjen me të rëndë që pati ndikuar në reputacionin e policisë”.
Edhe pse deri më tani në lidhje me vjedhjen në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Kosovës janë marrë në pyetje disa persona dhe janë suspenduar për kohë të shkurtër disa policë, megjithatë EULEX ka identifikuar disa të dyshuar që thuhet se janë të përfshirë në këtë ngjarje.
Mirëpo, nga ana tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk parapëlqejnë që të japin shumë detaje, por në të njëjtën kohë shpjegojnë se hetuesit policorë kanë bashkëpunim të mirë me hetuesit ndërkombëtarë rreth këtij rasti. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, pohon se hetimet janë duke vazhduar, por se për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes nuk mund të jepen detaje.
Në Dhomën e Dëshmive, e cila do të duhej të ishte e sigurt, janë vjedhur 47 kilogramë e 627 gramë substanca narkotike të llojit heroinë, 7 bimë kanabis, 3 mijë e 828 euro para të gatshme, 520 rupi indianë, 6.5 milionë lira turke, 5 mijë lejë rumunë, 950 lekë shqiptarë dhe një çantë e zezë sportive. (Zeri)