Sonmez: S'e kam takuar kurrë Thaçin
(E plotësuar) Mjeku turk, Yusuf Sonmez, thotë se po e shijon lirinë e tij në vilën luksoze që ka në qytetin Kartel të Turqisë. Ai ka folur nga atje për gazetën serbe “Novosti”, duke thënë edhe njëherë se është krejtësisht i pafajshëm për akuzat që i bëhen.
“Është e vërtetë që në vitin 2008 shkurtazi kam qenë në Kosovë, dhe kam punuar për klinikën private “Medicus”, afër Prishtinës. Por, aty kam qenë vetëm kirurg dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë trafikim organesh të njerëzve. Kurrë nuk e kam njohur Hashim Thaçin, dhe kurrë nuk kam bashkëpunuar me të, aq më tepër për punë jonjerëzore”, ka thënë Sonmez.
Sonmez ka folur për kohën e tij në Prishtinë, dhe nuk dëshiron të vijë më kurrë këtu.
“Është e vërtetë që i njoh njerëzit që gjenden në aktakuzë. Njëri prej tyre, Lutfi Dervishi, ka qenë shef i Medicusit. Ai është njeriu që më thirri në 2008n për të shkuar nga Stambolli në Kosovë për të kryer operacione. Kjo sepse shumë pacientë nga Kosova dhe Shqipëria vinin në Turqi për shkak të operacioneve, kështu që Dervishi e pati idenë që t’i bëjmë operacionet në Prishtinë. Tash nga kjo perspektivë, i bie shumë pishman që e pranova ftesën e tij. Shpresoj që këmba ime kurrë të mos shkelë më në Kosovë”, ka thënë Sonmez.
Ai u arrestua në Turqi dhe u lirua menjëherë, dhe është e vështirë që ekstradohet në Kosovë, për t’u përballur me akuzat e mundshme të EULEX-it.
Gjykimi vazhdon pa Yusufin
Nga Jeton Musliu
Yusuf Sonmez, kirurgu turk, që është njëri prej shtatë të akuzuarve në rastin “Medicus”, vështirë se ndonjëherë do të ulet në karrigen e të akuzuarit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Në lidhje me ekstradimin e tij drejt Kosovës, për aq kohë sa nuk ndryshohet ligji turk që nuk lejon ekstradimet e shtetasve të vet në një shtet tjetër, Yusuf Sonmez, nuk ka pse të shqetësohet.
Por, pavarësisht esktradimit drejt Prishtinës ose jo, procesi gjyqësor në rastin “Medicus”, ka pak mundësi të mbetet peng i tij.
Në rast se gjyqtarët e EULEX-it vendosin të konfirmojnë aktakuzën e ngritur nga prokuroria për shtatë të akuzuarit, veprim që pritet të qartësohet këtyre ditëve, atëherë procesi gjyqësor në rastin “Medicus” mund të vazhdojë edhe pa Yusuf Sonmezin.
Kështu së paku thonë disa prej avokatëve të personave që akuzohen në këtë çështje, ndonëse ata sqarojnë se akuzat me të cilat ngarkohen klientët e tyre janë të pabaza.
Avokati Bajram Tmava, pasi tregon se ndaj klientit të tij, në këtë rast kirurgut kosovar Lutfi Dervishi, nuk ka prova se ka kryer vepër penale, sqaron se ende nuk ka marrë vendim se aktakuza është konfirmuar nga gjykata.
Megjithëkëtë, avokati Tmava thotë se kirurgu turk nuk është i përfshirë në aktakuzën aktuale të rastit “Medicus”. “E për çfarë kërkohet ai person, unë nuk e di”, thotë avokati Tmava.
Por, ai sqaron se në rast që aktakuza në këtë çështje do të konfirmohet, atëherë procesi gjyqësor mund të vazhdojë.
“Thjesht prokurori mund t’i kërkojë gjykatës që procedurën ta ndajë pasi personi në fjalë është i paarritshëm”, shpjegon avokati Bajram Tmava për Express.
Përafërsisht kështu mendon edhe avokati tjetër Fazli Balaj, i cili është mbrojtës ligjor i një personi tjetër në rastin “Medicus”.
“Po, procesi gjyqësor mund të vazhdojë edhe pa të, nëse aktakuza konfirmohet, por ai nuk mund të gjykohet në mungesë sepse ne nuk kemi ligj të tillë”, thotë avokati Balaj.
Kështu ka vetëm një mundësi ligjore, së paku tash për tash që Yusuf Sonmez të gjykohet ndonjëherë në Kosovë.
“Në rast se ai arrestohet në territorin e Kosovës, atëherë gjykimi mund të bëhet vetëm për të”, thotë avokati Fazli Balaj për Express.
Ndërkohë, zyrtarët e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë deklaruar se mjeku turk, Yusuf Sonmez është ende i pandehur në rastin “Medicus”.
Sipas tyre, pavarësisht se gjykata e ka liruar atë nga arrestimi, Yusuf Sonmez mbetet si person që kërkohet në lidhje me këtë çështje.
EULEX-i deklaroi se të enjten janë informuar se Yusuf Sonmez është liruar nga paraburgimi me vendim të një gjykate në Stamboll.
“Prokurori i Prokurorisë Speciale është duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet gjyqësore turke në lidhje me hetimet e bëra në Kosovë”, ka thënë Blerim Krasniqi, një nga zëdhënësit e EULEX-it.
Krasniqi ka thënë se prokurori ka kërkuar ta marrë në pyetje Yusuf Sonmez në lidhje me rastin e “Medicus” dhe se hetimet janë duke vazhduar.
Gjykata ka liruar të mërkurën, të njëjtën ditë kur u arrestua, Yusuf Sonmez, mjekun turk i dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar trafiku organesh.
Turqia nuk i ekstradon qytetarët e saj , por ofron dëshmitë e shtetasve të saj për drejtësitë e vendeve të tjera bazuar në vlerësimin e secilit rast. Nëse dënohen, ata e vuajnë dënimin në Turqi.