E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët me Ramiz Alinë: Pse e shkarkuat presidentin Haxhi Lleshi

 

Afrim Imaj

“I themi njëri-tjetrit aleatë dhe si të tillë duhet të komunikojmë me transparencë. Së fundi, keni zëvendësuar Haxhi Lleshin me Ramiz Alinë në krye të Kuvendit Popullor, pa shpjeguar arsyet. Ndoshta është zgjedhja e duhur, por nuk është e moralshme të mos thuash dy fjalë për Lleshin...”I adresuar për majën e kupolës komuniste, ky qortim i liderëve gjermano-perëndimorë në vitin 1982 është vetëm një nga çështjet, për të cilat Boni dhe Tirana e asaj periudhe ndanin mendime të ndryshme. Më herët, udhëheqësit e PK të Gjermanisë Perëndimore kishin artikuluar vlerësime kritike për mënyrat si operonin kolegët shqiptarë në zyrën e Ramiz Alisë, njeriut më të fuqishëm në Shqipëri pas Enver Hoxhës, i cili kish nisur ta promovonte si zëvendësin e tij. Miqtë gjermanë, ndryshe nga shumë aleatë të tjerë, fund e krye kontestuan tërësinë e argumenteve me të cilat KQ stigmatizonte vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe sidomos përfshirjen e tij në një rrjet agjenturor 40-vjeçar. Në ditarin e profesor Agim Popës, kanë mbetur të dokumentuara reagimet përtej etikës zyrtare nëpërmjet të cilave miqtë nga Boni shigjetonin me dyshime të forta: Budalla ishte Mehmet Shehu që ua la dokumentet t’i gjenit ju pas vetëvrasjes! Si ishte e mundur që do vriste Enverin në KQ dhe parashikonte të shpëtonte veten pas atentatit! Për 40 vjet bëri kryeministrin pa rënë në sy se ishte agjent, nuk është vulgare kjo! Zyrtari i KQ kujton se kontestime të tilla u përvijuan sidomos nga gjermano-perëndimorët edhe pas botimit të librit “Titistët”, ku shpresohej se çdo gjë tanimë kishte dalë në dritë të diellit...
14.5.19982
Bisedime me shokët Aust dhe Koh (Ramiz Alia, Behar Shtylla..)
Shoku Aust: Do të flasim hapur, si zakonisht. Fillimisht do të bëjë një rezyme shoku Koh
Shoku Koh: Vitin e kaluar nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme… Partia është ndeshur me problemet e krizës… Ulja e nivelit të jetesës, papunësia, janë ulur të ardhurat e shtetit. Rritja e fitimeve të kapitalit ka çuar në humbjen e arritjeve sociale të punonjësve (pakësimin e fondeve për shëndetësinë, arsimin etj). Protesta e klasës punëtore ka qenë jo shumë e fortë. Nga kjo kanë dalë “dhuratat” për kapitalistët. Ka rreth 80-100 mijë milionerë me një pasuri thjesht private me një pasuri 400-500 miliardë markash. Ne po kapim probleme të tilla për të kuptuar masat punonjëse se kujt po i shërben shteti në RFGJ. Në RFGJ ka pasur raste të pushtimit të fabrikave nga punëtorët. Por kjo ka ndodhur në fabrika mesatare. Në fabrikat e mëdha ku ka forca sigurie të shumta, kjo ka qenë shumë e vështirë…
Shoku Ramiz Alia: A ka ndryshim në fazat e krizës në krahasim me idetë e Marksit?
Shoku E.D. Koh: Teorikisht kapitali do dalë nga kriza, por në praktikë ka fenomene të tjera.
Shoku Ramiz Alia: Si shpjegohet që ka superprodhim dhe jo ulje, por rritje çmimesh?
Shoku E .D. Koh:  E vërteta kështu është. Lidhur me lëvizjen e paqes Partia Komuniste gjermane qysh më parë ka botuar “Planin e paqes”, por kjo lëvizje ka disa dobësi, pasi ajo nuk është e mprehtë kundër imperializmit, kundër armëve bërthamore dhe kundër politikës imperialiste të armatimit, që po varfëron klasën punëtore…
Shoku Ramiz Alia: Si e shikoni perspektivën lidhur me krizën?
Shuku Aust: Do ashpërsohet më tej, sidomos lidhur me futjen e mikro-elektronikës që do të çojë në shkurtimin e rreth 42 për qind të vendeve të punës
Shoku Ramiz Alia: Qëndrimi juaj është i drejtë dhe ju duhet të futeni në protestë me parullat tuaja…
Shoku E.D.Koh: Një problem tjetër që desha të ngre këtu: Vetëvrasja e M. Shehut. Në Perëndim për këtë flitet e debatohet gjatë. Përse ai nuk përmendet më, pse nuk po dalin më botimet e tij etj. Dua të nënvizoj se shoqatës së miqësisë Gjermani-Shqipëri i kanë lindur shumë probleme lidhur me këtë çështje. Janë përhapur versione të ndryshme: p.sh., u kritikua në Byronë Politike për çështjen e fëmijëve dhe të sjelljeve të tyre të pahijshme dhe ai si njeri nervoz vrau veten etj. Ne e dënojmë këtë vetëvrasje po qe ky shkaku. Padyshim që po të njoftoheshin punëtorët në Perëndim për këtë do të thoshin se mirë u bë.
18.5.1982
Takimi i shokut Ramiz Alia me shokët Aust dhe Koh
Shoku Koh:  Mendoj se prapa gabimeve taktike ka probleme ideologjike. Ka vlerësime idealiste, kuptime të ngushta për klasën punëtore. Kjo ndoshta me ndikimin e revizionistëve… Disa na akuzojnë se revizionistët na pranojnë, sepse ne paskemi bërë lëshime në parimet tona dhe ata nuk i pranojnë sepse u përmbahen parimeve.
Shoku Ramiz Alia: Ajo që thotë shoku Koh për konceptin ideal mbi klasën punëtore, sikur ka humbur frymën revolucionare, është e qartë se ky koncept është i gabuar. Por në disa vende nuk ka rritje të frymës revolucionare, por topitje. Por kjo është e përkohshme dhe nuk mund të thuhet se ajo ka humbur frymën revolucionare. Potenca revolucionare është në gjirin e klasës punëtore. Të flasim tani për lëvizjen çlirimtare. P.sh., në Iran ku janë në krye fetarët. Në lëvizje ka potencë antiimperialiste. Ose midis popujve arabë kundër Izraelit. Por duhet parë se midis shokëve M-L ka shtrembërime ideologjike apo ngushtësi taktike. Të dyja ndikojnë mbi njëra-tjetrën…
28.5 1982
Takim me delegacionin e PK të Spanjës të kryesuar nga shoku R. Marko
Shoku Ramiz Alia: Sqaron gjendjen e situatës dhe flet për rëndësinë e shkëmbimit të mendimeve midis nesh.
Shoku R. Marko: Gjendja ekonomike në Spanjë është shumë e vështirë. Së fundi janë adaptuar disa ligje antipopullore për të cilat kanë nisur disa luftëra spontane, por me frymë luftarake… Borgjezia dhe qeveria shohin së fundi socialistët si alternativë në pushtet. Lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare qeveria po has në kundërshtimin popullor, për sa i përket vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe me imperializmin amerikan dhe hyrjen e Spanjës në NATO. Jemi duke krijuar disa komitete anti-NATO. Me rastin e ardhjes së Reganit në Spanjë kemi përgatitur manifestime në qytetet kryesore me karakter patriotik e antiimperialist.
Shoku Ramiz Alia: Keni divergjenca me partinë gjermane. Më hollësisht ku është thelbi i tyre dhe çfarë kërkoni ju nga gjermanët?
Shoku R.Marko: Folëm këtu për divergjenca me shokët gjermanë. Kemi diskutuar me ta, por ka qenë dialog shurdhësh. Gjermanët ngulin këmbë në bashkëpunimin me revizionizmin, ruajnë “Planin e Paqes” dhe idenë e bashkimit të dy Gjermanive, polemizojnë në fakt edhe me PPSH-në për “Solidarnostin” të cilin e mbrojnë etj. Thonë se kanë divergjenca vetëm me ne, por me ta nuk janë dakord danezët, brazilianët, kanadezët, francezët, kolumbianët etj. Po ka edhe probleme të tjera. Kështu p.sh., shokët japonezë kanë adaptuar një rezolutë kundër Komiternit e Stalinit…
Shoku Ramiz Alia: Po në Spanjë a ka probleme partia juaj dhe si i shikoni marrëdhëniet me partinë tonë?
Shoku R. Marko: Në përgjithësi nuk ka probleme. Ka një shoqëri spanjolle që organizon udhëtime turistike në Shqipëri. E vërteta është se ajo është filial i një shoqërie ruse, që deri tani ka organizuar udhëtime në Kubë, Izrael etj. Kjo shoqëri quhet ARALAR dhe është degë e shoqërisë së BS “POLITUR”. Me sa kemi dijeni shoqata e miqësisë Spanjë–Shqipëri nuk mban lidhje me të. Vjet shoqata e miqësisë ftoi spanjollet e martuara në Shqipëri për një vizitë në Spanjë, por deri tani ende kjo dëshirë nuk është realizuar…
9.10.1982
Takim me shokun Raul Marko
Shoku Raul Marko: Pasi informon për zgjedhjet e bëra në Spanjë, për plenumin e fundit të PK spanjolle dhe për aktivitetet ndërkombëtare të partisë, i rikthehet çështjes së konfliktit me Partinë Komuniste M-L të Gjermanisë. “Konflikti dhe divergjencat me gjermanët vazhdojnë të jenë të njëjta. Patëm një takim në qershor në Dortmund me iniciativën tonë. Kemi rënë dakord të takohemi në vijim në nëntor në Spanjë. Është shumë vështirë të diskutosh me ta, sepse nuk flasin qartë dhe i shtrembërojnë gjërat. Ata vazhdojnë të jenë në një rrugë të rrezikshme dhe oportuniste. Së fundi, ata kanë dalë me teorinë se revolucioni mund të bëhet pa partinë M-L
Shoku Foto Çami: Pa na i sqaroni më hollësisht çështjen e socialshovinizmit?
Shoku Raul Marko: Lidhur me socialshovinizmin, duhet të flasim për Planin e Paqes të shokëve gjermanë. Ata flasin për bashkim të dy Gjermanive duke ruajtur politikën e tyre, armatimet e tyre etj..
Shoku Foto Çami: Lidhur me marrëdhëniet me gjermanët na vjen mirë që keni zgjedhur rrugën e bisedimeve. Nuk duhet thënë që në fillim fjala e fundit. Nëse kemi të bëjmë me shokë që gabojnë, nuk duhet ngutur. Po kaluan në armiq pastaj le t’i luftojmë si të tillë…
24.3.1983
Bisedime të shokut Aust dhe Koh
DH Koh: Shoku Ramiz desha të ngre një problem që na ka krijuar shqetësime. Në “R. Morgen” nuk kemi shkruar për fushatën tuaj për Mehmet Shehun. Jo se mendojmë se ju nuk keni të drejtë. Përkundrazi. PKGJ e ka të qartë dhe është dakord me PPSH, e cila nuk është bashkuar me ato parti që mohojnë luftën e klasave. Por midis simpatizantëve tanë ka vështirësi në kuptimin e çështjes së Mehmet Shehut si agjent i të huajve. Edhe punëtorët e kuptojnë se funksionarët mund të degjenerojnë nga pushteti. Likuidimi i tyre kuptohet si shprehje e forcës. Por për ta është vështirë të kuptojnë që kryeministri për 40 vjet ka qenë agjent dhe që Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes drejtoheshin nga agjent.
Shoku Ramiz Alia: Vështirësia është nëse besohet që ka qenë agjent, apo përse nuk u zbulua për 40 vjet?
Shoku D.H. Koh: Janë të dyja. Unë vetë mendoj kështu. E kuptoj që Mehmet Shehu donte të shkatërronte socializmin se ai ishte agjent i të huajve (këto mund të ndodhin). Një kryeministër nuk mund të manipulohet kaq lehtë…
Shoku Ramiz Alia: Po, po në rast se nuk do të ishte agjent që më parë.
Shoku Aust: Nuk kuptohet se si duke pasur dy ministri sigurimin dhe ushtrinë ata nuk e shfrytëzuan?
Shoku Koh: E them haptas, se kemi shumë vështirësi, është problem delikat. Na shpjegoni se si ai ishte agjent i të huajve…
Shoku Ramiz Alia: Agjent i klasit të parë bile. Partia ka siguruar prova që Mehmet Shehu ishte një poliagjent shumë i rrezikshëm
27.11.1982
Telefonatë nga Vjena nr.1814
P.Placman ishte për festat e nëntorit nga PKGJ dhe nga shoqata e miqësisë Gjermani-Shqipëri. Në takim me shokun E. Koloneci ngriti këto gjëra:
“Na duket e pabesueshme që për 40 vjet mos të zbulohet tradhtari Mehmet Shehu. Ca më shumë që nuk jepen hollësira për aktivitetin e tij në shërbim të zbulimeve të huaja. Vetëm me aq sa deklaron shoku Enver e kemi shumë të vështirë të bindim shokët dhe nuk mund t’ju themi se kjo është kështu siç thotë shoku Enver. Nëse në kohën e Stalinit ose në Kinë kur janë zbuluar elementë të tillë janë dhënë hollësira deri në detaje për veprimtarinë e tyre, në Shqipëri në rastin e M. Shehut nuk ka ndodhur kështu.”
Një problem tjetër që ngjall dyshime është ndryshimi i Presidentit të Kuvendit Popullor. U vu shoku Ramiz, mirë ndoshta është bërë. Por është e pakuptueshme pse nuk u zu në gojë e nuk u tha asnjë fjalë për veprimtarinë e shokut Haxhi Lleshi.
30.12.1982
Telefonatë nga Stokholmi, nr. 1430,
Anders Persen shfaq rezervat e para pas leximit të librit “Titistët”
1. Si shpjegohet që shumë dokumente u gjendën në kasafortën e Mehmet Shehut pas vetëvrasjes? Budalla ishte ai që i la në kasafortë?
2. Si është e mundur që Feçor Shehu bridhte nëpër Evropë pa lejen e Partisë?
3. Kur jugosllavët i vinin detyrë M.Shehut të likuidonte Enver Hoxhën si ishte e mundur ta udhëzonin të bënte veprime të tilla që pastaj KQ ta dënonte, kur dihet se kjo do ta privonte nga mundësia për të kryer vrasjen?
4. Si është e mundur që ka munguar vigjilenca në lidhje me Mehmet Shehun?
vijon nesër

Agim Popa: Episodet që nuk i hodha në ditar
Në ditar nuk mund të hidhja çdo gjë. Ai nuk ishte thjesht prona ime. Më shumë se kronikën zyrtare, asgjë tjetër nuk mund të dokumentohej në të. Kështu që memoria më ka shërbyer si një ditar tjetër, ku ngjarjet e fiksuara aty nuk mund të censuroheshin në asnjë rrethanë...
Hrushovi, Enverin: Po flet si Mak Milani
Ditët e debateve të Moskës, ku isha pjesë e delegacionit shqiptar, i kam fiksuar në kujtesë për dramacitetin dhe përplasjet e mëdha. Pjesa që kam hedhur në ditar, kuptohet ka të bëjë me linjat zyrtare. Mjaft përplasje, kryesisht nga ato me fyerje në adresë të Enverit, nuk kisha si t’i shkruaja. Kodi i pashkruar i asaj kohe nënkuptonte harresën ndaj tyre. Ndryshe, pasojat ishin të pashmangshme. Më kujtohet debati i liderit të Moskës me Enverin në takimin para mbledhjes historike. Ishte një dialog i tensionuar që zgjati disa orë. Në një moment, udhëheqësi i Kremlinit, i cili e shfaqte haptas shpërfilljen për Enverin i tha se po fliste si Mak Milani. I gjendur në befasi, kreu i delegacionit tonë u pa sy më sy me Mehmetin, si për t’i kërkuar ndihmë. Sakaq, ish-kryeministri me pamjen e indinjuar, nuk vonoi t’i kthente reston të zotit të shtëpisë: “Atë që the për shokun Enver, fute në xhep, se ne i besojmë Marksizmit dhe njohim vetëm Stalinin!” Emri i këtij të fundit gati e xhindosi Hrushovin dhe duke u munduar të vetëpërmbahej, e ndërroi fillin e bisedës. Ju kthyem këtij episodi në mbrëmje teksa pushonim në rezidencën qeveritare. “Në fakt kur i thashë Hrushovit ta fuste në xhep krahasimin për ju, i shpjegoi me shpoti Mehmeti Enverit, u nisa t’ia thosha vënçe “Fute në...” po aty për aty ndërrova mëndje”.
Portugezia: Dua të lind në Tiranë
Ishte një e papritur e këndshme. Teksa rrëfeja për punëtoret e një fabrike në Portugali epërsitë e socializmit në vendin tonë, në fund të bisedës njëra nga gratë që me sa dukej më kishte ndjekur me vëmendje, më takoi me përzemërsi dhe kërkoi ta ndihmoja ta prekte me dorë mrekullinë shqiptare. Leksioni i miratuar në Tiranë, fokusohej te kushtet e mira që shteti komunist shqiptar ofronte për gratë dhe nënat në Shqipëri. E artikulova me qetësi, duke u ndalur në aspektet që mendoja si më të rëndësishme. Shqipëria, shpjegova një moment tregon kujdes të jashtëzakonshëm për gratë shtatzëna dhe zbërtheva me detaje masat ligjore e administrative lidhur me lejen e lindjes, sigurimet shoqërore, lehtësitë për nënat e reja e deri te statusi special i nënave me shumë fëmijë. Kur mbarova kumtimin e gjatë, njëra ndër gratë e reja, më kërkoi ta orientoja me saktësi për vendin ku ndodhej Shqipëria. “Nuk qenka larg, u shpreh ajo. Sa mirë do të ishte që dhe ne t’i bënim lindjet aty”. Ishte një ndërhyrje naive, të cilës aty për aty nuk mund t’i shtoja gjë, por gjithsesi duhej t’i thosha asaj zonje se ishte e mirëpritur në maternitetin e Tiranës.

“Fiati” i Bekteshit dhe Papa i Vatikanit
Profesor Bekteshi, mjeku që saktësoi përgjigjen e Tiranës për Hrushovin lidhur me vërejtjen për pushkatimin e Liri Gegës shtatzënë, më ka treguar në atë periudhë një histori interesante. Gjatë bisedës në Tiranë me një mikun e tij italian, ishte ndjerë ngushtë kur mysafiri e kishte qortuar pse i merrnin automjetet FIAT nga Polonia, goxha larg dhe jo nga Italia që e kishin te dera. Italiani që nuk e njihte mekanizmin e kliringut me të cilin operonim në atë kohë, kishte këmbëngulur gjatë për ta mësuar të vërtetën. “Unë jam mjek dhe të them të drejtën nuk e di, specialisti përkatës mund ta shpjegojë konkretisht”, ishte justifikuar profesor Bekteshi. “Sidoqoftë, nuk kërkon mëndje të specializuar një çështje kaq e thjeshtë”, e kishte bezdisur më tej mysafiri. Sakaq, profesori i nderuar që me sa duket nuk iu durua më tej, ia ktheu me qesëndi: “Gabim e kemi ne shqiptarët me FIAT-in që marrim nga Polonia, por gabim e kanë dhe italianët që importojnë prej andej Papët e Vatikanit”. Mjaftoi kaq dhe të dy ia kishin shkrehur të qeshurës. Ishte periudha kur në krye të Vatikanit shërbente Papa Vojtila me origjinë polake....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›