E Diel, 1 Nëntor 2026

Provat për “Gërdecin” e ujit Nga “Faktori Plus”Partia Socialiste mblodhi të dielën Asamblenë Kombëtare, me rend dite diskutimin e situatës së përmbytjeve në veri të vendit dhe ofrimin e fakteve mbi përgjegjësitë e qeverisë dhe keq-menaxhimin e digave

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Provat për “Gërdecin” e ujit Nga “Faktori Plus”Partia Socialiste mblodhi të dielën Asamblenë Kombëtare, me rend dite diskutimin e situatës së përmbytjeve në veri të vendit dhe ofrimin e fakteve mbi përgjegjësitë e qeverisë dhe keq-menaxhimin e digave e hidrocentraleve, deri në shkelje të rregulloreve përkatëse.
Sipas referuesve në forumin e lartë, në datën 20 dhjetor 2009 qeveria ka qenë e informuar për kushtet e motit në ditët në vijim, dhe prurjet në liqenet e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, por megjithatë nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar rrezikun e përmbytjeve në zonën e nën-Shkodrës.
Të dhënat e ofruara nga ekspertët e opozitës, të cilët kanë marrë në shqyrtim sasinë e reshjeve të rëna në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit, si dhe gjendjen në të cilën ndodheshin liqenet e hidrocentraleve, tregojnë se reshjet kanë qenë të papërfillshme për të përmbytur një zonë aq të gjerë, që arriti deri në 11.400 hektarë.
Por vetëm pak minuta pasi kishte përfunduar Asambleja Kombëtare socialiste, e cila miratoi edhe një rezolutë për situatën në veri, ministri Dritan Prifti ka hedhur poshtë akuzat, duke kaluar madje në kundërsulm ndaj drejtuesve të opozitës.
Përgjatë punimeve të Asamblesë, socialistët sollën prova të dijenisë së qeverisë, se pikërisht në datë 23 dhjetor parashikimet e motit tregonin se temperaturat do të rriteshin me 11 gradë, çka do të çonte në shkrirjen masive të borës, por nga ana e Ministrisë së Energjitikës nuk u mor asnjë masë.
Duket se gjithçka është bërë në funksion të grumbullimit të një sasie sa më të madhe uji për qëllime biznesi, shitje të energjisë elektrike, të paralajmëruar me tender për muajin janar.
Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës ka deklaruar disa herë se, marrëveshja mes KESH dhe OSSH e detyron korporatën të furnizojë deri në 70% të konsumit ditor OSSH. Po kështu, zoti Prifti ka pohuar se KESH e ka shumë të paleverdishme t’i shesë energji shtesë OSSH, pasi çmimi në këtë rast është gati dy herë më i vogël se në rastin e eksportit diku jashtë.
Nga të dhënat e tabelave të import-eksportit për katër muajt e fundit të vitit rezulton se KESH, me nivelin e tij të prodhimit në këto muaj, ka favorizuar importin nga OSSH. KESH ka realizuar mbi 7% të nivelit të importit, kur kjo thuajse ka qenë e panevojshme për të.
Kështu, nëse KESH do të kishte menaxhuar me prodhim situatën e krijuar në dhjetor, duke shitur deri në 100% tek OSSH, atëherë katastrofa nuk do të kishte ndodhur. Por KESH nuk e ka rritur prodhimin, sepse nuk ka pasur kontrata të mjaftueshme eksporti dhe sepse çmimi, me të cilin duhet t’i jepte energjinë shtesë OSSH, ka qenë më pak se dyfishi i çmimit të eksportit, për të cilin KESH kishte lajmëruar se do të hapte tender vetëm në janar.
Sipas ekspertëve të opozitës, gjithçka ndodhi ishte pasojë e shkeljes së të gjitha rregulloreve për shkarkimin në hidrocentrale të lumenjve, që thonë se, kur niveli në liqenin e Fierzës arrin në kuotën 285,0 metra absolute, krijohet një komision i posaçëm, që vendos për ato çështje të veçanta, që rregullorja shprehimisht i lë në kompetencë të tij.
Por vërehet se të dhënat e datës 27 dhjetor janë zhdukur, e dyshohet që kjo të jetë bërë me qëllim falsifikimin e së vërtetës së kësaj date. Më 26 dhjetor është faktuar se kuota në Fierzë ka qenë 288.91 metra, dhe në datën 28 dhjetor, kuota në Fierzë ka qenë 291.22 metra. Pra, kuota rezulton me një rritje prej 2.31 metrash në vetëm 48 orë.
Fshehja e të dhënave dyshohet të jetë bërë, sepse në datën 27 dhjetor, sipas shifrave të kuotave, duket që ka qenë momenti kur Fierza ka kaluar nivelin maksimal të lejuar nga rregullorja, 290 metra.
Si konkluzion, referuesit në Asamblenë e Partisë Socialiste thanë se:
- Niveli i importit në shtator ka qenë mbi 46% e konsumit mujor apo gati 85% e prodhimit vendas.
- Niveli i importit në tetor ka qenë mbi 43% e konsumit mujor apo gati 77% e prodhimit vendas.
- Niveli i importit në nëntor ka qenë mbi 34% e konsumit mujor, thënë ndryshe gati 44% e prodhimit vendas dhe në dhjetor, niveli i importit ka qenë mbi 33% e konsumit mujor apo 44% e prodhimit vendas.
Ishin pikërisht këto shkaqe që çuan në përmbytjen e zonës veriore të vendit për më shumë se dy javë, një situatë kjo që u quajt nga opozita si Gërdeci i ujit, për të cilën duhet të hetojë seriozisht prokuroria krahas skandaleve të tjera të përmasave të mëdha të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›