Propozimi i parë i qeverisë: Të shemben ndërtimet mbi kolektorë dhe pranë digaveNga Tema Banesat që ndodhen mbi kolektorë dhe pranë digave, do të prishen. Pohimi është bërë nga ana e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli. Gjatë një prononcimi,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Propozimi i parë i qeverisë: Të shemben ndërtimet mbi kolektorë dhe pranë digaveNga Tema
Banesat që ndodhen mbi kolektorë dhe pranë digave, do të prishen. Pohimi është bërë nga ana e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli. Gjatë një prononcimi, Ruli është shprehur se këto banesa janë të destinuara që të prishen, për shkak se përbëjnë një rrezik real për sigurinë kombëtare. Ministri i Bujqësisë është shprehur se është duke menduar për t’i propozuar qeverisë një plan për zhvendosjen e këtyre familjeve, të cilat duhet të lënë banesat e tyre aktuale. Kështu, pas përmbytjeve duke se banorët që kanë ndërtuar banesat e tyre pranë kolektorëve apo digave do të duhet që të gjejnë një tjetër strehim. Në fakt, mjaft prej ekspertëve janë shprehur shumë herë se banesat e ndërtuara mbi kolektorë dhe pranë digave ndikojnë në përmbytje. Për këtë arsye ata kanë kërkuar disa herë marrjen e masave nga qeveria dhe prishjen e këtyre ndërtesave, të cilat janë një rrezik real. Por, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri më tani, duke mos prishur banesat që ndodhen mbi kolektorë, gjë që, duke parë edhe përmbytjet aktuale, të cilat kanë qenë të jashtëzakonshme, duke se do të kryhet këtë radhë. Ky pohim është bërë nga vetë ministri i Bujqësisë, i cili është shprehur gjithashtu edhe për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në blegtori. Sipas Rulit, dëmet në blegtori janë minimale, pasi, sipas tij, deri më tani është aluduar me shifrat e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
Bilanci për përmbytjet, Basha: Shmangëm viktimat
Gjatë një bilanci të bërë për përmbytjet e ndodhura në veriperëndim të vendit, ministri i Brendshëm, i cili ishte në krye të Komitetit Ndërministror të Emergjencës, Lulzim Basha, tha se u bë e mundur që të shmangeshin viktimat. Sipas tij, objektivi kryesor i punës së Komitetit të Emergjencës ka qenë pikërisht shmangia e viktimave, gjë që është realizuar me sukses. Ndërkohë, Basha tha se operacioni për përballimin e situatës ka qenë ndër më të suksesshmit, gjë që, sipas tij, është evidentuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. “Ky operacion është klasifikuar si jashtëzakonisht i suksesshëm, jo vetëm nga autoritetet këtu, por dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për faktin se realizoi me sukses të plotë objektivin e tij më parësor, mos-humbjen e asnjë jete njerëzorë. Pas 15 ditësh operacion në kushte të vështira, ne sot mund të themi se objektivi kryesor parësor i këtij operacioni është përmbushur me sukses të plotë”, - tha Basha. Ky i fundit u shpreh se duhet pasur kujdes dhe duhet vazhduar puna për përballimin e situatës, për të shmangur ndonjë epidemi të mundshme. “Deri tani situata paraqitet stabël, por gjej rastin të përsëris thirrjen që ministri i Shëndetësisë i ka drejtuar në vazhdimësi gjatë 24 orëve të fundit për një kujdes maksimal. Do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq, nëse pas përballimit me sukses të kësaj situate të kondicionuar nga këto prurje të jashtëzakonshme ujore të ulet vigjilenca dhe të mos zbatohen masat e përcaktuara nga ky komunitet për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të shmangur çdo epidemi”, - u shpreh ministri i Brendshëm. Basha pohoi gjithashtu se janë marrë një sërë masash për dezinfektimin e zonës. “Ky plan masash është fare i detajuar, përcakton qartë se çfarë masash duhen marrë për ujin e pijshëm, për groposjen e detyruar së gjësë së gjallë, por deri tani dëmi në bagëti është minimal. Por edhe për rastet e raportuara të merren menjëherë masat për higjienizimin e zonës, për të shmangur rrezikun e impaktit negativ që mund të ketë për shëndetin publik”, - theksoi Basha. Ministri në fund bëri bilancin e përmbytjeve, ndërsa theksoi se situata është drejt normalizimit. “Kemi evakuuar 5172 persona dhe transportuar rreth 315 tonë ushqime. Sipërfaqja e përgjithshme e përmbytur arriti në 11400 ha tokë nën ujë dhe rreth 2649 shtëpi të përmbytura, por ndërhyrja e emergjencave ishte e suksesshme dhe situata po shkon drejt normalizimit”, - përfundoi Basha.
Vazhdon përmirësimi i situatës, rrezik nga epidemitë
Situata e përmbytjeve në Shkodër vazhdon që të përmirësohet ditës pas dite.
Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sipërfaqja e tokës së përmbytur është ngushtuar edhe me 1 mijë hektarë të tjerë, duke arritur në mesnatën e së premtes në 8340 hektarë, nga 9340 hektarë që ishte një ditë më parë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e rrugëve të përmbytura tashmë, sipas Ministrisë së Brendshme, janë bërë të kalueshme. Probleme ka në rrugën Pentar-Velipojë dhe në vendin e quajtur Ura e Gjolulit, pjesë e aksit Shkodër-Velipojë, të cilat mbeten ende të pakalueshme për shkak të përmbytjeve. Pavarësisht përmirësimit të situatës, situata mbetet ende problematike në disa fshatra të komunës së Bushatit, Mali i Jushit, Hoten, Fshati i Ri dhe Trush i Vjetër, të cilët vazhdojnë të mbeten të përmbytur, edhe pse niveli i ujit ka shënuar rënie të ndjeshme. Ministria e Brendshme bën me dije gjithashtu se vazhdon shpërndarja e ndihmave për banorët e zonave të përmbytura. Ajo që është më shqetësuese aktualisht është rreziku i ndonjë epidemie të mundshme, pasi, ndonëse uji është tërhequr, në disa lagje periferike të qytetit ujërat e zeza dredhen në rrugë. Banorët shprehen të frikësuar për këtë fakt, duke thënë se ndihen të rrezikuar nga ndonjë epidemi, ndërsa edhe erërat janë bërë të padurueshme. Ministria e Shëndetësisë thotë se deri më tani situata është normale dhe nuk duhet të ketë panik për ndonjë epidemi të mundshme.
PS: Sot provat e implikimit të qeverisë, e dështuar përpjekja për të fshehur provat
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, tha dje se përpjekjet për të zhdukur provat që implikojnë qeverinë në skandalin e përmbytjeve, janë të kota. Ajo përsëriti edhe njëherë se ditën e sotme, socialistët do të publikojnë prova që bëjnë fajtore direkte qeverinë për përmbytjet.
“Çdo përpjekje për të manipuluar provat që tregojnë të vërtetën e katastrofës që përmbyti Shkodrën, katastrofë kjo e shkaktuar nga dora e njeriut, është e dështuar.
Çdo përpjekje për të manipuluar opinionin publik, se vërshimi i ujit që përmbyti veriun ishte një fatkeqësi natyrore, që ndodh 1 herë në 100 vjet, është gjithashtu e dështuar. Çdo përpjekje e dëshpëruar për të zhdukur provat e të gjithë atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj katastrofe, që me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan përmbytjen e më shumë se 11 mijë hektarëve tokë, sipërfaqe kjo 4 herë më e madhe se ajo mbi të cilën shtrihet qyteti i Tiranës, është plotësisht e dështuar”, - tha Felaj.
“Shqiptarët nesër (sot) do të mësojnë të vërtetën. Shqiptarët do të mund të njihen me faktet, shifrat dhe evidencat që provojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare dhe të KESH për përmbytjen që shkaktoi tmerrin e mijëra familjeve shkodrane dhe ankthin e një populli të tërë për fatin e fatkëqijve. I ftoj të gjithë shqiptarët, të ndjekin nesër (sot), në orën 10.30, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të mësuar të vërtetën e hidhur të kësaj katastrofe që tronditi Shqipërinë dhe la qindra familje shkodrane pa banesa, pa prodhim, pa bagëti, pa shpresë”, - vijoi më tej deputetja socialiste.