E Diel, 1 Nëntor 2026

Riformatizimi - ç’është ky?Nga Halil MatoshiFormatizim, sipas gjuhës së informatikës, do të thotë fshirje kujtese, spastrim i hard-diskut nga të gjitha shënimet. Me përdorimin e këtij nocioni shefi i ekzekutivit pavetëdijshëm e pranon se Kosova duhe

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Riformatizimi - ç’është ky?Nga Halil MatoshiFormatizim, sipas gjuhës së informatikës, do të thotë fshirje kujtese, spastrim i hard-diskut nga të gjitha shënimet. Me përdorimin e këtij nocioni shefi i ekzekutivit pavetëdijshëm e pranon se Kosova duhet ta “fshijë kujtesën” qeverisëse dyvjeçare, për t’ia nisur nga e para, nga viti zero, si sindromë shqiptare. Kjo i bie sikur intenca e kryeministrit është që ta ndërrojë komplet qeverinë, si dhe këtë model qeverisës. Por kjo është vetëm blerje kohe, sepse kjo klasë politike nuk ka dije, fuqi as vizion për ta dinamizuar skenën politike dhe për reformimin e pushtetit

Qeveria e Kosovës, e derivuar nga koalicioni i dy partive më të mëdha në vend, jo vetëm që ka shënuar regres në fushat më vitale të funksionimit të shtetit përmes kontrollit total të shoqërisë, por edhe përmes interferimit në procesin zgjedhor të 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit, përkatësisht 31 janarit 2010, duke e shkatërruar tërë procesin.
Dalja më e madhe e elektoratit se në zgjedhjet e 2007-s, si dhe përfshirja domethënëse e serbëve kosovarë në proces, si edhe qetësia gjatë ditës së zgjedhjeve mori notë kaluese edhe nga Brukseli, por edhe nga Uashingtoni dhe ky ishte shkas që raporti i Freedom House të ishte pozitiv për Kosovën, e cila merr një notë më të lartë krahasuar me raportin paraprak, për sa u përket lirive politike dhe lirive civile. Porse raporti është publikuar pa ia ditur fundin procesit zgjedhor që është shndërruar në një telenovelë, e cila po vazhdon duke dhënë shenja të degradimit deri në episode agresioni e dhune.
Si mund t’i jepet notë kaluese një procesi zgjedhor, nëse rezultatet e zgjedhjeve nuk pranohen nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse?
Në këtë rast, së paku Gjilani jep sinjalin se rezultati nuk do të pranohet dhe kjo Kosovën nga një vend “pjesërisht i lirë” do ta shndërrojë në një vend pa liri ose të kërcënuar nga intenca autokratike.
Tashti, definitivisht u shfaq lakuriq në skenë fakti i vrazhdë se kosovarët kanë krijuar mitin për zgjedhje të ndershme e të lira në Kosovë, “si shembull për rajonin” dhe të lavdëruara nga Brukseli dhe Uashingtoni, sepse e vërteta është se në vazhdimësi që nga zgjedhjet e para të pasluftës kosovarët kanë abuzuar me procesin zgjedhor, duke përsosur mekanizma të fshehtë të vjedhjes së votave. Derisa Prizreni dhe Lipjani shkojnë në rivotim më 31 janar të këtij viti, Gjilani është bllokuar, sepse PDK dhe LDK kurrqysh të merren vesh për pazarin politik, së këndejmi vota e qytetarit është mbajtur peng.
Roli i asaj gruas në krye të KQZ (e cila në çdo të dytën fjalë e bën një gafë), në tërë këtë tregim është i jashtëzakonshëm. Zonja Lushta, si shefe e një institucioni të pavarur, objektivisht është kryeabuzuesja me votën e gjilanasve (nuk dua të hyj se kë ata kanë votuar më së shumti, sepse fundja është vullnet i tyre), por, në esencë, nëse deshifrohet Kodi që e ka sjellë Lushtën në krye të KQZ, del një tregim i mirë policor: Lushta është parë si njeri i Fatmir Sejdiut dhe ajo këtë e ka kuptuar seriozisht, por ajo nuk e ka kalkuluar faktin se ky i fundit është njeri i Hashim Thaçit dhe që të dyve u intereson që “Zonja e shpifur” të bjerë në fazën përfundimtare të konfuzionit dhe të shkatërrimit të tërë procesit zgjedhor vetëm që ata të vazhdojnë pushtetin e tyre personal duke i neglizhuar proceset politike që do të dinamizonin skenën politike të vendit, duke e detyruar kryetarin e Kosovës që ta shpërndajë Kuvendit dhe të shpallë zgjedhje të reja nacionale dhe duke e diktuar prishjen e koalicionit qeverisës për t’u pajtuar për një qeveri ekspertësh deri në zgjedhje, pra për ta hedhur edhe vetë kryeministrin në “riformatizim”.
Askush normal nuk e ndërron qeverinë efektive. Kështu del se kryeministri Thaçi i ka ngrënë fjalët e veta! Sepse nuk na qenka edhe aq ideale qeveria e tij.
Mirëpo, blofi konsiston në neglizhimin e problemeve të vërteta të vendit, pra edhe “shpëtimi” i fytyrës pas përgjigjes negative për liberalizimin e vizave, si dhe pas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, që ishte raport-regresi në shumë sfera të jetës publike në Kosovë. Pra, me këtë ‘riformatizim’ kryeministri dëshiron të blejë kohë, që vendi të mos shkojë në zgjedhje nacionale (as të parakohshme, as të jashtëzakonshme) të rregullta, konform me Pakon Ahtisaari, e cila thotë se ato duhen mbajtur nëntë muaj pasi të hyjë në fuqi pakoja.
Në një sondazh të Koha.net për riformatizimin e qeverisë, ndër ata që duhet të shkojnë prin bindshëm vetë Thaçi me gati 10 mijë vota. Çka do të thotë se ka indikacione të fuqishme se publiku kosovar pothuajse e ka të kristaltë opinionin se kjo qeveri duhet të dalë nga skena. Si mundet ta riformatizojë kabinetin qeveritar njeriu, i cili i ka thurur oda asaj në kontinuitet për qeverisje të mirë? Pse u dashka tash? Kryeministri i vendit, jo vetëm që në vazhdimësi e ka lavdëruar kabinetin e tij për qeverisje të mirë, por ai madje gjatë balotazhit për zgjedhjet vendore të 13 dhjetorit ka thënë se këto votime ishin një referendum për qeverisje të mirë.
Mirëpo, pas aferës së ‘Zanzibarit’, kryeministri Thaçi, së pari e nisi luftën për të dalë me fytyrë nga një skandal tepër naiv dhe inatçor. Për ta mbuluar “puçin televiziv” mbi institucionet e vendit, ai e zëvendësoi këtë ndërrim radikal në një term të butë që parasheh një proces normal të freskimit të qeverisë, duke e plasuar në publik termin ‘riformatizim’, që edhe thotë shumë, edhe nuk thotë asgjë.
Duke dashur që ta fshijë nga vetja turpin e “axhamillëkut” të PDK, kur në pikë të natës me një logjikë arbitrare e kishte lënë vendin pa qeveri dhe institucione dhe së dyti natyrisht, mëton që t’i aktivizojë njerëzit më të fuqishëm të dy partnerëve të koalicionit sipas perceptimit të tij, për t’i heshtur ata më të zëshmit, si p.sh., Lutfi Hazirin e LDK, që me çdo kusht të qeverisë deri në vitin 2011.
Riformatizimi i qeverisë së këndejmi duhej të mendohej edhe si ndryshim cilësor edhe si reformë e vetë modelit klientelist aktual të qeverisjes, pra edhe shkëputje nga ndërvarësia e politikës me krimin e organizuar. Por kryeministri këtë e ka vetëm si një balonë provuese, duke luajtur me ndjenjat e zgjedhësve dhe të zgjedhurve, duke lakuar shumë emra, duke i mbajtur ata në ankthin e pritjes se çfarë do të ndodhë në të ardhmen...
Pyetja logjike që shtrohet kur e dëgjon kryeministrin tek flet për ‘riformatizim’ është: A thua pse të prishet diçka që po funksionon mirë? Fundja është rregull thënia botërore se, çdo lidershipi, që inicion ose zbaton reforma, është i destinuar t’i humbë zgjedhjet, prandaj Thaçi dhe kabineti i tij ikin nga çfarëdo intence reformatore si prej dreqit, sepse interesi i tyre është pushteti personal dhe jo interesi i publikut.
Po të ishin këta patriotë të dikurshëm, patriotë ligjorë sot, Kosova do të ishte tashmë në Schengen-in e bardhë, e jo “vrimë e zezë” e hartës evropiane. Dhe sot, shoqëria kosovare thuajse është bindur se më këso standardesh provinciale, me këtë shkallë të korrupsionit dhe të ndërlidhjes së politikës me krimin e organizuar, me këso ndërhyrjesh arbitrare në gjyqësor, në emërimin e administratës publike, në bordet e kompanive publike, me këso shtrëngimesh të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe me paralizimin e shoqërisë civile, Kosova e ka izoluar vetveten nga bota e lirë.
Kosovarët duhet të vetëdijesohen se fajet nuk janë në Bruksel, pse atyre u janë mbyllur të gjitha dyert për të dalë jashtë kësaj konserve, që e ka blinduar PDK dhe po konservon edhe më tutje LDK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›