Provimet me zgjedhje, maturantët humbasin të dhënat
Rezultatet e provimeve me zgjedhje u bënë publike vetëm tri ditë më parë, e megjithatë ka edhe nga ata maturantë që nuk e dinë ende notën me të cilën janë vlerësuar. Afishimi i listave të notave është bërë në ambjentet e shkollave të mesme, por kjo praktikë pune nuk ka funksionuar njësoj për të gjitha gjimnazet, pasi ka edhe nga ato shkolla që nuk i kanë ende rezultatet e nxënësve të tyre. Ekzistojnë disa raste që pohojnë se emrat e tyre nuk gjenden në listat e afishuara në shkolla. Ata janë tejet të shqetësuar dhe i janë drejtuar instancave përkatëse për të marrë një informacion të saktë në lidhje me këtë situatë.
Nxënësit që nuk kanë mësuar ende notën e lëndëve me zgjedhje thonë se ankthi i tyre do të përfundojë vetëm ditën kur situata në të cilën ata ndodhen do të marrë një zgjidhje përfundimtare.
E vërteta është se nëse kjo çështje nuk merr drejtimin e duhur në një kohë sa më të shpejtë, nuk do të jetë çudi që ata të “penalizohen”, duke mos u regjistruar në afatet e përcaktuara nga ministria e arsimit dhe e shkencës, për të qenë student në fakultetet e tyre të preferuara.
Situata paraqitet shqetësuese, duke qenë se përgjigjet e provimeve me zgjedhje ishin ato që do të vendosnin përfundimisht fatin e nxënësve. Nëpërmjet notave të lëndëve që maturantët kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre, ata do të kishin mundësi të përllogarisnin pikët e grumbulluara nga provimet e maturës shtetërore dhe mesatares së katër viteve. Por kjo nuk do të jetë e mundur, përsa kohë nxënësit nuk janë ende në dijeni të notës me të cilën janë vlerësuar në provimet me zgjedhje. Ka nga ata maturantë që janë shqetësuar pa të drejtë, pasi kanë menduar se emrat e tyre nuk kanë qenë të afishuara në lista, por pasi i kanë hedhur një sy të dytë kanë kuptuar se gabimi ka qenë i tyre. kjo për shkak se emrat e tyre kanë qenë të shkruara qartazi, por ndoshta për shkak të emocioneve ata nuk kanë mundur të gjejnë emrin dhe notën me të cilën janë vlerësuar. E megjithatë, ka edhe nga ata nxënës që pas shumë e shumë kërkimesh, nuk kanë arritur të lexojnë emrat e tyre në listat e publikuara nga MASH. Kjo avari, mund të jetë pasojë e një problemi teknik në rrjetin e të dhënave që përmban rezultatet e këtyre provimeve. Por nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë gabimi njerëzor nga specialistët që janë marrë me përcaktimin e emrave dhe notave në listat e shkollave të mesme. Të gjitha këto mbeten thjesht dyshime. Përgjigjen konkrete për shkakun e kësaj situate që ka prekur një pjesë të maturantëve e ka në dorë ministria e arsimit, institucioni i vetëm që mund të sqarojë maturantët në lidhje me këtë problem.
Formulari A2Formulari A2 pritet të shpërndahet më datë 22 korrik, në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, parashikohet se maturantët do të kenë një afat kohor prej dy javësh për plotësimin e tij. Pas pothuajse 15 ditësh, nxënësve do t’ju duhet ta dorëzojnë formularin e plotësuar në drejtoritë përkatëse të shkollave.
#