E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetja Doda: Do të pyetet edhe Ramiz Alia

PD mbledh komisionin hetimor për masakrën e Tivarit

Partia Demokratike zhvilloi dje mbledhjen e parë për komisionin hetimor të masakrës së Tivarit. Në këtë mbledhje, në të cilën morën pjesë vetëm përfaqësuesit e Partisë Demokratike, u vendos aspekti procedural që do të ndiqet në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe po kështu u mor vendimi që plani hetimor të miratohet në javët që vijnë.

Kjo u konfirmua nga deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtare në këtë komision, Mesila Doda. Sipas saj, në mbledhjen e djeshme u përcaktuan linjat kryesore të punës të komisionit hetimor. “Do të marrim në hetim njerëzit, faktet që kanë qenë në shtypin e kohën, në arshivat e shtetit shqiptar, në ato të Kosovës dhe të vendeve fqinje. Pra do të kërkohet çdo dokument, do të kërkohet çdo indice, do të dëgjohet çdo dëshmitar okular i cili ka dijeni për masakrën e Tivarit”, paralajmëroi deputetja e PD-së. Sipas saj, do të kërkohet që të zbardhet përgjegjësia e shtetit shqiptar me të veprimin ose jo në këtë ngjarje.

“Do të kërkohet që të dalë e vërteta, e cila është ende një faqe e errët në historinë e Shqipërisë. Vendi ynë ka nevojë për historinë e tij të vërtetë dhe kërkohet të zbardhet e vërteta e mohuar për kaq shumë vjet”, deklaroi Doda. Sipas saj, komisioni pritet të thërrasë për hetim edhe ish-presidentin Ramiz Alia, i cili është i akuzuari kryesor i PD-së për këtë ngjarje. “Ramiz Alia është një nga ata që kanë dijeni për ngjarjen dhe askush nuk është i përjashtuar nga thirrja në pyetje nga ana e këtij komisioni”, deklaroi Doda, duke lënë të kuptohej se ish-presidenti ishte një nga personat kryesorë që do të merrej në pyetje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›