E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, fituese me 3 deputetë në qarkun e Gjirokastrës kundrejt 2 të PD-së

PS-ja, fituese me 3 deputetë në qarkun e Gjirokastrës kundrejt 2 të PD-së. Procesi i numërimit u mbyll në orën 16:00 pa asnjë incident

Emanuela Sako
Përfundon maratona e numërimit të votave në qarkun e Gjirokastrës me kryesimin e Partisë Socialiste. Gjirokastra ka mbyllur e para rezultatin e saj përfundimtar, ku fituese ka dalë PS-ja me 3 mandate dhe PD-ja me 2 mandate. Rezultatet e përkthyera në emra konkretë fituesish janë: PS-ja kryeson me Arta Daden, Vangjel Tavon, Ethem Rukën, ndërsa nga kampi blu i PD-së fitues janë Genc Ruli dhe Spiro Ksera. Megjithëse ka pasur vonesa dhe numërimi nuk ka përfunduar në kohën e përcaktuar në Kodin e ri Zgjedhor të KQZ-së, gjithçka ka kaluar pa probleme në procesin e numërimit në këtë qark. Procesi i numërimit në qarkun e Gjirokastrës përfundoi rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme. Numri i votave të vlefshme të numëruara në 3 vende të numërimit të votës (VNV) pranë komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve (KZAZ) është 51 380 vota. Rezulton se nga numërimi i votave të 285 qendrave të numërimit për këtë qark ka pasur vetëm disa vota të pavlefshme për shkak të mungesës së vulës në fletët e votimit. Rezultatet e publikuara vijojnë si më poshtë: Koalicioni “Bashkimi për ndryshim” ka fituar 55.91 për qind të votave. Koalicioni “Aleanca e ndryshimit” ka fituar 40.09 për qind të votave. Koalicioni “Aleanca socialiste për integrim” ka fituar 3.28 për qind të votave. Koalicioni “Poli i lirisë” ka fituar 0.59 për qind të votave. Partia “Ligj dhe drejtësi” ka fituar 0.13 për qind të votave. Sipas këtyre rezultateve, shpërndarja e votave për partitë kryesore politike në qarkun e Gjirokastrës është: Partia Socialiste 46.14 për qind të votave, ose e përkthyer në numër votuesish 23 709 kundrejt 51 380 vota të vlefshme gjithsej në këtë qark. Partia Demokratike ka fituar 35.59 për qind të votave, ose 18 286 vota. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka fituar 5 për qind, ose 2 569 vota. Ndërsa 13.27 për qind e votave të tjera janë ndarë për 32 partitë e tjera pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Qarku i Gjirokastrës ka në përbërjen e saj rrethin e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, që tashmë kanë zgjedhur deputetët që do t’i përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm.

Gjirokastër, procesi i numërimit ka kaluar pa incidente
Procesi i votimit dhe i numërimit në qarkun e Gjirokastrës ka kaluar pa incidente, përveç disa vonesave për shkak të lodhjes së komisionerëve. Anëtarët e komisionit kanë ndërprerë për disa orë procesin e numërimit për të pushuar dhe më pas kanë vazhduar pa probleme. Ndërkohë që ka mbyllur procesin rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, ku kanë konfirmuar rezultatet paraprake, të cilat u konfirmuan nga KQZ-ja. Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në Nr. 28 në Gjirokastër është ndërprerë gjatë orëve të mbrëmjes të datës 29 qershor për të rifilluar në mesnatë. Burime nga kjo KZAZ thanë se procesi i numërimit të votave është ndërprerë me konsensus të anëtarëve të grupit të numërimit të votave për disa orë pushim pas një pune të lodhshme. Ndërsa një ndër incidentet e shënuara gjatë ditës së votimit të 28 qershorit është se deputeti Vangjel Tavo, gjatë vëzhgimit të Qendrës së Votimit në komunën Lazarat ka vërejtur se kryetari i komunës, Dashnor Aliko, ushtroi presion gjatë gjithë kohës mbi votuesit. Sipas Tavos, këto veprime po bëheshin për të manipuluar rezultatet duke ushtruar presion mbi komisionerët socialistë.
Në qarkun e Gjirokastrës funksionojnë tre KZAZ, përkatësisht në Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë. Në zgjedhjet përgjithshme që u zhvilluan 3 ditë më parë u thirrën në votime 129 600 zgjedhës nga qarku i Gjirokastrës, prej të cilëve votuan mbi 50 për qind. Gjithçka ka kaluar pa probleme, ndonëse ka pasur disa ndërprerje për shkak të lodhjes së komisonerëve.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›