E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet në fakultet, "vjeshta e vogël" caktohet në prill

Sezoni i ri i provimeve erdhi. Një shans më shumë ky për studentët mbetës në fakultetet e UT-së. Janë tre ose katër data në dispozicion të tyre për të ridhënë lëndët e mbartura. Vendimi i marrë nga këshillat e fakulteteve të Universitetit të Tiranës përcakton prillin, si muajin e "vjeshtës së vogël". Ky vendim është marrë pas kërkesës që depozituan nëpër sekretari mjaft studentë. Nuk janë të paktë ata të rinj që ndjekin shkollën e lartë dhe që mbartin lëndë nga njëri vit në tjetrin. Një notë jo kaluese e përsëritur disa herë, bën që lënda e vitit të dytë të jepet sërish në vitin e tretë. Shembull ky i vlefshëm për studentët e të gjitha viteve dhe që e sqarojnë pedagogët që janë të detyruar të marrin në provim studentët e tyre për disa herë radhazi, nëpër sezonet e vitit akademik.

Rregulli i ri përcakton të drejtën për të mbartur vetëm katër provime nga viti paraardhës. Sipas pedagogëve, nëse një student i vitit të dytë në vjeshtën e madhe (shtator) ka ende 3 ose 4 lëndë të pamarra, mund të hidhet në vitin e tretë. Por me një kusht, që këto provime t‘i shlyejë në "vjeshtën e vogël", që sapo është caktuar të jetë në muajin prill.

Sezoni i këtij muaji u vjen në ndihmë edhe atyre studentëve që kanë mbetur në provime semestrin e parë dhe duan ta rijapin lëndën tani dhe jo në vjeshtën e madhe, siç ishte rregulli më parë. Të gjitha fakultetet kanë shtuar mundësinë e dhënies së provimeve për studentët e tyre, tashmë që po aplikohet sistemi i Bolonjës. Por, gjithsesi, ka kufizime që shpien deri në humbjen e vitit akademik. Rektorati i UT-së bën të ditur se "secili fakultet ka të drejtë të përcaktojë vetë rregullat për provimet. Pra mundësinë e dhënies së tyre nga studentët". Kështu, nëse një student mbetet në më shumë provime se sa përcakton fakulteti, mbetet në stazh. Përsërit shkollën pas një viti. Kjo është edhe pika më e debatuar e senateve të studentëve dhe drejtuesve të fakulteteve.

Studentët, natyrisht që kërkojnë heqjen totale të stazhit. Edhe pse është premtuar, ai ende mbetet në fuqi. Aktualisht një student ka të drejtë të hyjë në të njëjtin provim katër herë radhazi. Nëse nuk e merr, mbetet stazhier. Po kështu, edhe një student që ka për provim më shumë lëndë se sa përmban sezoni, kalon në stazh. Si shembull sjellim një student që ka në vjeshtën e vogël 5 provime dhe jo 4 sa e përmban rregulli.

Nota

Dy data për përmirësimet

Jo vetëm mbetësit kanë të drejtë të përsërisin provim shpeshherë. Edhe studentët kalues që janë të pakënaqur me vlerësimin mund ta rijapin provimin. Dy përmirësime lejohen brenda një viti akademik. Ky është një tjetër rregull i vendosur nga këshillat e fakulteteve për studentët që mësojnë në UT. Ata që interesohen për notë më të lartë, duhet të depozitojnë më parë në departament kërkesën përkatëse. Më pas, sekretaria njofton pedagogun e lëndës për numrin e studentëve përmirësues. Datat e këtyre provimeve lihen në një nga sezonet e provimeve. Aktualisht, janë katër sezone: në shkurt, prill, qershor dhe shtator. Këto janë muajt e nisjes, pasi dy sezonet e mëdha zgjasin afro dy muaj secili.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›