E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, 80% e romëve jeton në varfëri ekstreme

Për shkak të përjashtimit dhe diskriminimit, rreth 80 për qind e komunitetit rom në vendin tonë jeton nën minimumin jetik. Është ky rezultati që bëhet publik nga një studim i Bankës Botërore, në lidhje me parametrat e varfërisë të këtyre grupeve të konsideruara si vunerabël. Kjo shifër vihet përballë 18.5 për qind të pjesës tjetër të shqiptarëve që jetojnë në skamje. Gjithashtu, një studim i UNDP në 2006, për prekshmërinë shoqërore të romëve, tregon që 55 për qind e këtij grupi, në moshën 15-vjeçare ose më të rinj, janë analfabetë, krahasuar me dy përqindëshin e popullsisë jorome. Sipas të njëjtit studim, rezulton se rreth 20% e familjeve të tyre janë vendosur në lagje të këqija, duke jetuar në shtëpi apo kasolle të shkatërruara, krahasuar me më pak se një për qind të atyre jorome. Këto të dhëna janë bërë publike dje, në ditën ndërkombëtare të romëve nga ana e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. "Shifrat e larta të papunësisë në periudhën post-komuniste kanë prekur rëndë statusin social dhe ekonomik të romëve. Niveli i ulët i edukimit, papunësia e tejzgjatur dhe mungesa e aftësive, e kombinuar me diskriminimin që ata shpesh hasin kur sigurojnë një punë, ka çuar në përjashtimin social të romëve dhe në mbajtjen e tyre në ciklin kronik të varfërisë", theksojnë përfaqësuesit e ministrisë. Ata bëjnë të ditur edhe fillimin e një projekti dyvjeçar, "Fuqizimi i Komuniteteve Vunerabël në Shqipëri - Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës për Komunitetin Rom". Grupi në fokus i këtij projekti do të jenë romët dhe egjiptianët, që jetojnë në zonat e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës. "Ky projekt do të mundësojë ndërhyrje të rëndësishme në disa drejtime si ngritje e fuqizim kapacitetesh, ndërhyrje në infrastrukturë, rritje të përfaqësimit nëpërmjet mbështetjes së shoqatave rome", u shpreh dje ministri i Punës, Kosta Barka. Regjistrimi është një tjetër çështje kyçe për minoritetin rom dhe egjiptian në Shqipëri, pasi shpesh atyre u mungojnë dokumentet bazë legale, si certifikatat e lindjes apo kartat personale të identifikimit.

Vendimi

"Dekada e romëve", 20 mijë euro anëtarësimi

Shqipëria është anëtarësuar në deklaratën "dekada e romëve". Ky vendim është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ky anëtarësim është propozuar nga ana e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kontributi fillestar i këtij anëtarësimi arrin në vlerën e 20 mijë eurove. Ai do të përballohet nga fondet e brendshme të Ministrisë së Punës. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të vërë në dijeni, në rrugë diplomatike, presidencën hungareze, për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në deklaratën "Dekada e romëve". Gjithashtu, Ministria e Punës brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të përgatisë planin kombëtar të veprimit për zbatimin e kësaj deklarate. Qeveria ka ngarkuar sektorin e monitorimit të zbatimit të strategjisë kombëtare, "për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom", pranë Ministrisë së Punës, për monitorimin e planit kombëtar të veprimit, për zbatimin e deklaratës "Dekada e romëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›