E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekanët dhe rektorët, konflikt për kompetencat

Dekanët kundërshtojnë rektorin e UT-së për rregulloren e universitetit. Në prag të miratimit të saj, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, u shpreh për "Shqip" se statuti i ri u jep shumë kompetenca titullarëve dhe më pak organeve kolegjiale. Kur drafti ishte për diskutim në fakultete, u përpiluan edhe vërejtjet që tashmë i janë bërë të ditura rektorit Dhori Kule. "Ne presim që kreu i UT-së të reflektojë për vërejtjet e Fakultetit të Filologjisë, por edhe të fakulteteve të tjera", shtoi Rrokaj. I njëjti debat me temë përqendrimin e kompetencave zhvillohet edhe në universitete të tjera, siç ndodh në atë Politeknik. Dekanët e këtij universiteti, ashtu si tek UT-ja, kërkojnë që të kenë më shumë të drejta në përzgjedhjen e stafeve të punës, apo në menaxhimin e fondeve.

Me anë të statutit të ri të Universitetit të Tiranës ndryshon procedura e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj. Rektori është ai që vendos, ndërkohë që më parë ishte rektori së bashku me dekanin përkatës. Madje tani dosjet duhet të seleksionohen më parë nga dy zv/rektorët e universitetit. Sipas dekanit Rrokaj, me anë të ligjit të ri, një sërë kompetencash duhet t‘u lihen organeve kolegjiale, siç janë këshillat e fakulteteve, apo senati i universitetit. "Ne këtë kërkojmë nga rektorati i UT-së dhe ata që kanë hartuar statutin e ri. Kërkojmë që ky statut të jetë i mbështetur në ligjin e ri të arsimit të lartë", u shpreh më tej ai.

Siç dihet, me miratimin e ligjit universitetet duhet edhe të hartojnë rregulloret e reja. Secili prej tyre duhet të ketë rregulloren e tij të funksionimit të brendshëm. Por ligji i ri nuk ka ndryshuar vetëm në aspektin e burimeve njerëzore. Një temë tjetër e nxehtë është ajo e buxhetit. Secili fakultet mbledh të ardhura nga tarifat e studentëve, por asnjëri prej tyre nuk mund t‘i menaxhojë vetë pa lejen e universitetit, pra të rektorit. Sipas dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Andrea Maliqari, edhe pse ky fakultet ka të ardhura të larta, nuk mund t‘i përdorë. "Shuma që ne arkëtojmë shkon në universitet, bashkohet me të ardhurat e fakulteteve të tjera dhe më tej ndahen nga Këshilli i Administrimit sipas nevojave", u shpreh ai.

Sipas ligjit, Këshilli i Administrimit i Fakulteteve duhet të ndajë buxhetin e universitetit për secilin fakultet, gjithashtu duhet të parashikojnë edhe investimet për to. Ende për këtë vit nuk është kryer asnjë investim në ndonjë shkollë të lartë. Shkak janë bërë pikërisht këto këshilla që ishin strukturë e re dhe për pasojë u ngritën me vonesë. Shto këtu edhe burokracitë mes dikastereve, siç ndodh me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave. Problemi i bllokimit të fondeve të investimeve është bërë disa herë evident në media nga drejtuesit universitarë dhe pritet që tani Ministria e Financave të japë "OK" për lëvrimin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›