E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat, fëmijët dhe të moshuarit drejt spitaleve

Situatë aspak e këndshme duket kjo fund pranvere për ekstremet e moshave. Si për fëmijët e vegjël, por edhe për të moshuarit, ditët e bukura për të rinjtë janë shndërruar në një burim të vërtetë sëmundjesh. Të vegjlit i drejtohen urgjencave dhe ata që janë më rëndë spitaleve, për shkak të temperaturës së lartë, kollës, rrufës e shpeshherë edhe diarresë. Këto simptoma po shoqërojnë fëmijët teksa stinët po i zënë vendin njëra-tjetrës. Në urgjencën e Pediatrisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", e cila përballon edhe fluksin më të madh të pacientëve, vogëlushët rreshtohen njëri pas tjetrit në krah të prindërve, për të marrë mjekimin e domosdoshëm në këto ditë të nxehta e të thata. Mjekët pohojnë se ndryshimi i temperaturave ka bërë që shumë fëmijë t‘i drejtohen urgjencave kryesisht për shkak të temperaturës së lartë. Sipas mjekëve të shërbimit, vogëlushët paraqesin simptoma të rrufës, kollë, zënie hundësh, dhimbje të fytit e shoqëruar kjo ndonjëherë edhe me dhimbje veshi. Mjekët këshillojnë prindërit që të tregohen tepër të kujdesshëm në temperatura të tilla, pasi fëmijët nuk duhen lejuar që të djersiten, një nga shkaqet kryesore që i çon në dyert e spitalit. Po kështu, këshillat e përhershme që bluzat e bardha nxitojnë të rendisin për fëmijët në raste të tilla janë edhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve natyrore, (fruta të shtrydhura pa ngjyrues e elementë të tjerë kimikë), si dhe një higjienë të lartë. Kjo këshillë vjen në një kohë kur ndotja e ambientit është bërë vërtet shqetësuese. Nga ana tjetër, brenda "zonës së kuqe" të rrezikut për shëndetin mbeten edhe të moshuarit. "Destinacioni" kryesor për ta në këto ditë ndryshimi klimaterik mbetet urgjenca e kardiologjisë në QSUT, por nuk mungojnë as ata që i drejtohen sanatoriumit, për shkak të problemeve me rrugët e frymëmarrjes. Një shqetësim i madh për urgjencën e Kardiologjisë në QSUT mbetet mungesa e kapaciteteve për të përballuar flukse pacientësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›