E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada SHBA, bursa për studentët dhe profesorët shqiptarë

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, në kuadrin e programeve Fulbright dhe Humphrey, për Shqipërinë, ofron disa bursa për nivelin Master dhe Studiues, pranë universiteteve amerikane. Bursa mbulon të gjitha shpenzimet për fituesit. Këtu përfshihen shkollimi, jetesa, udhëtimi dhe sigurimi shëndetësor gjatë periudhës së qëndrimit në Amerikë. Përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve për këto programe sqarojnë se "për Shqipërinë, programi Fulbright për studentë ofron mundësi për kryerje të studimeve të plota në nivel Master. Ndërsa Programi për Studiues u ofron mundësi profesorëve apo studiuesve të kryejnë punë kërkimore shkencore të thelluar apo edhe të japin leksione në universitetet amerikane. Programi Humphrey është për ata profesionistë, që janë në mes të karrierës së tyre". Të dyja këto programe studimi financohen nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara dhe administrohen nga ambasada amerikane në Tiranë.

Fushat e studimit

Degët e studimit, sipas përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, ofrohen mjaft mundësi: Komunikim/Gazetari, Shkenca Shoqërore dhe Natyrore, Bujqësi, Inxhinieri, Biznes, Administrim Publik, Psikologji, Letërsi dhe Gjuhësi, Biblioteka, Edukim, Teatër/Kërcim, Juridik, Ekonomik, Menaxhim Burimesh Njerëzore, Planifikim Urban, Politika dhe Administrim të Shëndetit Publik, Administrim në Arsim. Përfituesit mësohet se do të jenë profesionistë, pedagogë, specialistë të fushave të ndryshme nga institucione publike apo private.

Kriteret e përzgjedhjes

Në lidhje me kriteret e përzgjedhjes së aplikantëve për këto programe, pohohet se "bazë është meritokracia". Kështu, një komision i posaçëm i ngritur pranë ambasadës amerikane në Tiranë do të bëjë vlerësimin e aplikimeve dhe intervistimin e kandidatëve, që kanë paraqitur aplikimet më të mira. Sqarohet se "me aplikimet më të mira kemi parasysh të shkruara në mënyrë profesionale: objektiva të qarta studimi, si lidhen ato me arsimimin e mëparshëm dhe me objektivat profesionale në të ardhmen". Ndërsa kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit në momentin e aplikimit variojnë sipas programeve. Kriteret e përbashkëta janë: Nënshtetësia shqiptare; Niveli i njohurive të gjuhës angleze (minimumi i pikëve në provimin e TOEFL: 550 me laps e letër, 213 me kompjuter, 79-80 me internet); Të demonstrohen aftësi të mira lidershipi. Kriteret e veçanta për bursat e tjera lidhen me përvojën e punës, aftësitë për kërkim shkencor dhe kryerjen e studimeve pasuniversitare (sidomos për aplikantët e bursës Fulbright për Studiues).

Mënyra e aplikimit

Formularët e plotësuar në anglisht, së bashku me dokumentet plotësuese - tre letra reference sipas një formati që gjendet bashkëngjitur, formularin mjekësor, dokumentet e tjera si diploma, certifikata e notave, certifikata kualifikimi apo trajnimi, botime nëse aplikanti ka, një CV të plotë dhe një fotokopje të pasaportës, kopje të provimeve TOEFL, GRE ose GMAT (sipas fushës së studimit) pranohen pranë Këndit Amerikan. Të interesuarit mund të aplikojnë deri më 13 qershor 2008 për të filluar studimet në vjeshtën korrik/gusht 2009 në varësi të fillimit të vitit akademik të universitetit, ku ata pranohen. Për të gjithë aplikantët që nuk kanë rezultate të vlefshme të provimit të TOEFL-it, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun do të organizojë provimin e TOEFL-it institucional, kundrejt pagesës 35 euro, që do të bëhet në momentin e dorëzimit të aplikimit pranë Këndit Amerikan. Ky provim është i vlefshëm vetëm për procesin e aplikimit.

Fazat e përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes kalon nëpër disa faza. Në qershor-gusht do të bëhet shqyrtimi i aplikimeve dhe përzgjedhja e tyre. Në shtator do të realizohet intervistimi i aplikantëve të përzgjedhur, që përcakton edhe gjysmëfinalistët. Në nëntor-mars vazhdon shqyrtimi i aplikimeve të gjysmëfinalistëve nga Bordi i Bursës Fulbright në Ëashingotn DC dhe konfirmohen finalistët. Më tej, në tetor-dhjetor gjysmëfinalistët regjistrohen dhe japin provimet zyrtare TOEFL/GRE/GMAT, shpenzimet për të cilat i mbulon ambasada. Në periudhën janar-mars aplikimet e gjysmëfinalistëve dërgohen në universitete të ndryshme nga Instituti i Edukimit Ndërkombëtar. Nga marsi në prill universitetet konfirmojnë pranimin apo mospranimin e aplikimeve. Në muajin maj aplikantët konfirmojnë universitetet, ku janë pranuar dhe në qershor-korrik-gusht fillojnë procedurat e vizave dhe nisja e finalistëve drejt universiteteve amerikane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›