E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i letërsisë, 1600 nxënës mbetës, qindra të tjerë nuk morën pjesë

Mijëra nxënës rezultuan mbetës në provimin e parë të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës doli dje në konkluzionin se ka bërë përparime në sektorët e saj. Ndërkohë që sipas të dhënave kjo gjë nuk ishte shumë me vend. Me sa duket MASH ka harruar ti numërojë me vëmendje nxënësit mbetës të cilët janë me mijëra vetëm në provimin e parë të maturës kur ende nuk e dimë se sa mijëra të tjerë do të rezultojnë të tillë në provimin e matematikës. Ndërkohë që nuk janë llogaritur fare mijëra nxënës të tjerë të cilët nuk u futën dot në provimet e maturës pasi rezultuan mbetës në disa lëndë të vitit të fundit të shkollës së mesme. Vetëm për qytetin e Tiranës këto nxënës arrijnë në 270 ndërkohë që në gjithë vendin ato arrijnë në mijëra mbetës. Ndërkohë që MASH shkon më tej duke deklaruar që sivjet provimet u zhvilluan shumë normalisht, nga ana tjetër janë vetë nxënësit të cilët pohojnë se nuk ishte kështu. Kopjet u lejuan në mënyrë masive. Kjo situatë ishte e pranishme në kryeqytet e për të mos folur më tej për rrethet e tjera më të vogla. Telefonat nuk u fikën për as edhe një moment nga nxënësit, pasi e kishin mjetin kryesor të kopjimit. Ajo që ishte akoma më e shëmtuar ishte futja e tezave të zgjidhura nga mësuesit e letërsisë në shkollat e mesme. Ishin të paktë ato raste që mësuesit ruajtës të kalasave nuk lejuan futjen e kopjeve edhe kjo u bë për arsye krejt të vogla pasi kishte raste që mësuesit kishin inate personale.
1600 ngelës në provimin e letërsisë
4.5% është raporti i ngelësve në provimin e parë të maturës shtetërore, letërsisë.
Po ta krahasojmë numrin e ngelësve vitin e shkuar që kanë qenë 2500, sivjet ata janë gati një herë më pak, 1600. agjencia Kombëtare e Pranimit në institucionet e Arsimit të Lartë, bën të ditur se, kalueshmëria në shkallë kombëtare është rreth 95%. Sipas drejtorit të APRIAL, Alfred Shalësi në të gjithë Shqipërinë janë marrë mbi 200 dhjeta, për të cilat praktikisht maturantët kanë grumbulluar 45-50 pikë në testet e provimit të letërsisë. Që maturanti të sigurojë pesën sipas rregullores, ai duhet së paku të mbledhë 10 pikë nga ky test. Megjithatë ajo që të dëshpëron më shumë është se nota dërmuese ka qenë 5 dhe 6. kjo ishte nota më e shumtë në provimin e letërsisë pa imagjino se çfarë do të bëhet me atë të matematikës pasi ai është një provim akoma më i vështirë. Ndërkohë që më shumë se 200 teste janë ende në shqyrtim për shkak të disa paqartësiv e nga ana e profesorëve që kanë bërë korrigjimet.
Qindra nxënës nuk u futën dot në provimet e Maturës
Në të gjithë Shqipërinë, qindra maturantë nuk u futën dot në provimet e maturës pasi rezultonin mbetës. Këto nxënës humbën çdo lloj të drejte konkurrimi për në universitet pasi atyre nuk ju jepet mundësia që të futen në këto provime as në vjeshtë, kjo në bazë të rregullores së re të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Rreth 270 maturantë, ose thuajse 5 për qind e maturantëve në Tiranë, u kanë thënë lamtumirë provimeve të Maturës Shtetërore, pasi rezultuan mbetës në përfundim të vitit shkollor, në të paktën një lëndë. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë, burime pranë së cilës informojnë se rreth 150 nxënës duhet të kthehen sërish vitin e ardhshëm në bankat e maturës për të përsëritur vitin shkollor, pasi rezultojnë mbetës në tri lëndë, të mjaftueshme këto për të mos marrë vitin. Po këto burime informojnë se në Tiranë do të jenë 6317 maturantë që që morën pjesë në provimet e parë të Maturës Shtetërore, u zhvillua me datë 2 qershor në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës-Shqipe, ndërsa 6385 qenë pjesëmarrës në provimin D2, në lëndën e Matematikës, i cili u zhvillua vetëm një javë më pas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›