Provo sërish, baroneshë!
Në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian, zonja Ashton është kritikuar ashpër për gafat, fundjavat që kalon me familjen në Londër dhe fikjen e celularit pas orës 8 të darkës. Megjithatë, edhe pse është vënë me shpatulla pas murit nga kritikët, ka nga ata që mendojnë se mund t’ia dalë mbanë të mbajë postin e saj
Legjenda metropolitane dëshiron që Catherine Ashton të jetë një zbulim i José Manuel Barroso. Në fakt, thuhet se ka qenë pikërisht Presidenti i Komisionit Europian, i cili ka mbetur i befasuar prej kësaj laburisteje nga Lancashire gjatë një mbrëmjeje në Londër, që ia ka propozuar qeverisë angleze në vend të të shkarkuarit nga detyra në Bruksel, Peter Mandelson. Megjithatë, sido që të kenë shkuar gjërat, diçka është e qartë: se për zonjën Ashton, 54 vjeçe, e lindur nga dy prindër të klasës punëtore me stërgjyshër minatorë, e vetmja në familje që është diplomuar (për Ekonomik) dhe prej vitit 1999 baroneshë e Upholland me dëshirë të Tony Blair, portat e karrierës europiane u mbyllën në tetor të vitit 2008.
Ashtu si mikesha e saj, Hillary Clinton, në kontinentin e vjetër, edhe për baroneshën 100 ditët e para në detyrën e re nuk kanë qenë të lehta. Ashton u fajësua për çdo gjë: që kishte pritur shumë para se të vizitonte viktimat e tërmetit të Haitit, që kishte humbur një takim të rëndësishëm me diplomatët në Palma di Majorka, që flet pak gjuhë (për këtë çështje është kritikuar në veçanti nga francezët), që e fik telefonin pas orës 8 të darkës, që i kalon fundjavat me familjen në Londër dhe që nuk ka kompetenca të mjaftueshme.
Në fillim Ashton ishte shumë e pëlqyer, por pastaj reputacioni i saj ra. Pse duhej të nxitonte për në Haiti kur dhjetëra avionë të ngarkuar me ndihma nuk mundnin të uleshin në tokë? Pse të shkonte në një mbledhje në ishujt Ibica, kur në Ukrainë Presidenti i sapozgjedhur, Victor Yanukovic, betohej për qeverinë dhe detyrën e re? E përse një grua që mban një detyrë të rëndësishme duhet të heqë dorë nga të qenit nënë? Mos vallë këtu ka ndonjë keqkuptim? Sigurisht, ndoshta meshkujt janë pak maskilistë.
Përballë kritikave që nuk janë në vendin e duhur në momentin e duhur, Ashton ka ngritur zërin duke kërkuar një aeroplan në dispozicion, pavarësisht një buxheti 300 mijë euro në vit për udhëtimet e saj, me pretendimin se me fluturimet e linjës nuk arrin në kohë aty ku dëshiron. Kërkesa e saj ndezi aq shumë debate, aq sa zëdhënësit të saj gjerman, Lutz Güllner, iu desh të ndërhynte pak ditë më parë për të shpjeguar se nuk pretendonte një “Air Force One”, por një aeroplan të vogël të gatshëm për nevojat e saj. Diçka jo krejtësisht e paarsyeshme, duke pasur parasysh se në javët e fundit ka qenë e detyruar të pranojë udhëtime në bordin e avionëve të shtetit dhe që përshkon nga 300 deri në 500 mijë kilometra në vit.
Natyrisht që Ashton ka bërë më shumë se një hap të gabuar. Nëse paraardhësi i saj, Javier Solana, njihej në Bruksel që nuk flinte, nuk hante dhe ishte gjithë kohës në udhëtim, ajo ka dhënë më shumë përshtypjen se bën jetën e një zyrtari. çdo të premte shkon në Hertfordshire: aty e presin bashkëshorti Peter Kellner, gazetari i famshëm dhe tashmë presidenti i sondazheve të shoqërisë “YouGov” dhe dy fëmijët Robert e Rebecca. Ashton-it i pëlqen shumë të jetë një grua normale. I pëlqen të gatuajë, përdor “iPod”, është e çmendur pas grupeve “Maroon 5” dhe “Snow Patrol”, bën tifozllëk për skuadrën e Liverpulit, vdes për serialin televiziv fantastikoshkencor të BBC-së “Doctor Who”. Për 50-vjetorin e lindjes bashkëshorti i dhuroi një statujë të madhe të njërit prej protagonistëve, jashtëtokësorin Dalek, që tani qëndron në një dhomë gjumi. Për fat të keq me punën që ka i duhet të heqë dorë nga jeta normale të cilën e adhuron. Gabimi tjetër i zonjës Ashton është se merr me vete pothuajse të gjithë stafin e saj. Njerëz që nuk janë mësuar me diplomatë, që e konsiderojnë baroneshën një trup të huaj në botën ku bën pjesë.
Përveç mungesës së eksperiencës, duhet thënë se Catherine Ashton gjendet përballë një pune që vetë Solana e ka cilësuar “të pamundur”. E vetme Ashton ka në dorë kompetencat që më parë i kishin tri vetë. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë të organizojë rrjetin diplomatik të Bashkimit Europian. Ashton ka prezantuar sot kërkesën e saj dhe nesër do ta diskutojë në Europarlament. Ata që e njohin mirë këshillojnë që të presim. “është një grua jashtëzakonisht e zgjuar dhe në pak orë arrin të bëhet njësh me ato që ka përpara”, thotë nënsekretari i Tregtisë së Jashtme, Adolfo Urso. “është shakaxhie, plot humor dhe shumë e hapur. Vlera e saj më e madhe është se i kap gjërat në ajër dhe nuk ka kurrë paramendim”. Cilësi që shumë njerëz ia njohin. “është e kuptueshme, besnike dhe e drejtë në marrëdhëniet mes institucioneve. Tregon ndershmëri intelektuale, por edhe përulje”.
Baronesha punon shumë, studion me shumë dëshirë dosierët dhe ka një kujtesë për t’u pasur zili: kujton aktivitetet e tanishme dhe i përmend ato një nga një, duke i përmbledhur në një rreth të përbashkët, si një negociatore e mirë. Por a do të mundet ajo të jetë zëri i vetëm i politikës së jashtme të Bashkimit Europian? “Ka eksperiencë politike dhe i mëson shumë shpejt gjërat”, thotë një nga miqtë e saj të ngushtë. “Megjithatë, shumë gjëra varen nga prirjet që ka: nuk mund të bëhet kryetarja e diplomacisë europiane në një kohë kaq të shkurtër. Nëse do të kishte më shumë eksperiencë dhe do ta bënte prej vitesh këtë punë, atëherë mund t’ia dilte mbanë”, përfundon ai.