E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso, sfidë Merkelit: Dil nga politika lokale dhe vendos për Greqinë

Deklarata Presidenti i BE-së kërkon që të vendoset për mënyrën e shpëtimit të Greqisë në mbledhjen e liderëve të organizatës, të enjten

Presidenti i Bashkimit Europian, Manuel Barroso, ka sfiduar dje Kancelaren gjermane, Merkel duke ftuar që të ngrihet mbi politikat e vendit të saj dhe më në fund të bjerë dakord në lidhje me një zgjidhje financiare për të shpëtuar Greqinë dhe eurozonën nga një krizë më e madhe.

Për një gazetë të përditshme gjermane, Barrozo ka deklaruar se liderët e Bashkimit Europian duhet që të vendosin në takimin e tyre të së enjtes, këtë javë në lidhje me mekanizmat mbështetës për të minimizuar dëmin që Greqia mund t’i krijojë gjithë Eurozonës. “Ne kemi nevojë që në këtë takim të vendosim për mënyrën e trajtimit të Greqisë në këtë situatë, përndryshe paqartësia e madhe do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Barroso. Sipas tij, nuk mund të vazhdohej më me një situatë të tillë, sepse tashmë ishte vënë në rrezik stabiliteti i monedhës së përbashkët. Po dje, një zëdhënës i Kancelares gjermane, Merkel, bëri të ditur se çështja e Greqisë nuk ishte në axhendën e takimit. Në këtë situatë, dje monedha e përbashkët ka shënuar një rënie prej 3 pikësh ndaj dollarit, ndërsa investitorët kanë frikë për ardhmërinë e euros. Ndërkaq, ka dalë edhe shifra zyrtare e deficitit buxhetor të vitit të kaluar, e cila është 12.9%, pra më e lartë nga sa kishte njoftuar deri më tani qeveria socialiste, sipas së cilës ky deficit ishte 12.7%. Banka e Greqisë ka bërë të ditur se ekonomia ka rënë në një rreth vicioz me tendencë për rënie të Prodhimit Kombëtar Bruto këtë vit me 2%. Vendet anëtare të Eurozonës vazhdojnë që të jenë të ndara për sa i përket mënyrës së ndihmës financiare që i duhet dhënë Athinës, e cila po përballet me situatën më të rëndë ekonomike që pas Luftës së Dytë Botërore.

Komentet e bëra nga Barroso duket se e vënë atë në një pozicion kundërshtie ndaj Kancelares gjermane, Merkel, e cila në vendin e saj ndodhet përballë një kundërshtie masive të gjermanëve në lidhje me dhënien e një ndihme financiare Greqisë. çdo vendim i tillë do ta rrezikonte seriozisht rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme që do të mbahen në maj. Merkel përsëriti të dielën se Greqia, e cila ka ndërmarrë ndërkohë masa shumë të ashpra për të ulur deficitin nuk kishte nevojë momentalisht për para, çka u konfirmua edhe nga vetë Kryeministri grek, Papandreu, në një telefonatë me Merkelin. “Ja përse unë këshilloj që të mos shkaktojmë trazime të panevojshme në tregun financiar, duke krijuar ide të paqena në lidhje me axhendën e takimit të së enjtes”, ka deklaruar Merkel, sipas së cilës nuk është më e nevojshme që për momentin të diskutohet për Greqinë në termat e një ndihme konkrete financiare. Sipas një sondazhi të fundit të bërë të hënën, 62% e gjermanëve janë kundër ndihmës financiare nga ana e qeverisë së tyre, ndërkohë që vetëm 20% janë në favor. Një e treta e gjermanëve janë të mendimit se Greqia duhet që të lerë Eurozonën, ndërsa 40% të tjerë mendojnë se vetë Gjermania do të kishte më shumë përfitime po të ishte jashtë Eurozonës. Ndërkohë, qeveritë e vendeve të tjera perëndimore janë thuajse të gjitha në një mendje për t’i dhënë Athinës një ndihmë konkrete financiare.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›