Provokuesi letrar mbush 85 vjet

Jeta e tij, përplot ulje e ngritje, momente magjike e mospranime, filloi më 16 tetor 1927.
Prindërit e Günter Grass kishin një dyqan në Gdansk, konsumatorët e të cilit ishin të varfër. Banesa e tyre ishte e vogël, e zona e banimit katolike.
“Një fëmijëri ndërmjet Frymës së Shenjtë dhe Hitlerit", shkruan biografi i Grassit, Michale Jürgs.
Në moshën 17-vjeçare, Grass ishte dëshmitar i mizorive të Luftës së Dytë Botërore, si një ndihmës i njësitit të antiajror, në vitin 1944, e më vonë edhe si pjesëtar i elitës Waffen SS. shumë dekada më vonë Grass zbuloi përfshirjen e tij në luftë, duke shkaktuar një skandal të madh, edh pse shqetësimi i tij kryesor gjatë luftës ishte mbijetesa.
Suksesi ndërkombëtar
Në Gjermaninë e pasluftës, Grass filloi të merrej me punë artistike. Studio skulpturë dhe grafikë, dhe interpretoi në një jazz grup. Udhëtoi mjaft. Në vitin 1956 ndaloi për shkurtazi në Paris.
Jeta e kaluar me gruan e parë ishte më tepër modeste se e famshme. Por ishte kjo periudha në të cilën filloi karriera e tij e famshme letrare. Fillimisht shkroi novelën "Daullja e Llamarintë", që u botua në vitin 1959, dhe që bëri bujë në shoqërinë e gjermane të asaj kohe. Libri shënoi edhe sukses ndërkombëtar, u përkthye në shumë gjuhë dhe u bë film. Saktësisht 40 vite më vonë, Grass fiton Çmimin Nobel në Letërsi.
Grass shkroi kryesisht prozë letrare, por edhe drama e poema. Puna e tij artistike lidhet me raportet politike dhe me trazirat shoqërore. Për shembull, me rolin e intelektualëve në Kryengritjen e Republikës Demokratike Gjermane (më 1953); me kryengritjen studentore (më 1968), me zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani; me çështjet që lidhen me të ardhmen; me politikat Lindje-Perëndim; me fundosjen e një anijeje në Detin Baltik (më 1945) në bordin e së cilës kishte refugjatë. Edhe pajtimi me Poloninë mbeti një çështje që lidhet ngushtë me zemrën e autorit, të lindur në Gdansk.
Librat e tij të mëvonshëm nuk arritën kurrë nivelin e tregimit për Oscar Matzerath, edhe ishin të suksesshëm dhe pikë-referime për artdashësit jashtë Gjermanisë. Për dikë librat e tij ishin shumë të rëndë, shumë polemikë dhe të paarrirë artistikisht.
Grass edhe sot mbetet një krijues shumëdimensional, një novelist, poet, artist grafik, skulptor, e nganjëherë edhe ilustrues librash. Por, ka tërhequr vëmendjen edhe me ndërhyrjet e tij politike. ka kohë që njihet edhe si një lloj "autoriteti moral" në Gjermani.
Që nga viti 1961 Grass ishte pjesë e Partisë Socialdemokrate gjermane (SDP), por kurrë s’ishte anëtar i saj. Ka mbështetur fushatën elektorale të Will Brandt, në vitin 1969, dhe më vonë iu bashkua partisë, për të hequr dorë nga anëtarësimi - në shenj notë proteste ndaj reformave të ligjit për azil.
Megjithatë, Grass mbeti gjithnjë i njëjtë; herë-herë "shpërthyes", një vëzhgues i përhershëm kritik e bashkëkohor, një majtist i pavarur që, me fuqinë e reputacionin, dhe me zërin e tij të fuqishëm e elokuent, bëri fushata kundër deportimit të kurdëve, kundër tregut të punës së detyruar gjatë regjimit nazist, për të drejtat e njeriut, për autorët e përndjekur, kundër luftërave, dhe pro luftërave.
Në vitin 2006 Grass i pranoi dështimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur pranoi anëtarësinë në Waffen SS -në kohën kur ishte vetëm 17-vjeç, shkaktoi një debat të hapur akuzues publik brenda e jashtë Gjermanisë.
Shkrimtari që vazhdimisht debatoi në kërkim të së drejtës së pakursyer për të kaluarën nacional-socialiste të Gjermanisë, papritmas u konsiderua hipokrit. Marrëdhëniet mes shkrimtarit të moshuar dhe publikut u ftohën. Dukej qartë se autoriteti moral i Grass më nuk ishte i nevojshëm.
Por, në prill të vitit 2012 Grass publikon lirikën "Was Ggesagt Werden Muss" (Çfarë Duhet Thënë), dhe sërish shkakton një skandal, që i kalon kufijtë e Gjermanisë. Teksti, i shtruar në formë poeme, ishte një kritikë ndaj politikës izraelite. Grass paralajmëronte një sulm bërthamor izraelit ndaj Iranit, duke i etiketuar kapacitetet e tij bërthamore dhe politikat uzurpuese si kërcënim për paqen botërore. Poema shkaktoi zemërimin izraelit, dhe autori atje u shpall person non-grata. Nisën të qarkullonin edhe akuza anti-semitiste ndaj tij.
Megjithëkëtë, Grass mbetet shembull për kolegët e rinj. Uwe Tellkamp e përshkruan si një prej "fuqive më të mëdha narrative të letërsisë gjermane", ndërsa, Moritz Rinke e cilëson si "dinosaurin më interesant shumëfytyrësh".
Kohë më parë, Grass botoi librin me poezi "Eintagsfliegen" (Mizat e majit). As kësaj radhe Grass nuk hezitoi të trajtojë tema politike, edhe pse shkrimtari 85-vjeçar mbetet i shqetësuar edhe për tema të tjera, si mosha, humbja, dhe vdekja.
Përkundër gjithë kësaj, ende mbetet i pasionuar pas jazzit. Tre vite më parë, Grass dhe miku i tij, muzikanti Günter Baby Sommet, interpretuan bashkë në skenën e Panairit të Librit në Frankfurt. Njerëzit e afërt me të e dinë se atij i pëlqen të gatuajë, se e ka dobësi verën e kuqe, dhe se refuzon ta braktis duhanin.