E Diel, 1 Nëntor 2026

Proza e Martin Camajt, ndikim në studimin ndryshe të letërsisë shqipeNga Dr. Yrjet BerishaVeprat letrare të Martin Camajt, gjatë disa dhjetëvjetësheve kanë qenë të lëna anash nga historia e kritika e letërsisë sonë, sepse ky autor, tok me disa të tje

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Proza e Martin Camajt, ndikim në studimin ndryshe të letërsisë shqipeNga Dr. Yrjet Berisha

Veprat letrare të Martin Camajt, gjatë disa dhjetëvjetësheve kanë qenë të lëna anash nga historia e kritika e letërsisë sonë, sepse ky autor, tok me disa të tjerë, ka jetuar e ka krijuar larg atdheut. Këta kanë qenë letrarë të injoruar për shkaqe jashtëletrare. Përkundër këtij fakti, krijimtaria e tyre letrare, edhe pse e shkruar dhe e botuar jashtë atdheut, ka pasur ndikim të madh e të tërthortë edhe në shkollat e mëvonshme letrare. Mendimi kritik për veprat e këtyre autorëve ka ekzistuar (natyrisht më tepër në biseda private), por nuk është shkruar a interpretuar në revista letrare e në libra të veçantë kritikë a të historisë së letërsisë. Qarqet ideologjike qëllimshëm krijuan vakuum në artin tonë.

Në mesin e shkrimtarëve të shpallur të padëshirueshëm është edhe Martin Camaj, i cili nuk u kursye nga “kujdesi” i censurës diktatoriale në Shqipëri. Shkrimtarët në atdhe mbase heshtnin me arsye, sepse në të kundërtën merrnin dënime drakonike! Këso ndëshkime merrnin njëjtë edhe ata në Prishtinë.

Historia e letërsisë, kritika letrare edhe teoria e letërsisë janë ato disiplina filologjike që drejtpërsëdrejti merren me interpretimin e krijmtarisë letrare, për të cilën gjë qysh herët kanë konkluduar se vepra letrare, sado qoftë e krijuar në kushte specifike, ajo ka lexuesit e vet. Veprat e tilla kanë jetë më të gjatë, kanë jehonë të përhershme, kanë ndikimin e vet në letërsi. Kanë gjuhën e stilin e vet specifik. Andaj, mu për këtë arsye, historianët, kritkët, teorikët dhe estetët e letërsisë, do të orientohen vetë për t’i studiuar hollësisht këto vepra. Jo pse i detyron dikush, por thesht për këtë e cyt arti i veprave të këtij autori, është provokues edhe për lexuesin heterogjen e atë të rëndomtë. Vepra e tillë është me interes edhe për disiplinat e filozofisë, sociologjisë, antroplogjisë, drejtësisë, psikologjisë, etnografisë, historinë, politikën etj. Veprat letrare të Martin Camajt s’janë të pakta, as në gjini të poezisë, as në gjini të prozës, as në gjini të dramës. S’janë të pakta as edhe si vëllim e cilësi. Veprat e këtij autori sjellin përvojën hulumtuese, mbështetur në mitet e letërsisë popullore shqiptare, por edhe në shkollat e poetikës perëndimore që ndikuan drejtpërsëdrejti në kulturën, artin, filozofinë, botëkuptimin europjan perëndimor, që autori i thithi gjatë edukimit të tij të vazhdueshëm universitar në Beograd e Romë.

Arti i Camaj mbështetet në linjat thelbësore të botës së paprekur

Veprat në prozë të Martin Camajt janë shkruar duke u bazuar në shtresa të artit, të zbërthyera në mënyrë të logjikshme, që lexuesin nuk e dëshpërojnë. Përkundrazi, do të mrekullohet gjatë leximit të tyre. Arti i këtyre veprave nuk vë në gjumë receptuesin. Këto tekste letrare janë shkruar me ndjenjën e stërhollimit e të peshimit të fjalës. Janë të shkruara me durim meditues dhe zbërthejnë dukuri e fenomene të lidhura me etnikumin tonë. Mbështetur në këto parime estetike, ky autor orientohet të japë bukur e me nuanca të shumta artistike strukturën e prozave të veta. Nisur nga këto rregullsi të shkruara e të pashkruara nga teorikët e letërsisë, Camaj artin e tektesve letrare e vë në binarë të fortë, ku nuk e lë anash, të themi figurshëm, kompleksin e trenit të kompletuar, me lokomotivë, duke ia bashkangjitur edhe shumë elemente të tjera të nevojshme, ashtu siç pohojnë kritikët e estetët e letërsisë, të cilët kështu mbrojnë tezën e gjykimit kritik në tejkalimin e temave triviale, shpesh të përsëritur në art. Arti ka qenë e do të mbetet i tillë që të mbështetet në linjat thelbësore të botës së paprekur, nga e cila edhe krijohen vepra me vlera artistike e estetike. Shkrimtari pasqyron skajshmëritë e jetës intime, situata absurde, legjenda, jetën e pështirë që është shumë afër së vërtetës e fantastikës dhe që ka elemente të fuqishme me strukturë kompozicionale si çdo vepër arti. Martin Camaj nuk u instrumentalizua, por me alegori e mjete artistike e estetike shkroi veprat e tij që do të jenë fort të lexueshme dhe s’do të kenë bagazhin e hipotekën e -izmave diktaturiale. Ky autor, deri në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, praktikisht qe shkrimtar i panjohur për qarqet letrare në Tiranë. U desh të vijë sistemi pluralist në Shqipëri dhe ky autor të botohet pjesërisht. Idetë e veprave të Camajt do të kenë ndikim në formimin e një mendimi konkret dhe me shumë rëndësi për artin tonë. Ambienti i Shqipërisë Veriore do të mbetet monument i paharruar në kujtesën e lexuesit. Malësia e Mbishkodrës, e pasqyruar nga ky autor, është e paprekur. Është e thjeshtë dhe e lashtë. Relievi i saj është karakteristik. Ambienti i tillë s’ka ilustrime të tejdukshme. Njerëzit aty janë të ashpër, natyrisht, kur duhet. Natyra e kësaj hapësire është e pashkelur. Mbizotëron gjelbërimi, shkëmbinjtë, qielli i kaltër, uji i pastër, kullotat e pashkelura etj. Proza e Camajt ka botën e veçantë të njerëzve, rrënjësisht të veçantë, ata jetojnë në një rreth të izoluar, të harruar nga shoqëria, për të mos thënë të injoruar e të poshtëruar. Jeta e thjeshtë e këtyre njerëzve është me interes për lexuesin. Thjeshtësia e të jetuarit në këtë trevë u afrohet miteve e legjendave të lashta ilire e shqiptare. Brenda kësaj hapësire paraqitet fantazia, etnosi, kultura, arti i gjeografisë tipike ilire. Bota është tronditëse dhe ka një mori fenomenesh e dukurish që s’janë prekur në artet tona të deritashme. Teksti i këtyre veprave sikur bëhet edhe më i plotë kur të kihet parasysh tematika e kësaj proze që lakuriqon edhe hijen më të vogël të grimit e të lustrimit të mërzitshëm e të trishtueshëm të atyre faktorëve që quhen personazhe e që dalin ashtu si janë: pa rrobën e lustruar të pushtetit, që jetojnë jetën e tyre në Malësi, ku s’ka ligje e pushtet, është trevë specifike, mbretëron qetësia, ajri është i pastër, burimi i ujit i kulluar, banorët kanë mendje të kthjellët, etj. Malësia e Mbishkodrës për shkrimtarët tanë prore ka qenë dhe ka mbetur Parnas i artit për shkollën letrare të Shkodrës, trasuar që nga fillimshekulli i njëzet, që historia e kritika jonë letrare e njeh si letërsi moderne, ashtu sikundër e ka definuar Prof. dr. E. Çabej. Fshehtësitë e kësaj treve janë emblematike dhe të pashkelura, të pazbuluara dhe mjaft karakteristike për Shqipërinë ilire dhe që mu për këtë arsye jo një herë qe pre e të huajve. Por, kjo trevë ka pasur edhe vende ku nuk ka shkelur kurrë askush. Nëpër ato shtigje kalojnë udhëtarët e rastit. Ecin tregtarët. Trup e tërthor marrin rrugën e pakalueshme luftëtarë e ushtarë të ndryshëm. Aty kalojnë njërëz të mirë e të këqij. Kjo hapësirë e paprekur gjeografike e mitike është objekt frymëzimi për veprat letrare të Martin Camajt. Ky vend është më se origjinal, për t’u shfaqur ndjenja e gëzimit dhe e hidhërimit. Malësorët e Camajt kanë forcë të madhe për ta kaluar e përbuzur të keqen. Ata dinë të gjejnë formulën e qëllueshme për t’i bërë ballë çfarëdo rreziku që u vjen nga jashtë. Kështu, në këto vepra autori këtë lëndë e shtron me nota dramatike e në mënyrë të qetë, varësisht nga momenti a nga gjendja psikologjike, filozofike, sociale etj., dhe kështu këto krijime marrin strukturë të pëlqyeshme fiktive.

Romani “Djella”

Romani “Djella”, i Martin Camajt vë në spikamë të metat e mjedisit të një sistemi të mykur, që nis me ton ironik: “Se të gjithë, edhe ata që sundojshin atje naltë, pa përjashtim, ishin jashtë në borë e shi, po pak njerëz e pohoshin këtë. Por do të vishin kohë edhe mâ të vështira dhe era, bora do të bâheshin edhe mâ të ftoftë.”

Nga ky fragment lexuesi do të kuptojë qëndrimin kundërshtues ndaj nomenklaturës së sistemit socialist, që autori e thotë me ton ironik e alegorik. Narratori i romanit “Djella”, hulumton format e veçanta të rrëfimit, kërkon nektarin e artit. Është këmbëngulës në gjetjen e shprehjeve tejet origjinale për të thumbuar e shqiptuar paradokset çmendurake. Ngrehina e romanit është me përmasa të shumta. Narracioni intim i shqiptuar në vetën e parë të bën për vete. Poetika e këtij romani shkrihet në shtresa të ndryshme strukturore që i përkasin arealit të fjalëve të urta dhe si të tilla edhe përhapin idenë e të shqiptuarit pa lajka, që herë pas here dinë të dalin me rrëfime parabollike a me rrotlla.

Pikërisht këtë çështje e zë ngojë edhe studiuesi e poeti Arshi Pipa, kur shkruan: “ ‘Djella’, asht nji pjesë e episodeve narrative, e përcjellë me vjersha të cilat shpërfytyrojnë narracionin përmes lirizmit.” . Ndërkaq, këtë çështje e ka interpretuar edhe shkrimtari Ernest Koliqi, ku mes tjerash shkruan: “Vargjet janë si ushtima e âmbelsueme e ngjarjeve disi të zymta qi përmbâjnë t’endëmen e tregimit.” Kur lexohet romani “Djella“, duket se ai është ndërtuar përmes një gërshetimi të qëllimshëm. Romani herë pas here i nënshtrohet strukturës narrative. Shqiptimi i tillë strukturor narrativ e lirik vë në spikamë vuajtjet e Bardhit, me profesion mësues e me vokacion poeti, që pas një hamendjeje të madhe rrëfen shlirshëm tronditjet e veta shpirtërore në një moshë gati senile.

Arti i romanit shpalon dilemën estetike, shqiptuar me diskurs të fshehtë, diskurs ironik, alegorik, surrealist etj., që si shkrim artistik është sprovë praktike e artit romanësor me prirje eksperimenti në poetikën e prozës, me fabulë parabollike të ngjeshur me shtresa mozaiqesh, por edhe me rrënjë legjendash, histori, nyje kanunore etj. Gjendja lemeritëse që e kaplon shoqërinë në atë mjedis zbulon huqet, gabimet dhe joseriozitetin e një sistemi që ka humbur rrugën në fushë, pak nga shtytja, frika, amullia, humbja e besimit në vetvete, pesimizmi, kërcënimet, komplekset e nënçmimit, mospuna, terrori i përditshëm mizor, tensioni i vazhdueshëm, burgosjet e shumta... Vështruar nga konteksti estetik, ky roman vë në sprovë lexuesin. Poetika e larmishme është dëshmi e mirë për t’u bindur lexuesi se arti mund të shkruhet në gjini dhe forma të ndryshme, ashtu siç ka shkruar edhe Xh. Xhojsi në romanin “Ulisi”. Kjo formë e të shkruarit është hap i guximshëm i autorit, që dëshmoi përpjekjet dhe hulumtimet e tij ku poetika e romanit duket se u afrohet formalistëve, por edhe pak më tepër artit eksperimentues europjan. Romani, i botuar më 1958, në letrat tona është më tepër se risi. Ai mëton t’i thyejë kornizat klasike në shkrimin e romanit tonë. Dhe për habi, autori këtë sprovë estetike e bën në dekadën e pestë të shekullit njëzet, atëherë kur letërsisë sonë i mungonte edhe romani më i rëndomtë, me poetikë të mërzitshme të metodës socrealiste ruse. Romani “Djella”, ka një kompozicion të veçantë. Rrëfimi i shqiptuar në vetën e parë vrojton shqetësimet e një intelektuali, një artisti e njeriu të thjeshtë, që gjatë të jetuarit në një ambient jostabil ndihet i humbur e i harruar, për të cilin askush nuk e çan kokën, për hallet e tij. Arti i ligjërimit prek pahetushëm problemet shoqërore, pa shkelur në shtresa monotonike të historisë.

Personazhet kanë vello fshehtësie...

Shkrimtari Martin Camaj ia arriti që personazhet e veta t’i japë me identitet të posaçëm dhe pati sukses t’i ngjallë në veprat e tij në prozë. Çështjen problematike të historisë sonë nuk e trajtoi me monotoni e me kakofoni a si të glorifikuar, përkundrazi, arti i veprave të tij shqiptoi mjetet artistike me ton alegorik, ironi, fjalë, të rrëfyerit me rrotulla, me gjykim të hollë e kritik. Arti i tij shfaqet pa emocione. Personazhet e kësaj proze, në qeliza e damarë kanë vello fshehtësie që jetojnë në një kohë e hapësirë të njohur, të panjohur. Rrëfimi e trillimi artistik shfaqet me prizmin e ireales. Herë-herë me natyrën reale që merr shtresat e artit fantastik, të absurdit, pa harruar edhe mrizin e legjendave e mitet tona të njohura nga letërsia popullore. Bazuar në mënyrën e tillë të ndërtimit të kësaj proze, lexuesi ynë e ka të pamundshme ta saktësojë kohën dhe vendndodhjen e tekstit letrar ose, siç do të thoshte Aristoteli, kohën e hapësirën e veprës letrare. Ngjarjet në roman shëtisin shlirshëm nëpër shekuj, mu sipas ëndrrave e zhgjëndrrave të personazheve, që dinë të befasojnë këndshëm receptorin. Mënyra e rrëfimit në tekstin letrar bëhet nga pozicione të ndryshme dhe, si e tillë është produkt i të menduarit dhe i materialit të punuar hollësisht nga diskursi. Konstruktimi i këtillë në disa raste duket se s’është gjithaq bindës, por kur shihet larëmia e strukturës dhe bota e psikologjia e personazheve në këtë vepër, atëherë s’kemi se si të mos konstatojmë se s’mbesin çështje individuale as veçanti të figurave të prozës së M. Camajt që përmbushin portretin kompleks të fatit njerëzor në raporte shoqërore që ishin tejet të acarueshme, në ato rrethana të krijuara nga thjerrëzat përbërëse, siç janë problemet e shumëfishta të ngritura në skeletin e ngrehinës së romanit. Këto karakteristika determinante filologjike mundësojnë, por edhe diktojnë shtytjen e mëtejshme të prosedeut romansor, që konsiderojmë se shkrimtari është prozatori më intelektual, më i formuar shkencërisht që jetoi e krijoi, i izoluar nga vendlindja, në diasporën shqiptare në Europë.

Struktura e novelës ”Pishtarët e natës”

Struktura e novelës ”Pishtarët e natës”, që nga fillimi e deri në mbarim pasqyron botën rurale me ambient tipik të Alpeve shqiptare të Veriut. Në plan të parë del jeta e një fshatari dhe familja e fisi i tij. Fabula e novelës paraqet nuancat reflektuese të dokeve të hershme që kanë pasur “jetë” në trevat tona dhe këto shtresa jepen ashtu si njihen e si nuk njihen. Në këtë prozë, me rreth nëntëdhjetë faqe, përqendrohen elementet e artit estetik e artistik, mjaft fuksional të një bote e një shoqërie, që duket sikur ka humbur fijet e lëmshit të quajtur ndryshe jetë normale e një njeriu a e një familjeje. Niveli kompozicional del i ngjyrosur dhe i patrajtuar gjithaq në letrat tona. Bazuar në këto çështje komplekse që i shtron autori, ato janë krijme artistike a vëllim i gjurmëve të vendosura nga e kaluara jonë e hershme. Ky shenjëzim modelues nis nga dukuria e urrejtjes, për të përfunduar si material i shoqërisë, i nderit, i njerëzores, etj. Urrejtja është dobësi e gjakut të fisit tonë. Ndërsa dashuria, puna, mikpritja, besa etj., shkelin në arealin e legjendave e të miteve që hyjnë në binarët e mbitekstit, siç janë mbitekstet që identifikohen si zana e dragonj, karaktere këto dalluese të qenieve mbinjerëzore, karateristikë për mitologjinë ilire - shqiptare. Proza e gjatë është shtruar me nëntekst përrallash e legjendash tona, që pahetueshëm depërtojnë në tekstin që është strukturim i shtresave rrëfyese, a një si amalgam mes visareve popullore me prozën artistike, si tekst i poetikës tradicionale, por edhe si strukturim i tekstit që është model i prozës moderne i vendosur në një sipërfaqe të diskursit vital. Autori në këtë prozë letrare, që shquhet si ngrehinë e tij verbale, kujdes të posaçëm i kushtoi korpusit kompozicional që vë në fokus dilemat, problemet, kundërshtimet fisnore, familjare etj., që dalin nëpër faqet e novelës “Pishtaret e natës”, me elemente artistike, duke i dhënë forcë tematikës me shtresa të dukshme fantastike që, si rëndom, në këtë poetikë moderne europjane arti nis nga diskursi i konsumar përmasash zmadhuese, jehona e thashethemeve, rreth pranisë së zanave ose, siç i quan Nika: Te Lumet. Kështu, trajtimi i një teme të tillë, sa misterioze aq specifike e të paprekshme më herët nga letrarët tanë, cyt lexuesin të mendojë për lashtësinë, krenarinë, njerëzoren, jetën, bëmat, artin, filozofinë, gjeografinë, historinë, gjeneologjinë e trashëguar nga të parët tanë. Tipi i novelës trajton një sërë problemesh që marrin karakter simbolik. Struktura e saj përcakton temën e

shkapërderdhshme të një njeriu fatkeq e të familjes së tij, në një kohë kur vështirë jetohej pa tokën e bukës.

Tregimi i gjatë “Gjon Gazulli”

Tregimi i gjatë “Gjon Gazulli” është prozë artistike me elemente autobiografike të Gjon Gazullit, emër i çmuar i shkencës, humanist i njohur me origjinë shqiptare, që jetoi në shekullin XV. Ai ishte i biri i një bariu nga Arbëria, i cili falë arsimimit dhe aftësisë së tij mendore bëhet njeri i shquar në Padovë.

Këtë novelë me shtresa të shumta narrative e përshkon pesha e rëndë e zhgënjimit të vuajtjes, tensioni i vazhdueshëm i polemikës me njeriun që s’ka emër, me njeriun hije, me njeriun e panjohur, pastaj shpërfaqet, bredhja a vrapi i tij i përhershëm pas gruas së panjohur që ia rrëmben zemrën në pleqëri.

Novela "Gjon Gazulli" trajton temë klasike nga shekulli XV, që pasqyron botën e jetën autentike të rendit të atëhershëm shoqëror. Proza mëton të aktualizojë katrahurën, gati të harruar të njerëzve tanë që u detyruan të iknin nga dhuna e barbarëve të Lindjes që qenë ngritur si lugetër, për t’i gllabëruar trevat e shumta shqiptare e europjane.

"Gjon Gazulli" në shumë faqe vë në spikamë probleme njerëzore, fenomene trilluese a fantastike, brengë, fatkeqësi, tragjedi, gëzim, mall, mjedise shoqërore e klasore, raportet politike, statusin intelektual, social, etj. Tërë kjo tematikë, e shumë të tjera, ia arrijnë të eksperimentojnë me artin. Arti në përgjithësi (pa përjashtuar edhe artin e Martin Camajt) mëton të kopjojë shtresat e njohura e të panjohura të jetës lakuriqe të përvojës së gjatë të një populli me etni të hershme të trashëguar përmes gjakut, gjuhës, kulturës, artit, dokeve etj.

(vijon në numrin e ardhshëm)

Shënim: Titulli dhe mestitujt janë redaksionalë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›