Një standard kriminalNga Mero BazeNjë i pandehur nga drejtësia shqiptare si përgjegjës kryesor për tragjedinë ende të pagjykuar të Gërdecit, Fatmir Mediu, po i imponohet sërish kryeministrit, Sali Berisha, si ministër i kabinetit të tij të ri, duke v
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një standard kriminalNga Mero BazeNjë i pandehur nga drejtësia shqiptare si përgjegjës kryesor për tragjedinë ende të pagjykuar të Gërdecit, Fatmir Mediu, po i imponohet sërish kryeministrit, Sali Berisha, si ministër i kabinetit të tij të ri, duke vendosur një standard skandaloz në cilësinë e formimit të kësaj qeverie. Një grup njerëzish që u identifikuan publikisht si Kryesi e Partisë Republikane, ofruan emrin e Fatmir Mediut si kandidat të vetëm për ministër nga Partia Republikane, e cila do të marrë një vend në qeveri. I “kënaqur” nga ky imponim, kryeministri, Sali Berisha, po bën rolin e njeriut të pafuqishëm për ta zmbrapsur këtë kandidaturë. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me ndonjë parti serioze, që ka struktura të zgjedhura ligjërisht, shihet qartë se vendimi për t’iu “imponuar” Sali Berishës është marrë jashtë strukturave, pasi në vendimmarrje nuk është përfshirë as themeluesi dhe kryetari i Asamblesë së kësaj partie, Sabri Godo. Kjo nuk vlen aq shumë për traditën e kësaj partie, se sa vlen për të kuptuar se sa formalisht kryeministri Berisha kërkon “të vihet para presionit” nga republikanët për emrin e Fatmir Mediut.
Precedenti i propozimit të një zyrtari që është në ndjekje penale dhe që në seancën e parë të Kuvendit, para se të emërohet ministër, duhet t’i hiqet sërish imuniteti, se është i ndjekur penalisht si përgjegjës për vrasjen e 26 qytetarëve shqiptarë, tregon për shkallën e pengmarrjes që ka kabineti i ri nga inkriminimi i mandatit të kaluar. Kryeministri Berisha është peng tek historia e përfshirjes së djalit të tij në historinë e Gërdecit dhe është i gatshëm të ristartojë qeverinë e re mbi gërmadhat dhe kufomat që shkaktoi papërgjegjësia dhe makutëria e një bande politikanësh, biznesmenësh dhe njerëzish të familjes së kryeministrit. Nëse Fatmir Mediu propozohet sërish si ministër në kabinetin Berisha, atëherë ky duhet të jetë kabineti më i inkriminuar që ka startuar ndonjëherë në historinë e formimit të ndonjë qeverie, duke bërë anëtar të kabinetit një njeri që ende s’ka nisur seancën e parë gjyqësore për vdekjen e 26 personave, për të cilën është marrë i pandehur.
Me këtë precedent, me të cilin starton kabinetin e tij Sali Berisha, çdokush nga ministrat e tjerë që do jenë pjesë e atij kabineti, do të jenë të paprekshëm, pasi ata nuk do të kenë as fatin, as mundësinë dhe nevojën të bëjnë atë skandal që bëri Berisha mandatin e kaluar duke përfshirë djalin, Mediun dhe pastaj gjithë shtetin në një skandal që prodhoi një masakër për shkak të korrupsionit. Askush prej ministrave të këtij kabineti, as nuk mund të shkarkohet, as nuk mund të qortohet, dhe as nuk mund të kritikohet, nëse vjedh, nëse uzurpon apo shkel ligjet e këtij vendi, pasi steka e skandaleve rekord të kabinetit është shumë lart. Fatmir Mediu dhe Sali Berisha e kanë çuar atë te 26 të vdekur, miliona euro dëme dhe injorim të plotë të shtetit ligjor. Këtë rekord zor se e thyen më ndonjë ministër, nëse Mediu do të jetë pjesë e këtij kabineti.
Së bashku me Mediun në kabinet do të jetë një tjetër ministër që do t’i rihapet çështja penale e abuzimeve skandaloze në rrugën Rrëshen- Kalimash. Lulzim Basha, i cili arriti përmes milionave të paligjshme dhe presionit politik të mbyllë çështjen pa u gjykuar, do të duhet të riçohet para drejtësisë dhe t’i rihapet dosja e mbyllur nën presion. Së bashku me Mediun, ai në të vërtetë është hipoteka reale politike e qeverisë së kaluar, janë identikiti i saj kryesor, ndaj dhe Berisha nuk i shmang dot nga kabineti. Njeriu që premtoi se do të ndryshonte Shqipërinë, është i pafuqishëm të ndryshojë kabinetin e vet të inkriminuar, pasi është peng i këtij inkriminimi. Nëse Lulzim Basha apo Fatmir Mediu do të ishin të përfshirë në histori korrupsioni ose skandale që nuk do të kishin të bënin me Sali Berishën apo familjen e tij, tani do t’u kishim harruar emrin, siç ia harruam Ylli Pangos. Fatmir Mediu nuk po i imponohet Sali Berishës me një tufë njerëzish të panjohur, që i quan Kryesi e Partisë Republikane, por Sali Berisha po i imponon asaj që ka mbetur nga Partia Republikane Fatmir Mediun si ministër të kabinetit të tij. Kjo është një histori e një qeverie të marrë peng nga inkriminimi i saj në mandatin e kaluar, inkriminim që tashmë po prodhon një start të ri.
Shpresa e fundit para se gjithçka të marrë fund është që presidenti i vendit të mos dekretojë ministra që kanë çështje të hapura penale, dhe të bëjë betejë për ta ndalur këtë fyerje që duan t’i bëjnë shoqërisë shqiptare duke i imponuar persona në kërkim për udhëheqës të vendit. Sado që e ka varfëruar këtë vend qeverisja e keqe, sërish ai nuk është aq i varfër dhe i pashpresë sa të mbetet në dorë të Fatmirit, Lulit, Shkëlzenit, “Qukapit” dhe një bande grabitësish, që duket se janë në ekstazë nga përsëritja e shansit për të zaptuar ç’ka mbetur.