E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet mes minoritetit, hiqen kurorat e OMONIA-s

Në sheshin “Qipro” në fshatin Aliko janë përkujtuar dje katër martirët e demokracisë: Ajdhon Rafti, Thimjo Masho, Vangjel Mitro e Thanas Koçi, të cilët janë vrarë 20 vjet më parë në kufirin me Greqinë në tentativë për t’u larguar. Pas fjalës në tribunë, pjesëmarrësit janë ftuar që të viheshin si gjithmonë në raste përkujtimesh, kurorat me lule në monumentin e martirëve të demokracisë. Po nuk ndodhi kështu. Papritur e pa kujtuar, ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, rrëmbeu mikrofonin dhe u është drejtuar pjesëmarrësve, veprim ky pa lejen e organizatorëve të mitingut përkujtimor, që ishte Omonia dhe vetë komuna e Alikos. Ministri Spiro Ksera nuk është penguar në fjalën e tij, por pas kësaj ka reaguar edhe Kostandina Bezhani, e cila ka dënuar këtë diskriminim mes figurave të minoritetit. Ajo foli para tubuesve në cilësinë e kryetarit të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve. Ajo dënoi qëndrimin e mbajtur për protokollin e ceremonisë përkujtimore. Sipas saj, martirët e Alikos u vranë për lirinë e të gjithëve. Çuditërisht, takimi përkujtimor i këtij viti është bërë ndryshe nga vitet e tjera. Kryetari i komunës Aliko, Ilia Thanasi, foli për aktin e të rinjve, më pas foli nënprefekti Gjergji Mano. Pas tij ka vijuar fjalën kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, kryetari i Omonias, Vasil Bollano dhe konsulli grek në Gjirokastër. Reagimi i Kserës për të folur në këtë takim duket se ka ardhur pas mosvendosjes së emrit të tij në listën e personave që do të flisnin në përkujtim të martirëve.
Reagimi i banorëve
Fjala e Kostandina Bezhanit dhe e ministrit Spiro Ksera gjeti mbështetjen edhe të familjarëve të të rinjve të Alikos që u vranë për demokracinë, të cilët edhe këta nuk ishin përfshirë për të përshëndetur pjesëmarrësit. Duke u përpjekur për ta kapërcyer këtë moment jo të këndshëm, u urdhërua nga organizatorët vendosja e kurorave. U vunë kurora në emër të PBDNJ e Omonias, nënprefekturës, komunës Aliko dhe në emër të degës së PS Sarandë, nga deputetja Xhuvani. Por pas vendosjes së kurorave, disa nëna dhe motra të të ekzekutuarve në kufi, të irrituara dhe duke pëshpëritur nëpër gojë me zë, shkuan përballë monumentit në qendër të fshatit dhe hoqën me forcë, duke i hedhur në mes të sheshit kryesor të fshatit, në asfalt, kurorat me shiritin e mbishkrimin PBDNJ dhe Omonia.

Sarande/ Shpresa Dine

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›