Prud-hom, kundër Besnik Hasit
Ish-portieri i famshëm i Belgjikës dhe Anderlehtit, Mishel Prud-hom, duket se ka dalë kundër idesë së afrimit të Besnik Hasit si zv/trajner te kjo skuadër. Prud-hom, aktualisht në stolin e Standartit të Liezhit, ka komentuar se Anderlehti kishte alternativa shumë të mira në qarkullim mes ish-lojtarëve, duke iu kundërvënë kështu idesë së fundit të drejtuesve të ekipit më të njohur belg. "Te Muskroni, kundërshtari im i ardhshëm, luajnë shumë ish-lojtarë të Anderlehtit. Ndoshta do t‘i bëj edhe unë një telefonatë për Van Doren, Valasiak dhe Usalah, për t‘i pasur si asistentë", u shpreh ai. Mediat belge e kanë komentuar këtë si një qëndrim kundër vendimit të Anderlehtit, por edhe si një mënyrë e ish-portierit për të shprehur pakënaqësinë e tij. Në fakt, deklarata rreth Hasit u bë vetëm një ditë para ndeshjes së Anderlehtit me Sërkëll Bryzhin, ekipin aktual të futbollistit shqiptar. Prud-hom e ka interpretuar këtë ftesë jo si një dëshirë të mirëfilltë të Anderlehtit, por si një tentativë për të bindur futbollistin shqiptar që të mos jepte maksimumin në këtë sfidë vendimtare për titullin kampion. Megjithatë, vetë Hasi vazhdon të ketë në konsideratë ftesën indirekte që ka ardhur në adresë të tij, duke konfirmuar se ëndërron në të ardhmen të fillojë karrierën e trajnerit. "Nuk kam folur ende me Anderlehtin rreth kësaj çështjeje, por ajo është shumë e bukur dhe në të ardhmen unë do të kisha shumë dëshira që të merrja rolin e asistentit në ndonjë skuadër", u shpreh mesfushori shqiptar, i cili ka edhe një vit kontratë me Sërkëll Bryzh.