E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, projekt për vlerësimin e figurave

Bashkia e Elbasanit ka harruar një projekt-rregullore që synon vlerësimin për dhënien e titujve dhe stimujve figurave të këtij qyteti. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, u shpreh dje se "të vlerësuar publikisht do të konsiderohen ata individë apo institucione, të cilat me punën dhe moralin e tyre kanë prodhuar vlera të mëdha, që i kanë vënë në mënyrë të pakushtëzuar në shërbim të qytetarëve të Elbasanit dhe më tej".
Në bazë të kësaj rregulloreje, të miratuar tashmë nga këshilli bashkiak, do të jepen dy tituj, titulli "Qytetar Nderi i Elbasanit" dhe "Mbajtësi i Vulës së Qytetit". Këta dy tituj do të jepen vetëm me miratim të këshillit bashkiak, ndërsa do të jenë edhe 8 stimuj ose medalje që do të akordohen nga kryetari i bashkisë pa u diskutuar në këtë këshill. Stimujt "Nderi i Rinisë së Elbasanit", "Gruaja e Vlerësuar e Elbasanit", medaljet "Kristoforidhi", "Dhaskal Todri", "Akademikët Elbasanas", "Normalisti", "Isuf Myzyri", "Onufri", janë tituj dhe stimuj që mund t‘i propozojnë institucionet publike, shoqatat dhe subjektet e njohura juridikisht nga gjykata vendore, grupet e këshilltarëve të bashkisë dhe kryetari i bashkisë. "Çdo vendim merret pas një dokumentimi serioz zyrtar dhe sipas modaliteteve të miratuara nga komisioni i vlerësimit të figurave", tha kryebashkiaku.

Rregullorja parashikon që shpenzimet në rast vdekjeje të atyre personave që kanë marrë titullin "Qytetar Nderi i Elbasanit" apo "Mbajtësi i Vulës së Elbasanit" të përballohen nga bashkia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›