E Diel, 1 Nëntor 2026

Komedia e zezë e një shkrimtari disident

"Audienca", një nga veprat më të njohura të Vaclav Havel do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Fatos Berishës. Shfaqja është produksion i teatrit "Dodona" të Prishtinës ku është ngjitur për herë të parë në vitin 1997. Në qendër të kësaj vepre është një shkrimtar disident, i cili është i detyruar të punojë në një birrari, në mënyrë që të kontribuojë për shoqërinë sesa të bëjë jetën e një intelektuali borgjez. Mjeshtri i birrarisë, Sladeku, e thërret Vanjeku për një bisedë miqësore apo mundësisht për ta marrë në pyetje, por duket se mjeshtri kërkon diçka prej tij, edhe pse nuk është e qartë se çfarë është ajo. Në shfaqje, Vanjek ngre arka birrash në këtë fabrikë derisa mjeshtri i ofron një punë më të lehtë zyre nëse ai do të kryejë shërbimin e lehtë për të spiunuar veten. Propozimi paradoksal është tronditës apo ndryshe havelian.

Regjisori Fatos Berisha ka marrë komente pozitive për vëniet që kjo shfaqje ka pasur në skenën e Prishtinës. Vanessa Redgrave shkruan se "kjo është një shfaqje e shkëlqyer. Këta janë aktorë të mrekullueshëm. Standardi i kësaj shfaqjeje është aq i lartë. E di se Peter Brook do të dëshironte t‘i shihte!".

Në role interpretojnë aktorët Shkumbin Istrefi dhe Armond Morina. Kjo është shfaqja e parë e Havel interpretuar në gjuhën shqipe dhe kjo ka ndodhur në një atmosferë represioni, frike. "Ku ‘intelektuali‘ duhet të bëjë një zgjedhje tepër të vështirë, të rebelohet apo të komprometohet. Të ikë përmes dritares së hapur birrarisë-burg apo të qëndrojë brenda i shtypur".

Për regjisorin Berisha, fabula e kësaj pjese është aktuale në çdo kohë. Gjuha e Havel depërton brenda çdo shoqërie dhe pse personazhet e tij duket sikur i përkasin një kohe të shkuar. Muzika e kësaj vepre është realizuar nga Ilir Bajri, ndërsa skenografia nga Ilir Murseli.

Vaclav Havel është një nga figurat më të spikatura intelektuale në Evropën Lindore. Roli i Havelit si një figurë publike e ka errësuar disi pozicionin e tij si dramaturg dhe eseist politik. Vënia e kësaj vepre në skenën e Teatrit Kombëtar gati 12 vjet pas premierës së parë në Prishtinë është në kuadër të bashkëpunimit që dy teatrot kanë me njëri-tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›