E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, një kënd për historinë në port

Porti Detar i Durrësit ka vendosur të krijojë një qendër historike brenda ambienteve të tij. Për të realizuar këtë qëllim është akorduar nga Autoriteti Portual një fond i veçantë për rikonstruksionin e godinës së Kinoklubit. Kjo godinë më pas do të kthehet në qendrën historike të Portit të Durrësit. Burimet nga APD bënë të ditur se qendra do t‘u shërbejë qytetarëve të Durrësit, turistëve dhe vizitorëve të huaj, si delegacioneve që vijnë për të vizituar portin, duke shtuar në axhendën e guidës turistike dhe vizitën në këtë qendër. Historiku i portit detar përbën një nga pjesët më të rëndësishme të historisë së qytetit. Për krijimin e kësaj qendre historike është menduar të angazhohen ish-punonjësit e portit, si dhe specialistët e gazetarisë dhe arkivave për të siguruar një informacion sa më të plotë historik mbi portin më të madh në vend. Krijimi i historikut të portit do të kalojë në dy faza. Sipas burimeve, në fazën e parë, e cila do të zgjasë tre muaj, dy grupe pune do të punojnë për grumbullimin e materialit historik, si dokumente, fotografi dhe intervista. Ndërkaq, në fazën e dytë, e cila do të ketë të njëjtën kohëzgjatje, do të bëhet përpunimi përfundimtar i të dhënave. Ndërkohë, paralelisht do të rikonstruktohet godina. Burimet thanë se duke u nisur nga nevoja e krijimit të historikut të portit, lindi nevoja e përdorimit të një fondi të veçantë, me anë të cilit do të shpërblehen ata që do të punojnë për historikun, po nuk u bë e ditur se cilët janë përfshirë në këto grupe pune. Për ta, Këshilli Drejtues i Autoritetit Portual Durrës miratoi fondin prej 735,000 lekësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›