E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ishulli" i Ben Blushit

"Të jetosh në ishull" quhet romani i sapohedhur në treg nga shtëpia botuese "Toena" i politikanit Ben Blushi. Pinjolli i një familjeje të njohur në letrat shqipe, duket se Blushin nuk e kanë penguar stinët e ftohta të politikës të ushqejë atë çfarë ka qenë ndoshta gjithmonë brenda tij, letërsinë. Në informacionin e ardhur nga shtëpia botuese, ky roman quhet befasues. Sipas informacionit shpërndarë nga shtëpia botuese "Tema e këtij romani është marrë nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë". Fabula shtrihet në gati katër shekuj, duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohura, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga librat e shenjtë.

Një Skënderbe ndryshe nga ç‘e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve. Por, linja më dominuese në roman që do të ngjallë, padyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të pas pushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII? Në roman Blushi përpiqet të tregojë se si shoqëria shqiptare e përsosi instrumentin e bashkëjetesës fetare për t‘i mbijetuar asimilimit dhe rrebesheve të kohës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›