Prurjet, rritet niveli i ujit në liqenin e Fierzës
• Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në Fierzë. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, niveli i ujit në liqen ka pësuar rritje.Aktualisht niveli i ujit në liqen është 282.46 metra dhe rritja ditore e nivelit të ujit është 51 cm. E njëjta situatë pozitive paraqitet edhe në dy hidrocentralet e tjerë që janë të ndërtuar në liqenin e Fierzës. Në një situatë të tillë, KESH ka rritur prodhimin vendas të energjisë, i cili është 10.4 milionë kwh. Me këtë sasi prodhimi pjesa më e madhe e kërkesës për energji plotësohet nga prodhimi vendas. Sipas të dhënave nga Korporata, konsumi ditor i energjisë është 18.8 milionë kwh. Konsumi i energjisë ka pësuar rritje në krahasim me pak ditë më parë dhe kjo si rezultat i uljes së temperaturave në vend. Liqeni i Fierzës ka një kapacitet ujëmbajtës prej 3.2 miliardë metër kub ujë në nivelin e tij maksimal, që është në 296 metra mbi nivelin e detit. E ashtuquajtura “pika e vdekjes” është në nivelin 243 metra (mbi nivelin e detit) me një kapacitet ujëmbajtës prej rreth 1.2 miliardë metër kub ujë, që është i pashfrytëzueshëm nga turbinat e hidrocentralit. Që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, KESH ka hequr kufizimet e energjisë. Një vendim i tillë u mor pas përmirësimit të situatës hidrike në vend. Ndërkohë pak ditë më parë, KESH hapi tenderin për blerjen e energjisë për periudhën nga 1 prilli deri më 30 qershor. Në këtë tender Korporata kërkoi të blejë energji me një fond limit prej 51.4 milionë euro. Në procesin e çeljes së ofertave u paraqitën tetë kompani ATEL, Zvicër; RE (Ratia Energy), Çeki; RUDNAP, Serbi; GSA, Shqipëri; EGL, Zvicër; GEN-i, Serbi; EFT, Zvicër dhe Espada, Çeki. Sipas burimeve nga KESH, ofertat do të shqyrtohen nga komisioni dhe brenda fundit të muajit do të shpallen shoqëritë fituese. Sipas ofertave, kompanitë kanë ofruar më shumë energji se ç’ka kërkuar korporata. KESH ka kërkuar të blejë energji me një çmim mesatar, i cili të variojë nga 68.71 euro/MWh e deri më 74.62 euro/MWh. Fierza 282.46 metra niveli i Fierzës 351 metër kub në sekondë prurjet e ujit 51 cm rritja ditore e nivelit 171.95 metra niveli i Komanit298 metër kub në sekondë prurjet e ujit 74.19 metra niveli i Vaut të Dejës 10.4 milionë kwh prodhimi8.4 milionë kwh importi 18.8 milionë kwh konsumi