BSH: Rriten të ardhurat nga shoqëritë e sigurimit
• Viti 2007 ka qenë goxha i mbarë për shoqëritë e sigurimit. Gjatë këtij viti të ardhurat e këtij sektori janë rritur me 12 për qind më shumë se një vit më parë.Një gjë e tillë është konstatuar edhe në publikimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, gjatë vitit 2007 aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pesha e sektorit financiar jobankar mbetet e ulët, duke kufizuar kontributin e këtij sektori në zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë sistemit financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar në fund të vitit 2007, vlerësohet të jetë pranë nivelit 78.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pesha e sektorit bankar në të llogaritet në 76 për qind, nga 69.4 për qind që ishte një vit më parë. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në muajin shtator 2007 vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, segment i cili mbizotëron në sektorin financiar jobankar ishte rritur me 12 për qind, në nivelin 12.98 miliardë lekë. “Me këtë rritje vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, të licencuara në vendin tonë, ka përfaqësuar rreth 1.3 për qind të PBB-së”, citohet në publikimin e BSH-së. Kundrejt totalit të aktiveve të sektorit bankar, pesha e totalit të aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit ishte vetëm 1.9 për qind në të njëjtën periudhë, duke mos pasur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2006. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2007 treguesit e veprimtarisë së këtij segmenti të rëndësishëm të sektorit financiar jobankar, duke përfshirë përfitueshmërinë, aftësinë siguruese dhe kapitalizimin, kanë qenë pozitive dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ. Ndërkohë për sa i përket sektorit bankar gjatë vitit 2007, ky sektor ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë. Gjatë këtij viti është vënë re se cilësia e kreditimit, ndonëse është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg, ka ndryshuar pak në krahasim me fundin e muajit qershor 2007 dhe konsiderohet e mirë. Kredia në valutë vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Afati mesatar i maturimit të kredisë është zgjatur. Viti 2008në këtë vit buxheti qeveritar ka përmasa të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, për shkak të nevojës për të financuar disa investime të rëndësishme për ekonominë e vendit, deficiti buxhetor parashikohet të rritet. Këto dy zhvillime do të rrisin presionet inflacioniste në ekonomi. Rreziqet Banka e Shqipërisë vlerëson që situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, shton rrezikun për sistemin financiar shqiptar. Për këtë arsye është e nevojshme që këto zhvillime të ndiqen dhe të analizohen me kujdes nga institucionet financiare dhe autoritetet rregullative të vendit.Inflacioni Në muajt shtator dhe tetor të vitit 2007, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit ishte 4.4 për qind dhe 4.2 për qind, përtej kufirit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 për qind. Për të shmangur qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, BSH-ja rriti normën e interesit.