Pse FBI ma ekzekutoi djalin tim? (FOTO)
Babai i Ibragim Todashev, që u vra nga një agjent i FBI një javë më parë, ndërsa ishte duke u pyetur se cilat ishin lidhjet e tij me dy personat e akuzuar për bombat në Boston, tregoi disa foto të trupit të djalit të tij.
Abdul- Baki Todashev bëri thirrje për një hetim dhe për veprim ligjor kundër agjentit që qëlloi mbi të birin.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë, ai tregoi trupin e të birit me shtatë plagë armësh në trup, përfshi një pas kokës.
Thirrjet e tij të zemëruara vijnë pas një raportimi që pretendon se çeçeni 27- vjeçar ishte i paarmatosur kur u përplas me agjentin federal në Florida më 22 maj.
Më përpara ishte pretenduar se 27- vjeçari kishte sulmuar agjentin me një thikë, ndërkohë që e merrnin në pyetje në shtëpinë e tij.
Por e përditshmja Washington Post shkruan se ai nuk ka pasur armë me vete.
Megjithatë mendohet se ai u bë i dhunshëm gjatë marrjes në pyetje.
Unë kërkoj drejtësi. Këta nuk janë agjentë të FBI. Këta janë banditë dhe duhet të përballen me drejtësinë, tha babai i viktimës.
Ai thotë se arriti të gjejë 16 foto të trupit të djalit të tij nga një mik në SHBA.
Duke treguar plagën pas koke, babai i viktimës tha: Kështu qëllohet kur do të ekzekutosh dikë.
Pse nuk i kanë vendosur pranga? Ose të paktën ta qëllonin në këmbë ose shpatull. Ky është ekzekutim.
Sipas tij, djali i tij kishte informacione, të cilat nuk duhet të bëheshin publike.
Dyshohet se Ibragim Todashev ka lidhje me atentatorët e Bostonit dhe më konkretisht me Tamerlan Tsarnaev.
Ata kanë lidhje me një vrasje që ka ndodhur më 11 shtator 2011, dhjetë vjet pas ngjarjeve të 11 shtatorit.
Tre persona janë gjetur të vrarë në një apartament dhe dyshohet se Todashev dhe Tsarnaev e kanë kryer vrasjen pasi është prishur një pazar droge. Ata ua prenë fytin viktimave të tyre.
Nëna e Tsarnaev, Zubeidat thotë se djali i saj kishte njohje me Todashev.
Todashev u arrestua më 4 maj pasi sulmoi barbarisht një person në një parking të një qendre tregtare. Ata u zunë për një vend parkimi./ep





