E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyka: “Tani pres golin tim të parë në Gjermani”



“Ishte vërtetë një kënaqësi, më kishte munguar për disa javë fusha. Bëra minuta të mira, edhe pse Mainci im pësoi humbjen e parë sezonale 2-0 me Alemanian Ahhen”. Një humbje që erdhi pas pesë fitoresh e dy barazimesh. Trajneri Jorg Anderson e hodhi Jahmir Hykën në minutën e 59-të, kur rezultati ishte 2-0, por fantazisti i Maincit në Bundesliga 2 e Kombëtares shqiptare i shijoi plotësisht minutat e aktivizimit. “Them se luajta mirë, e vlerësimi edhe nga stafi teknik ishte i kënaqshëm. ”, - thotë autori i golit më të shpejtë ndërkombëtar me Shqipërinë.
“Tani ndihem mirë fizikisht, nuk kam më problem ambientim dhe shpresoj se do të luajë më shumë. Sigurisht që pres dhe golin tim të parë në Gjermani”, - shton Hyka, i cili u rikthye në Gjermani pas barazimit historik me Portugalinë. “Te Mainci kishin mbetur të befasuar, madje edhe shokët e mi të ekipit më përgëzuan”, - theksoi ish-lojtari i Tiranës. “Jam në një ambient të mirë e grup të mirë lojtarësh, por më shumë ri me Chadli Amri (algjerian) e Mario Vrançiç. Shkojmë për kafe, por dhe ndeshje të Bundesligës 1 e të rivalëve kemi parë përmes televizionit”. Në Bundesliga 1 luajnë edhe tre lojtarë të tjerë të Kombëtares shqiptare, Skela (Energi Kotbus), Lala (Hanover 96) e Kapllani (Karlsruhe).
“Kam folur shpesh në telefon e i kam ndjekur disa ndeshje të tyre, si të plota ashtu dhe në rubrikat sportive”, - përfundon Jahmiri.

Klasikja e Francës
PSG-së ende i djeg goli inatçor i Lorik Canës

Lorik Canës i duhet ta harrojë sa më shpejt humbjen e tretë radhazi në Ligën e Kampioneve, atë kundër holandezëve të PSV Eindhovenit (2-0). Kapiteni i Marsejës e pret një ndeshje me aromë speciale për të si futbollist. Skuadra marsejeze do të luajë këtë fundjavë pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, Paris Sën Zhermenit, atje ku dhe Cana “zbuloi” botën e futbollit profesionist, e ku për gati dy vjet bashkëluajti edhe me një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, brazilianin Rondaldinjo. Mediat franceze kanë nisur punën për të nxitur atmosferën e klasikes transalpine. Kapitenin shqiptar e lidh një kujtim i bukur në derbin kundër PSG-së, pasi vetëm një muaj e gjysmë pasi ishte transferuar nga klubi parisien te Marseja, i shënoi një gol të jashtëzakonshëm me kokë kryeqytetasve, në fitoren 1-0, më 16 tetor 2005. Imazhet fotografike të shpërthimit të Canës pas golit bënë xhiron e Francës, e irrituan jo pak ultrasit e Paris Sën Zhermenit. “Kurrë nuk duhej t’a lejonim që ai (Cana) të ikte te armiku i përjetshëm. Ishte një gol ‘rageur’ (inatçor)”, - shkruhet ende në një nga forumet e tyre, allpsg.fr. 56 mijë shikuesit në “Velodrome” ende e kujtojnë atë gol, që shënoi edhe fundin e 8 fitoreve rresht e një barazimit të PSG-së kundër Marsejës. “Luftëtari” (nofka e Canës në Francë) e di detyrën e tij, për më tepër që tani e ndan nga Lioni kryesues vetëm një pikë.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›