“Kinemaja e së drejtës” projekton filmat në Bylis
Petrika GROSI
Edicioni i dytë i festivalit të filmit do të zhvillohet në datat 24-26 tetor, në teatrin “Bylis” të Fierit. Pikërisht sot, starton ky festival i ri në moshë, i cili do të zgjasë tri ditë dhe do të sjellë falas për publikun filma artistikë me metrazh të shkurtër e të gjatë, por edhe dokumentarë që trajtojnë problemet e mjedisit, ndryshimeve të rëndësishme në mjedisin global, problemet sociale, emigracionin dhe trafikun e qenieve njerëzore.
Disa nga filmat që përmban programi i festivalit, i shpallur nga organizatorët janë: “E vërteta e pëpërsëritshme”, dokumentar që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Filma të shkurtër për mjedisin”, nga autori Xhemal Mato, dokumentari italian “Agua mi Sangre”, dokumentari i regjisorit shqiptar Namik Ajazi, “Dasma tjetër”, filmi nga Kosova “Rekrutimi”, i regjsiorit Ismet Siarina, “Ëndrra tjetër amerikane”, film që vjen nga Meksika, etj. Një film me interes do të jetë “Pengu”, film artistik që vjen nga Greqia, subjekti i të cilit bën fjalë mbi historinë e vërtetë tragjike të të riut shqiptar, që rrëmben autobuzin në Athinë dhe ekzekutohet nga forcat speciale pranë traut të doganës shqiptare. Interpreton edhe aktori Ndriçim Xhepa. Gjithashtu, në festival do të shfaqet dhe filmi më i fundit i regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, “Gjoleka, djali i Abazit”, i cili në premierat e tij në Tiranë, si edhe në rrethe është pritur mjaft mirë nga publiku dhe kritika. Festivali mendohet në anën tjetër, që të sjellë disa biseda e debate televizive tepër interesante mbi tema të prekshme sociale si problemet me fëmijët, abuzimi me ta dhe edukimi i tyre, dhuna në familje, prostitucioni, etj.
Festivali operistik hyn në edicionin IX
16 artistë në garë për “Marie Krajën”
Për të nëntin vit me radhë starton në metropolin shqiptar Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”. Tradita e krijuar nga producentja Zana Çela rikthehet në skenën e Akademisë së Arteve duke mbledhur 16 konkurentë nga të gjitha vendet e botës, për të garuar për çmimin që mban emrin e artistës së madhe të muzikës lirike shqiptare Marie Kraja. Edicioni IX i Festivalit Vokal Operistik Ndërkombëtar tashmë është pranë startit dhe pothuaj gjithçka është gati. Ashtu siç është bërë traditë, festivali i madh, i vetmi në llojin e tij, do të zhvillohet në Tiranë për dy netë me radhë, në datat 25 dhe 26 tetor. Në këtë edicion, festivali do të ruajë pothuajse të njëjtën natyrë dhe strukturë si edhe në edicionet e tjera të tij. Mbrëmja e 25 tetorit do të shënojë hapjen e Edicionit IX- të festivalit. Në këtë edicion ndër 16 konkurentët e tij, pjesëmarrësit shqiptarë do të jenë 7 artistë të rinj. Për herë të parë këtë vit, edhe shteti i Kosovës do të ketë përfaqësuesin e tij, tenorin Ramë Lahaj. “Zakonisht në festivalin “Marie Kraja” kanë konkuruar jo më shumë se pesë këngëtarë operistik shqiptarë”, thotë producentja Çela. “Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe sivjet numri i tyre është rritur pasi edhe numri i artistëve që u regjistruan për tu përfshirë në festival ka qenë i madh, 78. “Marie Kraja” është i vetmi në llojin e tij dhe duke pasur parasysh jetën e varfër artistike shqiptare në këtë fushë, por edhe përgatitjen e lartë profesionale të këtyre konkurentëve menduam që këtë vit të pranohen më shumë. Ky eventimet është një mundësi më tepër për këta artistë të rinj”. Të shumta kanë qenë kërkesat për tu pranuar si konkurentë të këtij festivali edhe nga artistët e huaj. Artistë të njohur, apo të rinj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kuba, Korea, Gjerogjia, Italia e Turqia janë përzgjedhur për tu përfshirë në këtë edicion nga juria e përbërë nga producentja Zana Çela dhe pedagogët e Akademisë së Arteve: Burhan Spahiu, Zana Frashëri, Shqipe Mingomataj dhe Xhavana Doko. Prezantuesja e festivalit do të jetë vetë producentja, Zana Çela. Në edicionin e sivjetëm konkuruesit do të prezantohen me dy arie.
24 Tetor 2008