Ndregjoni: Memoriali, mesazh për politikën e shurdhët shqiptare
Ish të përndjekurit shprehen se memoriali përkujtimor ndaj dy ish punonjësve të ambasadës Amerikane të vrarë nga diktatura, është një mesazh për politikën shqiptare të këtyre 20 viteve. Përfaqësuesi i ish të përndjekurve politikë, i ftuar në ceremoninë e nderimit të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit në ambasadë, shprehet se qeveritë dhe politikanët kanë harruar të përkujtojnë krimet e komunizmit gjatë këtyre viteve. Sipas tij, ambasada e SHBA-ve, me këtë nderim, i kujton politikës shqiptare se demokracia ndërtohet vetëm duke përkujtuar, nderuar dhe vendosur drejtësinë mbi të kaluarën kriminale komuniste të Shqipërisë. "Nuk ishte vetëm përkujtim i dy shqiptarëve që i vrau diktatura por edhe një mesazh për politikën dhe shoqërinë, që ju nuk mund të ndërtoni demokracinë me harresë, duke harruar krimet në Shqipëri. Mesazhi ishte që ju duhet të përkujtoni qëndresën ndaj regjimit komunist", tha Ndregjoni për gazetën. Ai tha më tej se ishte një vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit që të vendosej ky memorial pasi ka 20 vjet që shteti shqiptar hesht ndaj krimeve të komunizmit. "Politika hesht ndaj krimeve. Ka 20 vjet që politika dhe qeveritë kanë shkatërruar vendet ku janë bërë ekzekutime masive. Mendoj se mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte "jo heshtje ndaj krimit por nderim dhe vënie në vend në drejtësisë", shtoi Ndregjoni. Sipas tij, kjo ishte edhe simbolika e ftesës së ministrit të Drejtësisë në këtë eveniment, për të kujtuar se duhet të vendoset drejtësia për të kaluarën. Sipas përfaqësuesit të ish të përndjekurve politikë, SHBA-të do të vijojnë të mbështesin kërkesat e tyre për vendosjen e drejtësisë ndaj të kaluarës si dhe të nderimit të viktimave të ish regjimit kriminal komunist në Shqipëri. "Ju falënderoj dhe ju dhe nëpërmjet jush Departamentin Amerikan të Shtetit për këtë mesazh të madh, për këtë memorial pasi ka një mesazh moral, politik e kombëtar që politika të mos kujtojë se mund të ndërtojë demokracinë duke harruar krimet e komunizmit. Ky ishte mesazhi im dhënë për ambasadorin Uidhers", tha më tej Ndregjoni.