Kryeparlamentarja: Hyni në garë në politikë dhe konkurroni për të qenë të suksesshme
Topalli nga Gjirokastra, thirrje grave për kryerjen e mamografisë
Në turin “Gratë për Gratë”, kryetarja e Kuvendit ka vizituar spitalin e Gjirokastrës ku ka përcjellë mesazhe për promovim të gruas në vendimmarrje, për kujdes shëndetësor të nënës dhe fëmijës, si edhe për luftën kundër dhunës në familje
Gratë gjirokastrite i rezervuan një pritje sa të ngrohtë dhe madhështore Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila bëri pjesë të turit të saj “Gratë për Gratë “ qytetin historik të Gjirokastrës. Takimi, me të gjitha ngjyrat e një ngjarjeje të veçantë, në Odeonin e Qendrës Historike të Qytetit, me prezencën e grave të profesioneve të ndryshme edhe të përfaqësuesve nga komunitete minoritare që jetojnë në këtë zonë, u fokusua në shkëmbimin e mesazheve për promovim të gruas në vendimmarrje, për kujdes shëndetësor të nënës dhe fëmijës si edhe luftën kundër dhunës në familje. “Jam shumë e lumtur që jam sot në Gjirokastër, në qytetin e jashtëzakonshëm me traditë kulturore e unike në të gjithë vendin, në qytetin e gjuhëtarit, Eqerem Cabej, shkrimtarit të madh Ismail Kadare e intelektuales Mysine Kokolari, në qytetin e një plejade të shquar intelektuale dhe që gjej një prani kaq të madhe e të mrekullueshme zonjash fisnike që i janë përgjigjur ftesës për tu bashkuar në fushatën tonë promovuese të vlerave e kujdesit ndaj gruas”- u shpreh zonja Jozefina Topalli në fillim të fjalës së saj. Në përshëndetjet e saj kirurgia Anila Manga tha se” ne, mjeket në kontakt të përditshëm me këto probleme kemi ndjerë si defiçit në rezultatet e punës sonë, mungesën e kulturës së duhur shëndetësore, ndonjëherë edhe padijen e gjinisë sonë për të parandaluar me anë të ekzaminimeve, sëmundjet kancerogjene, ndaj ju mbështesim më shumë se askush tjetër në fushatën tuaj sensibilueze që po krijon një kulturë të re shëndetësore ndër gratë.” Duke i uruar mirëseardhjen, përfaqësuesja e komunitetit minoritar grek në Gjirokastër, Mariana Koxhioni, tha se “nw jemi një komunitet që jeton në miqësi të plotë, në dashuri e mirëkuptim. Unë jam një mësuese në shkollën publike, ku fëmijët e minoritetit grek të Gjirokastrës mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Unë jam e lumtur që u mësoj atyre në gjuhën e tyre greke dhe u mëkoj dashuri për vendlindjen e tyre, Shqipërinë”. Në përshëndetjen e saj Lavdie Hadëri, e zgjedhur lokale tha se ”Në këtë epokë të zhvillimesh e promovimesh të zonjave, në këtë epokë ku zonja si Angela Merkel. Hillari Klinton sfidojnë me sukses, ne ndjehemi krenare të kemi modelin tonë të gruas në lidership, ne ndjehemi mirë të themi se edhe ne kemi, Jozefinën tonë.”
“Unë shpresoj që ky takim i yni sot të shërbejë si një start i mirë, për të gjitha zonjat, si për koleget e mia në Universitetin “Eqerem Cabej” ashtu edhe për mjeket, ekonomistet, arsimtaret e inxhinieret” për të pranuar me dinjitet sfidën e garës, për t’ju përgjigjur ftesës suaj për tu angazhuar në politikë, e pse jo për të fituar, ne së bashku mund t’ia dalim mbanë”, tha në përshëndetjen e saj pedagogia Etleva Hysaj. “Unë jam optimiste kur shkoj qytet më qytet dhe shikoj prani të madhe të zonjave dhe vajzave, lidere dhe të suksesshme në profesionet e tyre, në jetë dhe në familje. Dhe si politikane kam detyrë për t’ju bërë ftesë juve, dhe të gjitha grave kudo që janë, të bëheni pjesë e vendimmarrjes së madhe, theksoi në takimin me gratë gjirokastrite. Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në mesazhin e saj tha: “të dashura, zonja, gra, motra e vajza të Gjirokastrës. Është takimi im i parë me një pjesëmarrje kaq të gjerë të grave të Gjirokastrës dhe ju jam shumë mirënjohëse që takohemi bashkë këtu sot. Unë jam e bindur se secila prej jush ndjehet shumë krenare për këtë qytet të mrekullueshëm, krenare për gjeniun e letrave Ismail Kadarenë, krenare për gjuhëtarin e madh Eqerem Çabej, për intelektualen Musine Kokalari, për këtë qytet me traditë kulturore unikale. Duke përshkruar me këmbë rrugët e qytetit tuaj, vura re me kënaqësi se kudo shfaqen shenjat e ringritjes, ringjalljes, e jetës dhe kulturës shumë shekullore. Në fakt si qytetare dhe si politikane mendoj se të gjithë ndjehemi krenarë, por njëherësh kemi detyrim për një qytet si Gjirokastra. Nuk do të mjaftonte vetëm përfshirja e qytetit në fondin e trashëgimisë kulturore të UNESKO-s, që është një meritë e juaja, por është dhe një detyrim i yni, t’i kthejmë këtij qyteti madhështinë që i takon”. Më tej kryeparlamentarja shtoi se “ndjehem shumë mirë që kanë ardhur fonde të reja për investime, për të ringjallur qendrën historike të qytetit, traditën dëshmi, i civilizimi juaj të lashtë. Por më lejoni t’ju them se sot këtu kam ardhur edhe për t’ju përcjellë një mesazh të veçantë: Muaji tetor është shpallur si muaji ndërkombëtar i fushatës kundër tumorit, ndërkohë që sensibilizimi ynë është dhe për luftën kundër dhunës në familje. Unë nuk besoj se mund të përcaktohet një muaj për të pasur sensibilizim dhe fushatë për dy fenomene, që janë probleme shumë të mëdha për secilën prej nesh, për secilën prej nënave tona, motrave dhe vajzave shqiptare. Ishte diçka e jashtëzakonshme, kur Gruaja e Parë në SHBA, zonja Laura Bush, pak ditë më parë kishte lyer Shtëpinë e Bardhë me ngjyrë rozë, në simbolikë të luftës kundër tumoreve. Dhe kjo sëmundje nuk ka përcaktim gjeografik. Shqipëria dhe gratë tona nuk i shpëtojnë dot riskut të kësaj sëmundjeje. Nëse ne do të dimë të kalojmë caqet e një mentaliteti, që na ka lënë mbrapa, në qoftë se ne do të bëjmë kujdes për shëndetin tonë, të marrim masa parandaluese, ne do të arrijmë të parandalojmë tumoret si të gjirit ashtu dhe të qafës së mitrës”. Sipas zonjës Topalli nuk ka arsye të kemi ndrojtje për të folur për këto sëmundje, sepse është hapi i parë për t’i dalë përpara, rreziqeve që paraqesin ato për shëndetin e gruas dhe nënës. “Por unë jam sot këtu për t’ju përcjellë dhe mesazhin tim kundër dhunës ndaj grave. Nuk ka gjë më të dhimbshme, kur ne dëgjojmë që thuhet me zë të ulët se sa dhunë ushtrohet mbi gruan, dhunë që nis me britma, por që për fat të keq mbyllet me heshtje, sepse ne mendojmë se kjo është një çështje private dhe nuk thellohemi për të gjykuar që kjo është një çështje publike, për të cilën duhet folur haptazi. Ne s’duhet të na vijë turp për të folur për problemet e shoqërisë sonë Dhuna familjare nuk ndodh vetëm në qytetet tona, por ndodh në Paris, Nju Jork, Berlin dhe një ndër shkaqet, me të cilat fillon, është pabarazia gjinore. Kjo është e padrejtë, është antidemokratike e papranueshme. Ndaj edhe unë shfrytëzoj këtë rast t’ju bëj thirrje: Përpiquni të sensibilizoni me zërin tuaj, të ushtroni ndikimin tuaj, te të gjithë zonjat, të njohurat, fëmijët dhe nxënësit, që dhuna në familje nuk mund të ndalohet me heshtje, nuk mund të mbyllet brenda mureve të shtëpisë. Për këtë duhet folur, duhet reaguar, duhet luftuar. Unë jam optimiste kur shkoj qytet më qytet dhe shikoj prani të madhe të zonjave dhe vajzave, lidere dhe të suksesshme në profesionet e tyre, në jetë dhe në familje. Dhe si politikane kam detyrë për t’ju bërë ftesë juve, dhe të gjitha grave kudo që janë, të bëheni pjesë e vendimmarrjes së madhe” – tha zonja Topalli. Sipas kryeparlamentares deri tani kur flitej për gratë, vendimet për to i merrnin të tjerët. “Mendoj se ka ardhur koha që në vendimmarrjen e madhe, aktore të jenë vetë gratë. Kush më mirë se ato, dinë të menaxhojnë buxhetet familjare, jetën e përditshme, fëmijët dhe të ardhmen e tyre! E përse ato, nuk duhet të jenë në vendin ku është përfaqësimi më i lartë, në Kuvendin e Shqipërisë! Me ligjin e ri të barazisë gjinore, ju do kenë një shans më shumë në përfaqësim. Kodi i ri elektoral do të jetë një garanci në përfaqësimin tuaj. Dhe ftesa ime është që gratë në politikë, të mos hynë në mënyrë artificiale dhe të mos e marrin këtë ftesë si dhuratë. Unë ftoj çdo grua, zonjë dhe vajzë që ato të hynë në garë dhe të konkurrojnë për të qenë të suksesshme. Unë dëshiroj që shumë gra të jenë lidere në Parlamentin e ardhshëm. Duke ju falënderuar sërish për pritjen tuaj mbresëlënëse, ju bëj dhe një herë thirrje, që të bëni kujdes për shëndetin tuaj, të shkoni të bëni kontrolle në mbrojtje të shëndetit tuaj, në mbrojtje të jetës dhe fëmijëve tuaj” përfundoi fjalën e saj kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jezofina Topalli.
...