Disa cilësi të reja të buxhetit 2010
Për herë të parë, kemi një buxhet të balancuar, i cili nga njëra anë mban një ritëm të lartë të investimeve në infrastrukturë dhe nga ana tjetër i jep prioritet reformimit të shtetit si dhe kujdesit social.
Le t’i shqyrtojmë këto elemente më në detaje:
1 - MBAJTJA E NIVELIT TË LARTË TË INVESTIMEVE PUBLIKE KRYESISHT NË INFRASTRUKTURË
Përqendrimi i buxhetit në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore, por mbi të gjitha atë teknologjike do të sjellë: zhvillimin e ekonomisë, në veçanti të sektorit privat; rritjen e aksesit të popullsisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore; rritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me vendet fqinje e me gjerë duke bërë që tregu ynë të jetë pjesë integrale e tregut rajonal dhe atij evropian.
Një risi e këtij buxheti është krijimi i Fondit të Zhvillimit Rajonal që fillon edhe një rrugë të re bashkëpunimi me pushtetin vendor. Ky fond do të përfshijë një kuadër unik, të koordinuar për disa fonde të institucioneve të ndryshme për: rrugë rurale, ujësjellës, shkolla, spitale, pyje etj. Ngritja e këtij fondi bazohet në konceptin e zhvillimit të balancuar e të integruar të rajoneve të vendit. Orientimi i politikave drejt zhvillimit rajonal jo vetëm do t’i ndihmojë ato të harmonizojnë politikat buxhetore nga njësia më e vogël administrative, që është komuna, bashkia e deri në nivel qarku, por për t’i përgatitur ato, që për interesa të zhvillimit të tyre, në të ardhmen, të aplikojnë për fonde strukturore dhe investimi në tregjet financiare brenda dhe jashtë vendit dhe në institucionet financiare te Bashkimit Evropian.
2 - REFORMIMI I SHTETIT: ADMINISTRATËS QENDRORE DHE LOKALE
Procesi më i rëndësishëm në reformimin e shtetit, nëpërmjet këtij buxheti, është ai i dixhitalizimit të të gjitha procedurave administrative në të gjitha institucionet. Sistemet elektronike të regjistrimit dhe licencimit të bizneseve, prokurimeve publike, pagesës së e taksave, regjistrit civil apo marrjes së dëshmisë së penalitetit kanë rritur ndjeshëm aksesin, lehtësinë, transparencën dhe kanë ulur kostot e marrjes së këtyre shërbimeve nga qytetarë dhe bizneset. Qeveria, nëpërmjet këtij buxheti, do të kalojë në fazën e përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit nga të gjithë institucionet shtetërore të të gjitha degëve e niveleve.
Tjetër drejtim në reformimin e shtetit është rritja e cilësisë së burimit njerëzor në administratën shtetërore, qendrore e vendore, rritja e shkallës së profesionalizim, përgjegjshmërisë dhe motivimit të nëpunësve. Shqipëria evropiane kërkon administrate dhe nëpunës të cilësive evropiane. Për këtë arsye, buxheti i vitit 2010 ka alokuar fonde të mjaftueshme për përgatitjes e të gjitha strukturave të administratës për të përballuar të gjitha sfidat e integrimit.
Buxhetet e viteve të fundit dëshmuan se lufta kundër korrupsionit, informalitetit dhe në përgjithësi forcimi i zbatimit të ligjit, janë një kontribuues për rritjen afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë. Një nga faktorët kryesorë në këtë drejtim është lufta kundër informalitetit, evazionit fiskal dhe korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria.
3 - HARMONIZIMI I POLITIKAVE PRO BIZNESIT DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK ME ATO SOCIALE
Përmes këtij buxheti do të vazhdojnë të përmirësohen më tej kushtet për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë private përmes një ambienti sa më konkurrues e të liberalizuar, të çliruar nga pengesat burokratike të licencimeve, patentave apo kontrolleve të tjera, gjë që do të ndihmojë në shfrytëzimin më të mirë të potencialeve ekonomike, njerëzore dhe kapitale që ka vendi.
Ky buxhet edhe pse i fokusuar në sektorët prioritare si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia, ka dhe një dimension social, i cili është në përputhje me programin e qeverisë për:
vazhdimin e financimit të dëmshpërblimit të të ish-të përndjekurve politikë duke angazhuar për këtë qëllim një fond të veçantë;
kompensimin e shtresave në nevoje për çmimin e energjisë elektrike;
krijimin për herë të parë të një fondi special për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve.
Programi social në këtë buxhet ka rritjen më të madhe. Do të vazhdojë rritja e pagave dhe pensioneve kryesisht për të ndihmuar shtresat më të ekspozuara të shoqërisë ndaj reformave dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit. Përkrahja shoqërore dhe politikat e nxitjes së punësimit do të kenë rritje të ndjeshme dhe do të përmirësohet ndjeshëm administrimi i ndihmës shoqërore në mënyrë që të ketë numër më të madh përfituesish në mënyrë që të ulet më tej varfëria e sidomos ajo ekstreme në vend.
4 - QEVERI NË DIETË
Qeveria e Integrimit Evropian është e angazhuar në vazhdimin e shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare dhe të zvogëlimit të madhësisë së qeverisjes duke mos ulur cilësinë e qeverisjes. Ulja e mëtejshme e shpenzimeve administrative do të kontribuojë në uljen e mëtejshme korrupsionit, rritjen e transparencës. Këtu nuk mund të lë pa përmendur reformën në standardizimin e shërbimit të transportit të funksionarëve të lartë shtetërore që do të sjellë rreth 500 milionë lekë të tjera që do të shkojnë të gjitha për rritjen e pagave dhe pensioneve.
5 - SHOQËRIA CIVILE
Në këtë sallë është përmendur shpeshherë mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj shoqërisë civile. Por, alokimi i një fondi të veçantë për këtë kategori tregon se qeveria do të vazhdojë me seriozitet bashkëpunimin me qytetarët dhe me shoqërinë civile. Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile do të ketë burimet e saj në rritje për të financuar projektet e shoqërisë civile që kanë për synim luftën kundër korrupsionit, mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve dhe thellimin e transparencës.
6 - JO MË BUXHETE PASIVE
Deri më sot, jemi mësuar të kemi buxhete pasive, mbledhje apo heqje shifrash pa prioritete të sakta. Buxhetet e viteve të fundit e sidomos buxheti i vitit 2010 është i pari buxhet plotësisht aktiv, që mishëron politika aktive. Është kthyer tashmë në një mjet efektiv për realizimin e politikave prioritare të qeverisë, mjet efektiv për zhvillimin ekonomik dhe social duke ruajtur në të njëjtën kohë stabilitetin makroekonomik.
Është ky mjet efektiv, pra, që bëri të mundur që të përballohej kriza botërore duke rritur investimet publike për vepra të mëdha infrastrukturore duke ndërmarrë në të njëjtën kohë politika aktive që shtresa të varfra të mos preken. Kriza nuk e ka prekur vendin tonë por ky buxhet siguron që të mos prekemi edhe në të ardhmen duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Prioriteti ynë është të fokusohemi në reformat dhe projektet që sjellin rritje dhe zhvillim afatgjatë për vendin. Momenti në të cilin ndodhemi, është i një rëndësie të veçantë, pasi para nesh është hapur një dritare e re. Për të justifikuar këtë besim që na është dhënë jo më larg se para 3 ditësh, kërkohet prej çdonjërit që të bëjë më shumë, të veprojë me më shumë vendosmëri dhe të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, sepse ky buxhet si dhe shumë nga programet dhe planet e qeverisë kontribuojnë në rritjen e potencialit për të ardhmen. Investimet në infrastrukturë fizike, arsim, kërkim dhe zhvillim, në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontributi në paqen në rajon ndihmojnë në përmirësimin e perspektivës së zhvillimit dhe zgjerimin e mundësive të integrimit.