Operacioni ; “Targë e falsifikuar”, bllokohen 39 makina të trafikuara
Policia e Shtetit ka bllokuar 39 automjete të trafikuara nga vendet evropiane në Shqipëri, si dhe 380 makina të tjera me mungesë dokumentacioni. Për katër ditë, nga data 12 deri në datën 16 të këtij muaji, është organizuar operacioni “Targë e falsifikuar”, ku janë kontrolluar 2700 makina në të gjithë territorin shqiptar, ku 1600 prej tyre kanë qenë me targa të huaja. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, ky operacion ka konsistuar në kontrollin, verifikimin, procedimin, bllokimin dhe sekuestrimin e automjeteve me targa të huaja që qarkullonin në gjithë territorin e vendit dhe që dyshohen se mund të jenë të trafikuara, të futura ilegalisht në Shqipëri, apo qarkullojnë me dokumentacion të parregullt ose të falsifikuar. Në këtë operacion u angazhuan Departamenti për Hetimin e Krimeve dhe strukturat vartëse të tij, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin me strukturat në varësi, Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoritë e Policive në Qarqe. Nga struktura e policisë së qarkullimit rrugor “Task-Forcë” gjatë ditëve të operacionit janë marrë 1091 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas burimeve zyrtare, automjetet me targa të huaja janë verifikuar nëpërmjet sSistemit TIMS, nëse janë të regjistruara në kufirin shqiptar, nëse vërtetimi i hyrjes është lëshuar në mënyrë të rregullt, nëse kanë dokumentacionin e duhur për qarkullim dhe qarkullojnë brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, si dhe nëse janë të vjedhura, të trafikuara, apo me mangësi të tjera ligjore. “Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS për hyrje-daljet e automjeteve me targa të huaja janë evidentuar 47 raste të qarkullimit në territorin shqiptar të automjeteve me targa të huaja, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar. Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore apo shkelje të tjera ligjore. Në përfundim janë sekuestruar 39 automjete, të cilat kanë rezultuar të trafikuara në vendin tonë. Në Tiranë janë bllokuar 22 automjete, në Durrës 5 automjete, në Gjirokastër 2 automjete, në Fier 4 automjete, në Shkodër 2 automjete, në Kukës 2 automjete, në Vlorë dhe në Elbasan nga një automjet. Gjithashtu, janë bllokuar 10 automjete me dokumentacion të falsifikuar, për të cilat janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “falsifikimit të formularëve, stampave dhe vulave”.