Armatimi i Kosovës do të jetë i lehtë
• Vendimi i Presidentit Bush për “dërgimin e artikujve mbrojtës dhe të shërbimeve mbrojtëse” në Kosovë, është një vendim “rutinë” i cili ekziston edhe për Serbinë dhe për shumicën e vendeve në botë. Kështu ka komentuar këshilltarja për mediat e ambasadës amerikane në Beograd. Sipas saj, kërkesa së pari duhet të bëhet nga qeveria e Kosovës, e pastaj të kalojë te procesi i vlerësimit. “Vendimi mund të përfshijë furnizimin me armatim të lehtë personal dhe “nuk nënkupton pajisjen adekuate për forcën ofensive”. Haris i komenton si të pasakta deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, ku vendimi i SHBA-ve për të armatosur Kosovën karakterizohet si qëllim për ta “armatosur Kosovën”. Departamenti amerikan ka sqaruar se ky vendim bazohet në planin e Marto Ahtisarit, mbi të cilin është bërë edhe shpallja e pavarësisë në Kosovë, ku lejohet që forcat e sigurisë prej 2500 pjesëtarësh si dhe 800 rezervistësh të kenë armatim të lehtë, gjë që është një e dhjeta e ushtrisë së Serbisë. Ekspertët vlerësojnë se administrata amerikane vendimin për dërgimin e armëve në Kosovë e bëri publik pikërisht tani për disa arsye. Bërja publike e këtij lajmi komentohet nga analistët e ndërtuar mbi arsye. Arsyeja ka të bëjë me Samitin e NATO-s në prill si dhe me vetë prezencën e NATO-s në Kosovë, por dërgimi i armëve do të bëhet edhe në kuadër të Planit të Ahtisarit. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, vërtet e ka autorizuar furnizimin e Kosovës me armatim, por në Kosovë ende nuk janë themeluar forcat që do të pajisen me këtë armatim dhe artikuj të tjerë mbrojtës. Qeveria e Kosovës thotë se nga ana e infrastrukturës ligjore, çdo gjë është gati për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të sigurisë, ashtu siç parashihet me pakon e presidentit Marti Ahtisari. Për funksionalizimin e kësaj force, sipas ekspertit për çështje ushtarake në Kosovë, Ramadan Qehaja, do të duhen 4 deri në 5 vjet. “Kjo forcë duhet të ngrihet me faza. Në fazën e parë, sipas mendimit tim, duhet të shkohet me formësimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, të ngritjes së shtabit të përgjithshëm të kësaj force dhe njëkohësisht me formësimin e njësiteve për gatishmëri civile, për mbrojtje civile, gatishmëri emergjente, dominim dhe njësiteve që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në operacionet paqësore në botë. Kjo është faza e parë”, tha Qehaja. Aktualisht, përgjegjëse për sigurinë e përgjithshme në Kosovë janë forcat paqeruajtëse të NATO-s. Sipas planit të Ahtisarit, Forcat e Sigurisë së Kosovës do të jenë profesionale dhe shumetnike. Kjo forcë do të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta. Ramadan Qehaja thotë se kjo forcë nuk do të ketë armë të kalibrit të madh, meqë edhe ashtu, ushtritë e shteteve të vogla që janë nën mbrojtjen e NATO-s, tashmë kanë filluar të lirohen nga armatimet e rënda.Deklarata e TadiçPresidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e ka vlerësuar si lajm të keq vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, për furnizimin e Kosovës me armë. Sipas tij, administrata amerikane duhet të përmbahet nga një vendim i tillë. “Ky është një lajm i keq i cili vjen në një kohë të ndjeshme për Serbinë dhe unë kurrsesi nuk mund ta mbështes atë”, tha Tadiç.