E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse e fituan belgët sheshin "Skënderbej"

Duke bërë një paraqitje të shkurtër të koncepteve kryesore që përfaqësonin projektet e secilës studio, si dhe duke sqaruar në mënyrë kronologjike, në lidhje me fazat e votimit, theksoi se:

"Ishte kënaqësi për ne që u angazhuam në vlerësimin e gjashtë projekteve. Ne na bëri shumë përshtypje angazhimi i të gjashtë studiove pjesëmarrëse për t‘u angazhuar me projekte që kanë të bëjnë me sheshin "Skënderbej", në qendër të Tiranës. Të gjitha kanë dhënë përgjigje të ndryshme, të cilat kanë dhënë zgjidhje urbane dhe arkitekturore për këtë qendër. Juria ka diskutuar të gjitha aspektet e projekteve të paraqitura. 11 anëtarët e jurisë, 4 shqiptarë dhe 7 të huaj, votuan kriterin kryesor në bazë të të cilit ne dhamë gjykimin tonë.

Cilat ishin fazat e përzgjedhjes së studios fituese?

Teknikisht vepruam në dy faza. Së pari, përcaktuam të gjitha ekipet, që secili nga anëtarët e jurisë i kishte parashikuar si të parët dhe që vazhduan të diskutoheshin edhe më tej. Pra, rezultati i fazës së parë ishte përzgjedhja e projektit nga Roterdami të studios MVRDV, "MAP-Architects" nga Barcelona dhe 51N4E nga Brukseli. Këto tri projekte u diskutuan në një seancë të dytë për të parashikuar edhe çmimin e dytë dhe të tretë. Por dua gjithashtu të vë në dukje cilësitë që paraqitën projektet e "Atena-Studio", "Architecture-Studio" dhe studios "Daniel Libeskind". Meqenëse publikut i bëri shumë përshtypje projekti i studios "Libeskind" duhet të vëmë në dukje mendimin tonë për zgjidhjen mjaft të guximshme të kësaj studioje në lidhje me sheshin "Skënderbej".

Cilat ishin pikat e forta të projektit belg dhe krahasimet me studion e vendit të dytë dhe të tretë?

Në këtë skemë është përfshirë në një farë mase demokracia, ndryshimet që ka kaluar shoqëria shqiptare gjatë kohëve të fundit. "Architecture Studio" e ka mbështetur projektin e saj në masterplanin që ajo ka paraqitur për Tiranën. Ky projekt bënte një paraqitje të jetës urbane në Tiranë, përgjatë boshtit veri-jug. Na bëri mjaft përshtypje mënyra se si e kishin zhvilluar skemën e tyre në lidhje me sheshin "Skënderbej", "Atena-Studio" dhe partnerët e saj. Kjo studio kishte parashikuar qendrën e sheshit me ujë, duke angazhuar të gjitha institucionet që do të ishin rreth sheshit në këtë jetë urbane që do të ishte aty.

Por siç thashë, në seancën tonë të dytë, ne i kushtuam një kujdes të veçantë diskutimit në hollësi të tri projekteve, pra të MVRDV, "Map-Architects" dhe "51N4E". Për ne, projekti i paraqitur nga "Map-Architects" ishte një projekt, që kërkonte të krijonte një klimë mesdhetare edonistike këtu në sheshin e Tiranës.

Nëse më lejoni, do të cilësoj fjalët e arkitektit Jose Lluis Mateo, i cili tha se projekti ishte mbështetur në idenë e krijimit të një dhome për qytetarët e Tiranës, në të cilën ata do të kalonin kohën e tyre të lirë, do të argëtoheshin dhe çlodheshin. Projekti i paraqitur nga MVRDV krijon idenë e një sheshi me pemë, me elementë urbanë. Ideja e tij ishte që të mos e shikonim sheshin si shesh në vetvete, por si një distrikt, si një rreth, i cili do të rrethohej nga qyteti i Tiranës. Ideja e ikonës së këtij vendi ishte shkrirë me jetën e përditshme të qytetarëve.

Së fundmi, pamë me shumë kujdes dhe vëmendje projektin e paraqitur nga studio 51N4E për sheshin e Tiranës. Ky projekt paraqiste një dikotomi midis ambientit përreth të gjelbër dhe pjesës së zbrazët të sheshit të Tiranës. Ky projekt paraqet një boshllëk për një hapësirë të ngarkuar, një hapësirë ku qytetarët e Tiranës do të kenë shumë mundësi, me të cilën ata do të ndërveprojnë. Ne i kuptojmë cilësitë shumë të mëdha konceptuale të këtij projekti, sikurse aspektin e kohës që përmban ky projekt, pra të realizimit sa më të shpejtë të tij. Juria pa mundësinë që ofron ky projekt për të filluar realizimin e tij brenda një viti dhe gjithashtu mundësinë për ta vazhduar projektin në të ardhmen. Dua të vë në dukje, dhe për këtë jam mjaft i kënaqur, që diskutimet e jurisë ishin mjaft unanime. Të gjithë anëtarët e jurisë ishin dakort për të tri çmimet. Vendimi ishte unanim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›