E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, bllokohen 2 kg heroinë dhe 3 kg përzierës

Antidroga e Tiranës ka bllokuar dy kg heroinë dhe tre kg përzierës, ndërkohë që dy poseduesit e saj kanë përfunduar në pranga. Sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike është realizuar gjatë operacionit të koduar "Pashaj", i cili është realizuar në zonën e Kombinatit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 17.00, Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit kanë finalizuar operacionin e koduar "Pashaj", duke bërë të mundur arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike. Sipas policisë, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Spartak Zejneli, 37 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë dhe Altin Balla, 29 vjeç, banues në Shijak, me arsim 8 klasë. Nga hetimet paraprake, të kryera me përdorimin e teknikave speciale të hetimit, është evidentuar fakti që këta dy persona zhvillonin veprimtari kriminale të shitjes së lëndëve narkotike. Në këto rrethana janë arrestuar në flagrancë, duke transportuar rreth 5 kg lëndë narkotike, ku dy kg dyshohen se janë lëndë narkotike e llojit heroinë dhe tre kg dyshohen se është përzierës lëndësh narkotike. Materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Policia tha se këta dy persona kanë lidhje me dy të tjerë, të cilët tashmë janë të arrestuar nën akuzën e shitjes së lëndëve narkotike dhe janë kapur rreth një vit më parë me një kg heroinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›