Pse e ndëshkuan qytetarët Ramën?
Valentina Madani
Në tryezën e kryebashkiakut të Tiranës, prej kohësh një vend qëndronte bosh... I mungonte njeriu që duhej të thoshte dy fjalë me mend. Prej kohësh, Edi Rama ishte një vizitor që mbërrinte përherë në orë të papërshtatshme në karrigen e qytetarit të parë të Tiranës. I shndërruar në një llafazan politik, si ata të prozës, Rama kthehej në bashki, sa të çmpinte këmbët në çifligun e kryeqytetasve, ku e kërthneznin ngjyrat dhe luksi i një zyre që vetëm atyre nuk u përkiste. Çdo e nesërme e Edi Ramës niste me ëndrrën e një pushteti tjetër, një karrigeje të re, paçka se ajo mbi të cilën duhej të punonte, qëndronte bosh... U fut në garë i sigurt për fitore, por përveç arrogancës që u shfaqi shqiptarëve përgjatë 30 ditëve të fushatës elektorale, Edi Rama nuk premtoi asgjë për atë që do të bënte pas 8 majit. Me një vetëbesim që jo rrallë e befasoi edhe veten e tij, kreu i PS-së hyri në betejën elektorale si një triumfator ende pa u zhvilluar gara. Këtu filloi thyerja e parë e Edi Ramës, pikërisht tek mënyra e të bërit politikë. Thyerja e dytë për Ramën mbante emrin Lulzim Basha, rivali që do ti ngjiste orë e çast pas trupit drithërimat e humbjes dhe do ti rrëzonte përtokë vetësigurinë për një mandat të ri në krye të bashkisë së kryeqytetit. I rrethuar nga njerëz servilë, nga këshilltarë pa mendësi, nga biznesmenë të fuqishëm, me të cilët ndante aferat korruptive, Rama, i ndodhur përballë një kandidati vizionar, si Lulzim Basha, ftoi qytetarët jo vetëm në Tiranë, por edhe ata në rrethet e tjera të Shqipërisë, që të përmbysnin me çdo kusht regjimin e Berishës. Në vend të një platforme përmes së cilës do të qeveriste Tiranën e 2011-s, Edi Rama thirri në Tiranë qytetarët shqiptarë që të shkatërronin atë që kishte ndërtuar me mund dhe përkushtim qeverisja e djathtë përgjatë 6 viteve. Mohues deri në pafundësi, me famën që i mungonte pikë së pari në shtëpinë e tij politike, Rama doli para shqiptarëve si një inatçi, grindavec, rebeles, me mungesë vizioni, me një xhelozi të ndjerë ndaj kundërshtarit politik, vetëm e vetëm për të mbajtur fort karrigen e kryebashkiakut edhe për 4 vitet e ardhshme dhe fill pas saj për të realizuar ëndrrën e të bërit kryeministër të Shqipërisë. Dhe kjo, duke hedhur baltë e vrer mbi arritjet historike të qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Por për habinë e vet Ramës, banorët e Tiranës qëndruan indiferentë, si gjatë fushatës elektorale të PS-së, ashtu edhe gjatë gjithë ditës së votimit. Ata i dhanë një përgjigje, jo prej shërbëtorësh, por prej fisnikësh, ku të ardhmen e tyre ua besojnë politikanëve vizionarë dhe jo vizitorit që shëtiste në tempullin e Bashkisë së Tiranës si një pyll që vendos ta shkelësh rrallë, pasi ditët janë në funksion të një ambicieje tjetër, atë të kryeministrit të ri. Dhe data 8 maj është thyerja e tretë e mitit të Ramës në Tiranë. Edhe aty ku e ndiente të sigurt votën, pikërisht, në zonën e kuqe, njësinë bashkiake nr. 5, Edi Rama po përjeton pasigurinë më të madhe. Tashmë as ata që e quan të vetin, bastionin e ish-Bllokut, Rama nuk e ka më. Të lodhur nga doktrina e Ramës, që vetëm të ardhme nuk u premtonte, kryeqytetasit i dhanë atij goditjen fatale, përmes votës së 8 majit, duke i rezervuar atij një fundosje qeverisje në krye të institucionit që ata ia besuan 4 vjet më parë. Në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama kishte të njëjtin numër orësh në ditë që i ishin dhënë edhe Mikelanxhelos, Nënë Terezës, Leonardo da Vinçit dhe Albert Ajnshtajnit. Ata vetëm dinin ta përdornin si duhet, kurse ai vetëm i shpërdoroi ato orë për interesa klanore, duke ndërtuar piramidën e korrupsionit në këtë institucion që u përket kryeqytetasve. Ndëshkimi është i merituar për lakmitarin, egoistin, sherrxhiun, të pashpirtin, që shkon në kishë sa për t'u dukur e nuk ndien gjë, Edi Rama ka zhgënjyer jo vetëm mbështetësit e tij, por edhe vetë veten e tij. Gara votë më votë dhe në mënyrë të veçantë befasia e njësisë nr. 5, nga e cila priste një rezultat të fuqishëm, me një diferencë të madhe votash që ti garantonte atij boshllëkun e votave të munguara në zonat e tjera të kryeqytetit, kreu i PS-së, Edi Rama, jetoi përgjatë 6 ditëve të numërimit të votave me paranojën se po ia vjedhin ato, sepse duhet një alibi përpara të vetëve në momentin zyrtar të deklarimit të humbjes. Fama e tij duket se pushtoi Shqipërinë, por aspak banorët e Tiranës, që pakënaqësitë ia shprehën në mënyrë të qetë përmes votës së 8 majit. Ata nuk e donin Edi Ramën, por një qytetar të parë si Lulzim Basha, që përparësi ti vinte ata dhe jo pushtetin. Një mendjelartësi e Ramës për shkak të pozitës së lartë, që smundi ti dinte hallet dhe problemet e banorëve të Tiranës. Kreu i PS-së besoi se Tirana është krijuar vetëm për të, se i përket vetëm atij. Ai i kuptoi gabimisht banorët e saj dhe prej tyre nuk arriti të kuptonte asgjë. Rama paragjykoi rivalin Basha dhe fushatën e tij të qytetëruar, ku ndryshe nga ai, kandidati demokrat vuri në radhë të parë qytetarët, ndërsa Rama karrigen e pushtetit. Volteri na ka mësuar se paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye. Dhe Edi Rama, pas 11 vitesh, po largohet nga Bashkia e Tiranës me një këngë për zogun e pulës që e hëngri dhelpra