E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-SHBA, asnjë marrëveshje për raketat

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dështuan sërish të martën që të binin dakord në lidhje me planet amerikane për ndërtimin e një sistemi mbrojtës nga raketat në Evropën Lindore, një çështje që i ka çuar marrëdhëniet e tyre në nivelet e Luftës së Ftohtë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ai kishte rënë dakord me sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoleca Rajs, në bisedimet e zhvilluara në Moskë, për t‘i studiuar akoma më thellë propozimet amerikane që kanë si qëllim të sheshojnë shqetësimet ruse në lidhje me mburojën. Por, negociatat mbi këto propozime, vazhdojnë prej më së paku gjashtë muajsh dhe duket se po mbaron koha për arritjen e një marrëveshjeje para se administrata e Presidentit Bush të largohet nga detyra, brenda më pak se një viti. "Në parim, pozicionet tona nuk kanë ndryshuar", tha ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serjukov, pas bisedimeve gjashtorëshe me sekretaren Rajs dhe sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts. Shtetet e Bashkuara thonë se do të donin të instalonin një sistem radarësh dhe interceptorë raketash në Poloni dhe Republikën Çeke, si mbrojtje kundër sulmeve të mundshme me raketa nga të ashtuquajturit shtete armike, veçanërisht Irani. Rusia e kundërshton planin, duke thënë se ai do të dëmtonte balancat strategjike dhe do të kërcënonte edhe vetë sigurinë e Rusisë. Madje ajo ka kërcënuar se do t‘i kthehej qëndrimeve të vjetra të Luftës së Ftohtë dhe do të drejtonte raketat e saj bërthamore nga Evropa nëse mburoja raketore do të ndërtohej. Duke informuar gazetarët pas takimit, Rajs dhe Lavrov, u dukën të afërt dhe miqësorë dhe bënë madje edhe shaka mes tyre pasi një reporter rus iu drejtua asaj duke e thirrur "Zonja Gejts". Takimi i fundit, i ngjashëm, është zhvilluar në Moskë tetorin e vitit të shkuar, por atmosfera atëherë nuk ishte kaq e ngrohtë, të paktën në dukje. Rajs ndërkohë tha të martën se ishte arritur progres drejt një marrëveshjeje mbi atë që ajo e quajti një akord strategjik që ravijëzon themelet e marrëdhënieve SHBA-Rusi për vitet e ardhshme. Ajo dha pak detaje mbi këtë akord. Në anën tjetër, nuk pati asnjë marrëveshje në lidhje me zëvendësimin e marrëveshjes së njohur me emrin START, një pakt për kontrollin e armëve, që skadon vitin e ardhshëm. Uashingtoni po i bën rezistencë presionit rus për një marrëveshje pasuese pothuajse të njëjtë. Mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Uashingtonit në lidhje me mburojën raketore, pavarësinë e Kosovës, luftën në Irak dhe performancën e Rusisë në të drejtat e njeriut, kanë shtyrë disa vëzhgues të ngrenë paralele me Luftën e Ftohtë. Por në anën tjetër, lidhjet ekonomike janë energjike. Tregtia mes dy vendeve është rritur në 17.5 miliardë dollarë, vitin e shkuar, nga 15 miliardë që ishte në 2006-ën dhe kompanitë amerikane kanë investuar shumë në Rusi. Edhe tonet e Lavrovit, mbi mburojën raketore, ishin shumë më të paqta dhe të buta, në krahasim me takimet e mëparshme. Administratës "Bush" gjithsesi i kanë mbetur më pak se 10 muaj në detyrë dhe Rusia po vlerëson se çfarë mund të bëjë një qeveri e re amerikane për sistemin mbrojtës nga raketat dhe çështje të tjera delikate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›