E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse humbi Koalicioni për Malësinë dhe çfarë duhet bërë tani

Zgjedhjet lokale në Malin e Zi: Koalicioni i partisë së kryeministrit Gjukanoviç, UDSH-së së Ferhat Dinoshës dhe një partie boshnjake fiton në Malësi. Një analizë e disa prej faktorëve që ndikuan në rezultatin e një prej votimeve më të diskutuar të vendit dhe mite e interpretime që nuk mund të injorohen

Nga Ruben Avxhiu*

Ditën e diel u mbajtën zgjedhjet lokale në Malin e Zi dhe rezultatet sigurisht kanë qenë të hidhura për dikë e të ëmbla për dikë tjetër.

Si rrallë më pare, në qendër të vëmendjes për shqiptarët ka qenë beteja zgjedhore në Malësi. Rajoni me qendër Tuzin është përfshirë prej ditësh nga ethe politike që kishin të bëjnë më fushatën por jo vetëm me të.

Ka gati dy vjet që pushteti lokal në Malësi pothuajse nuk po funksionon. Rajoni ka statusin e komunës urbane, që shihet si një diskriminim nga shumica e shqiptarëve. Ndërsa rajonet e tjera të ngjashme si ajo në Malin e Zi, janë të pavarura, Malësia ka mbetur nën Podgoricën.

Shqiptarët e partisë së Ferhat Dinoshës këtë e kanë parë si avantazh për të marrë më shumë fonde e shërbime në të mirë të shqiptarëve.

Partitë e tjera shqiptare e kanë parë si diskriminim që i bëhet Malësisë vetëm se ajo banohet me shqiptarë. Në një provë force mes shqiptarëve të opozitës dhe pushtetit qendror në Podgoricë, as komuna e plotë nuk po aprovohet e as ajo urbane nuk po funksionon. Sigurisht që ata që e pësojnë në radhë të parë janë njerëzit e thjeshtë që ndërkohë përballen me hallet e përditshme në një ekonomi të mjerueshme. Papunësia është e lartë, investimet e ulëta dhe emigracioni një ëndërr/ankth i përhershëm.

Në këto kushte, këto zgjedhje ishin kyçe për të zhbllokuar situatën në Malësi.

Kur edhe vota e fundit u numërua të hënën në mbrëmje, Koalicioni për Tuzin Europian i partive malazeze të Gjukanoviçit, UDSH-së së Ferhat Dinoshës dhe një partie boshnjake kishin marrë 2733 vota, që është përkthyer në 11 vende në kuvendin lokal të Tuzit nga 21 që janë gjithësej. 11 është në fakt numri i artë. Është minimum që nevojitet për të qeverisur pushtetin lokal.

Pra zhbllokimi i situatës ndodhi. Tani nuk do të ketë më konflikt mes pushtetit lokal dhe atij qendror për funskionimin e komunës urbane. Mirëpo, përkrahësit e një nisme të mbështetur me forcë nga diaspora për ta bërë Malësinë me Tuzin në krye komunë të plotë në Malin e Zi, e shohin këtë rezultat zgjedhjesh si një errësim të perspektivës për të ardhmen e Malësisë.

Fitues dhe të humbur, festë dhe nervozizëm

Dje festa ka vazhduar në Tuz deri në orët e vona të mëngjesit për mbështetësit e partisë së Ferhat Dinoshës. Një nga veteranët e politikës shqiptare në Malin e Zi, Dinosha adhurohet nga pasuesit e tij pothuaj në masën që urrehet nga militantët e partive opozitare. Por ai ka qenë personi instrumental në fitoren e koalicionit qeveritar në zgjedhjet lokale.

Nga ana tjetër, një mërzi e zhgënjim i madh po mbretëron në kampin opozitar. Të mbledhur nën Koaliconin për Malësinë, tre parti opozitare shqiptare: Iniciativa Qytetare - Vasel Sinishtaj, Lidhja Demokratike Nikollë Camaj, Alternativa Shqiptare Gjergj Camaj, ata kanë qenë të bindur në fitoren e tyre. Mosmarrëveshjet janë lënë mënjanë për tiu hakmarrë Podgoricës për refuzimin e kërkesave për komunë të plotë e për preferencën që i ka bërë Dinoshës.

Të mbështetur nga diaspora dhe me parulla patriotike që evokojnë vitet e luftës së armatosur kundër malazezëve, Koalicioni për Malësinë është përpjekur të japë kushtrimin mes shqiptarëve për tu bashkuar për një fitore historike.

Rezultati i votave i ka lënë të shtangur dhe disa madje janë shprehur me pesimizëm të theksuar. Vilson Sinishtaj në një shënim në një faqe internet të njohur të Malësisë, e ka quajtur humbjen si fillim të asimilimit të plotë të shqiptarëve të Malësisë.

Por humbja sjell me vete reagime të nervozuara. Ende pa u gdhirë e nesërmja, disa po flisnin se ka ardhur koha për ndërrimin e udhëheqësve që humbën. Këto janë reagime normale emocionale të humbjes. Se çfarë do të ndodhë mbetet për tu parë, por ia vlen të ndalesh në arsyet e humbjes së Koalicionit për Malësinë dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen.

Për partitë shqiptare humbja mund të dukej e pamendueshme. Si mund të votosh për pushtuesin e jo për shqiptarin? Po në fakt, një sy i jashtëm e i ftohtë mund të kishte vënë re shenja të qarta të humbjes së ardhshme.

Fitore e koalicionit qeveritar në mbarë vendin

Shqiptarët që janë kredhur sot në diskutime të ashpra për rezultatet e zgjedhjeve të të dielës në Malësi kryesisht i shohin ato vetëm në kuadër të Malësisë.

Një mënyrë tjetër për ti parë ato, është në kuadrin e madh të mbarë vendit. Koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistëve e udhëhequr nga Milo Gjukanoviçi fitoi në 12 nga 14 komunat e vendit.

Ky ishte një triumf elektoral për kryeministrin, politikanin që prej dy dekadash mbizotëron në politikën e Malit të Zi, që akuzohet për tradhti nga serbët, për korrupsion nga të huajt dhe një pjesë e vendasve dhe për anti-shqiptarizëm nga disa prej shqiptarëve.

Nga ana tjetër, shumica e malazezëve e shohin si hero, si baba të pavarësisë së re të Malit të Zi, Perëndimorët e shohin si njeriu që e braktisi Millosheviçin në momentin kur duhej dhe një pjesë e shqiptarëve e falënderojnë për njohjen që i ka bërë Kosovës.

Për largimin e tij nga politika është folur disa herë. Akoma më me intensitet është folur në muajt e fundit. Flitet se pasurimi i tij i madh për shkak të lidhjeve të dyshimta biznesi i ka mërzitur amerikanët deri në pikën sa i kanë thënë që të largohet se po dëmton shanset e Malit të Zi për në Europë.

Po këto sigurisht nuk janë të provuara. Gjukanoviçi është personi kyç në ndalimin e influencës së Beogradit mbi Podgoricën dhe nëse është vërtet duke ikur nga politika, i dha vetes kohë për një fitore tjetër elektorale. Ashtu si shumë shqiptarë në Malësi, edhe shumë serbë në komuna të tjera të vendit janë shtangur me suksesin e koalicionit të Gjukanoviçit. Ishte një dallgë elektorale siç e quajnë këtu në SHBA dhe kur ndodh ka efekt edhe në zonat e dobëta. Në kuadrin e përgjithshëm, fitorja e koalicionit qeveritar në Malësi mund të ketë qenë efekt anësor i kësaj dallge.

Kundër malazezëve apo kundër serbëve

Shumë shqiptarë që kishin besuar në fitoren e sigurt të Koalicionit për Malësinë e shohin votën e bashkatdhetarëve të tyre për koalicionin me malazezët si një tradhëti kombëtare. Ata recitojnë vargjet e Fishtës dhe valëvisin flamurin kuqezi në vend të atij shtetëror malazez.

Në këtë kontekst, si ka mundësi që një malësor ti bëhet gjaku ujë dhe të votojë për malazezët?!

Sigurisht që duket e pamundur, mirëpo shqiptarët e Dinoshës nuk e shohin çështjen të ndarë në mënyrë kaq epike. Në një intervistë me gazetën Illyria përpara zgjedhjeve, Ferhat Dinosha argumentoi se në Malin e Zi nuk ka konflikt mes shqiptarëve dhe malazezëve por mes serbëve dhe malazezëve.

Sipas tij, shqiptarët janë shumë pak në numër dhe një rrëzim nga pushteti i koalicionit malazez sjell në pushtet koalicionin serb që është kundër pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, partitë shqiptare opozitare (ato që formuan Koalicionin për Malësinë) në përpjekje për të bllokuar pushtetin e Podgoricës në Tuz kishin bërë aleancë me partinë serbe të zonës e cila kishte protestuar ashpër njohjen e Kosovës nga M

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›