E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk ndërtojmë dot shoqërinë e mirë ?

Gezim Tushi

Gëzim TUSHI

Fenomenet sociale që po kalojnë njerëzit tanë, bashkë me shqetësimet e thella ekzistenciale të shoqërisë shqiptare në tërësi tek shumë njerëz e kanë zbehur shpresën demokratike se shoqëria moderne shqiptare e bazuar do të ndryshojë pozitivisht në realizimin e procesit të funksionimit dhe administrimit human të gjërave.

Edhe besimi për shfaqjen e natyrshme qytetarit demokratik, moralisht i virtytshëm, duket se nuk është aq afër sa e mendonim dhe e parashikuam në fillimet e viteve 90. Pritmëria se shumë shpejt në vend të shoqërisë totalitare do të ndërtohej shoqëria e arsyes, që duhet të ishte produkti i parë social autentik i ndryshimit të sistemit dhe ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, akoma po ia zë vendin një tip shoqërie që nuk merret vesh se çështë.

Që si tipologji dhe realitet social vështirë se mund ti gjendet paradigma që të mund të klasifikohet, nëse është brenda apo ka dalë jashtë lëvizjes së gjerë të tranzicionit social. Bashkë me këto vështirësi thelbësore dhe të përcaktimit nominal të natyrës së shoqërisë shqiptare është thellimi i gjendjes së krizës së humanizmit, solidaritetit, dhe nevojat për mirëkuptim dhe harmoni sociale në nivelin e duhur.

Sepse jemi në fazën më kritike kur në shoqërinë tonë ka doza të forta të anomisë dhe neurotizmit social. Kjo situatë është e shoqëruar me veprime ekscentrike, konflikte të gjëra dhe nivele të larta të agresivitetit, madje shpesh herë shqetësuese nga që janë deri në nivele kriminale. Që me të drejtë të bëjnë skeptik për rrugën në të cilën po ecim. Makina e shoqërisë shqiptare ka marrë ca xhiro që të detyrojnë të mendosh se kjo shpejtësi degjeneruese është në nivele kritike dhe po dëmton harmoninë dhe bashkëjetesën sociale, duke i bërë ato të vrazhda dhe thelbësisht antisociale.

Në vend që të besojmë se rruga e nisur do të na çonte drejt shoqërisë harmonike dhe të qytetëruar, duket se po ecim drejt shoqërisë anomike të mbuluar neurotizmi dhe kaotizmi social. Ndërkaq, të dhënë aq shumë pas individualizmit ekstrem, duke e vlerësuar individin si entitet dhe identitet më vete dhe më pak si pjesë të shoqërisë, duket se me marrëveshje të heshtur kemi hequr dorë nga ideali i përgjithshëm social, nga detyra imperative e përbashkët kombëtare dhe sociale për të ndërtuar krahas dhe paralelisht me tipologjinë e individit të suksesshëm dhe qytetarit të virtytshëm edhe shoqërinë e mirë, duke krijuar simbiozën e duhur të funksionimit normal dhe lidhjes organike midis tyre.

Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme, sepse është kusht thelbësisht i paneglizhueshëm për harmonizimin e interesave dhe synimeve të përbashkëta sociale të shoqërisë shqiptare.
Ne duhet të jemi realist. Ka shumë arsye subjektive që nuk varen nga ne si shoqëri, por njëherësh janë edhe ca shkaqe të tjera, që janë tërësisht me natyrë sociale, që ndikojnë në faktin që shumë njerëz kanë filluar të jenë të pakënaqur nga shoqëria e tyre. Motivet e kësaj situate mund të jenë të ndryshme dhe të personalizuara.

Një pjesë e njerëzve janë në këtë gjendje, sepse kanë pasur pritmëri të tepërta të ndërtuara me mentalitete përtace, duke menduar se shoqëria do të ishte bujare për të gjithë. Në fakt është e vërtetë që një pjesë e përgjegjësisë për këtë situatë të shoqërisë shqiptare dhe boshllëqet ekzistenciale të individëve të veçantë, janë frutë i zhgënjimit masiv që kanë pësuar njerëzit tanë nga idetë magjepsëse për demokracinë dhe ekonominë e tregut.

Të cilat u përhapën shpejt dhe që shumë prej tyre mendonin se do të ishin të afta dhe vetëvepruese për të zgjidhur gjithçka dhe për të bërë çdo gjë. Këto iluzione tashmë janë bërë shkaqe për shumë defekte sociale në shoqërinë tonë, burim i për akselerimin e natyrës asociale, neurotike, konfliktuale të individit dhe shoqërisë tonë.

Natyrisht nuk është i lehtë ndërtimi i shoqërisë së mire apo shoqërisë harmonike në kushtet kur tërë marrëdhëniet sociale midis njerëzve janë të bazuara në pronën private dhe interesa të dukshme individuale. Shoqëria e mirë është e vështirë të ndërtohet kur të tërë njerëzit janë individualisht në gara personale, që të detyrojnë të mendosh gjithnjë për vete dhe rrallë, shumë rrallë për natyrën e shoqërisë apo për të dhënë kontribute sociale që ajo të bëhet më e mirë se çështë.

Kur flasim për shoqërinë e mirë nuk duhet të kemi apo të krijojmë iluzione sociale të tepërta, sepse është vështirë që nga kjo shoqëri të pretendojmë që të sjellë harmoni sociale e cila në nivele të tilla është përjetësisht e pamundur. Por ajo që duam dhe synojmë, është të ndërtojmë shoqërinë drejtësisë sociale, e cila është e mundur nëse duam dhe përpiqemi. Ai është modeli mundshëm i arritshëm i shoqërisë së mirë, në të cilën mund të harmonizohen më butë, në mënyrë humane interesat, nevojat dhe statuset sociale të njerëzve tanë.

Nuk është fjala për të ndërtuar shoqërinë solidare apo për të pretenduar për humanizëm të gjerë dhe të panevojshëm midis njerëzve. Kjo është utopike. Por ndërkaq që të ndërtojmë shoqërinë qytetare, të luftojmë për të ndërtuar staturën e sjelljes qytetare të njerëzve, që të sillen dhe komunikojnë mes tyre si pjesëtarë të një shoqërie me ca humanizëm, me pak më shumë solidaritet e mirëkuptim social. Kjo besoj se nuk është e pamundur as në kohën tonë të rrëmujës së thellë individuale, të dominimit total të mentalitetit dhe filozofisë individualiste.

Ngathtësia sociale, mungesa e vëmendjes për shoqërinë shqiptare, cilësinë e jetës dhe kualitetet e dëmtuara të marrëdhënieve njerëzore në tërë strukturat sociale, janë në nivele të tilla sa që më duket se jemi në fazën pasive, duke pritur Godonë apo duke menduar se shoqëria mund të përmirësohet vetë. Qoftë edhe pa ndryshuar asgjë, pa bërë asnjë përpjekje për ta futur atë natyrshëm në rrugën e duhur të shoqërisë së mirë.

Padyshim që ne nuk kemi asnjëherë në mëndje se mund të ketë në kohën tonë shoqëri të mirë që të mos jetë në të njëjtën kohë edhe shoqëri e hapur. Madje në parametrat apo përtej asaj që ka parashikuar filozofi Karl Popper. Në këtë kontekst kur shtrojmë pretendimet etike dhe synimet sociale për rregullimin e shoqërisë shqiptare, kemi qëllimin që ajo duhet të orientohet që të ecë më tej në rrugën për tu bërë më e mirë dhe më e hapur.

Pretendimet, ankesat, vërejtjet që i bëjmë shoqërisë shqiptare, nuk kanë qëllim të kuptohen sikur ajo është shoqëri e keqe në kuptimin ontologjik të termit. Përkundrazi edhe kështu siç është shoqëria jonë është mijëra herë më e mirë se shoqëritë tona të së kaluarës, të cilat më shumë se shoqëri për njerëzit ka qenë burg social.

Kur bëjnë krahasime të problemeve të sotme që ka shoqëria jonë e lirë por me probleme, e hapur, por jo në dimensionin e shoqërisë së mirë, kaotike por shumë herë më e vlefshme se stalla e hekurt e shoqërisë së ngurtë totalitare, të mbushur me njerëz ketman pa lirinë e duhur të individit, mendja nuk duhet të na shkojë për të gjetur ndonjë ilaç recidivist.

Që në vend të na ndihmojë të bëjmë shoqërinë mire, do të ndikojë për ta bërë më të keqe se çka qenë në të kaluarën. Më mirë në shoqërinë e lirë por të pasigurt, se sa të gjithë të barabartë me pjatën e aluminit të shoqërisë së robëruar nga shteti totalitar. Problemet e jetës së sotme sociale nuk janë të mjaftueshme për të mohuar vlerat e shoqërisë aktuale por as për të mohuar ngathtësinë sociale për të ndërtuar më shpejt shoqërinë e mirë.

E cila vërtetë nuk ka nevojë për çimento unifikuese, sepse uniteti mekanik i shoqërisë nuk është vlerë sociale, as kusht thelbësor për ta bërë shoqërinë tonë të mirë, por në kuptimin modern të saj. Për këtë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›