E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të bashkohen shqiptarët apo qypat me florinj të Berishës e Thaçit?

Ilir Yzeiri

Ilir Yzeiri

Jehona e intervistës së ambasadorit danez Karsten Ankjaer Jensen për ata që kanë veshë dhe dëshirë që ti shohin në sy sendet e kësaj rrokullie që mban emrin Shqipëri, nuk është shuar ende dhe nuk do të shuhet për një kohë bukur të gjatë. Mirëpo, ndërsa një pjesë e shqiptarëve diskutojnë mbi ato të vërteta që renditi Ambasadori në intervistën e tij, bash në këtë periudhë mbi shpinë të shqiptarëve shfaqen dy padronë.

Ne, shqiptarët e Shqipërisë jemi mësuar me kryeministrin e vendit tonë që sillet me shqiptarët e Shqipërinë si një padron e, hera herës, sidomos natën, edhe si padrino, por nuk kishim parë aq nga afër dhe aq të padenjë portretin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës, në intervistën dhënë «Dojçe Veles» ditë më parë, foli për demonstratën e 21 janarit dhe me tone autoritare e dënoi atë demonstratë dhe tha se ne nuk do ta lejojmë që ajo të kryhet edhe në Kosovë.

U duk se ai po përpiqej që problematikat dhe konfliktet që ka krijuar me një pjesë të politikës në Kosovë ti transferonte në Shqipëri. Më keq se kaq, ai mori përsipër që ta gjykonte protestën madhështore antiqeveritare të 21 janarit ku u vranë katër shqiptarë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Këtë Protestë ai, ashtu si Berisha, e quajti sulm kundër shtetit. Ai në atë intervistë u shfaq në krah të kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe sulmoi po me të njëjtën gjuhë Aleancën Kuqezi.

I shqetësuar nga veprimet e «Vetëvendosjes » në Kosovë, ai u përpoq që ta kriminalizonte edhe Shqipërinë dhe i kaloi kufijtë e Kosovës, jo siç bëri natën kur erdhi me një frymë për të marrë pjesë në Darkën e Galerisë së Fevziut, jo, ai kaloi kufijtë e retorikës politike, të etikës qytetare, të elegancës së një shtetari dhe u shfaq si një militant i rëndomtë në krah të një kryeministri që ka ngjyer duart me gjakun e shqiptarëve dy herë.

Natyrisht është e drejta e tij që të shfaqet si të dojë, por këshilltarët e tij do të bënin mirë ta mësonin se për sa kohë shqiptarët janë në dy shtete, ai është kryeministër vetëm i Kosovës ose siç e akuzojnë kundërshtarët e tij politikë padron vetëm i Kosovës dhe nuk ka të drejtë të përgojojë apo të paragjykojë veprimet politike të shqiptarëve të Shqipërisë. Nëse pushteti që ka në dorë i ngjan si një dhuratë apo si një qyp i madh me flori, bën mirë që këtë emocion, pra emocionin se mos ia rrëmbejnë qypin që ka në dorë ta shfaqë në Kosovë te shqiptarët e atjeshëm, sepse 21 janari gjykohet e vlerësohet nga shqiptarët e Shqipërisë.

Ndërsa Aleanca Kuqezi nuk rrezikon pushtetin e Hashimit. Aksioni që ka ndërmarrë Lëvizja Vetëvendosje për të bllokuar në mënyrë simbolike mallrat serbe është një aksion qytetar dhe krejtësisht i ligjshëm në një shtet demokratik. Ndaj këtij aksioni kanë të drejtë të shprehen që të gjithë dhe të reagojnë gjithashtu që të gjitha institucionet.

Mirëpo, ndërsa Feith, përfaqësuesi i të gjitha organizatave perëndimore në Prishtinë reagon si një diplomat i qytetëruar dhe modern duke renditur tri efekte negative të këtij aksioni, kryeministri Hashim Thaçi nis e i akuzon bashkatdhetarët e vet me serbët, nis e shan patriotët e tij në Shqipëri dhe i quan faqezinj siç i quan Berisha dhe fyen rëndë edhe mijëra e mijëra shqiptarë që protestuan kundër korrupsionit më 21 janar. Si të mos mjaftojë e gjitha kjo, në një cep të mediave shqiptare shfaqet një politikane anakronike dhe bajate me emrin Doris Pack që ngre edhe ajo zërin ashtu si Hashimi.

Kjo eurodeputete që është bërë qesharake në Shqipëri shan gjithmonë të gjithë ata që janë në opozitë me Genc Pollon. Sikur, mos e dhëntë Zoti, që Pollo të bëhet me Ramën, ajo menjëherë do të shajë qeverinë. Pra, në gjithë këtë peizazh folklorik e tragjikomik gjithashtu, mbi shqiptarët po përvijohet përditë portreti i dy padronëve apo i dy padrinove që duan ta shpallin veten zotë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Që të dy këta padronë nuk pranojnë dot kundërshtarët politikë dhe çështë më e keqja kanë nisur të përdorin një retorikë të ngjashme me atë që përdoret në regjime autokratike.
Ajo që po ndodh në Shqipëri e në Kosovë vërteton edhe njëherë tjetër se Shqipëria, për të zezën e saj, nxjerr në krye të vendit jo politikanë, por sundimtarë. Hashim Thaçi në Prishtinë i ka mbushur mendjen e i ka dhënë të drejtë vetes se, meqenëse ai bëri luftën, duhet që të shpallet edhe udhëheqës i përjetshëm i shqiptarëve nën modelin e Fidel Kastros në Kubë. Sali Berisha i ka dhënë të drejtën vetes që të qeverisë dhe të sillet si padron i shqiptarëve deri sa të ketë frymë. Shqiptarët, sipas tij, u dashka të shohin tek ai jo një kryeministër kalimtar, por një udhëheqës autoritar si Khameini në Iran, një autoritet suprem.

Përballë kësaj gjendjeje demokracia shqiptare është në rrezik që të shndërrohet në një qeverisje mafioze me mbështetje politike të frikshme. Ndaj, apeli i Ambasadorit danez është aktual dhe në kohë. Berisha dhe Thaçi mesa duket kanë projekt që jo të bashkojnë shqiptarët, por të bashkojnë qypat me florinj të pushtetit të tyre dhe të sundojnë me të gjitha mjetet mbi shqiptarët.

Ne, shqiptarët e Shqipërisë e kemi provuar në kurriz këtë sundim që na është bërë edhe me ndihmën e atyre militantëve që vijnë nga Kosova e votojnë për të ndihmuar Berishën në Shqipëri, për të prishur drejtpeshimin politik të këtij vendi. Në këtë kuptim çdo lëvizje që denoncon paudhësitë e qeverisjes së Thaçit në Kosovë duhet mbështetur, sepse Hashim Thaçi, për fat të keq, e dëshmoi veten si një militant i paudhësive të kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, pas këtyre qëndrimeve duhet ta dinë se demokracia është vënë në pikëpyetje dhe se në të dy anët e kufirit po ndërtohen jo shtete të shqiptarëve, por shtete ku shqiptarët qeverisen nga padronë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›