Pse po ringjallen Ballabanët?

Prej kohësh, është vënë në lëvizje një projekt i mirëfilltë antishqiptar, në drejtim të goditjes të palcës së kombit. Ky projekt ka të njëjtën vendlindje që kishte ai i teorive të Ivo Andriçit dhe Çubrilloviçit, terrorist e socialist bashkë. Shqipëria, duke qenë se doli gjallë nga mortja më e përbindshme e historisë së saj, nga komunizmi, i la gojëhapur antishqiptarët. Edhe Enver Hoxha, krimineli më i pashpirt ndaj bashkëkohësve, duke stërkaluar mësuesin e tij, Stalinin, veprimin e tij historik antishqiptar e mbajti nën një demagogji apo nyje sekretesh, të cilat me zor po përfytyrohen apo zbulohen.
Ndërsa, projekti i ri antishqiptar, që ka në themel goditjen e identitetit perëndimor të shqiptarit, përmes zbrazjes së kombit nga figurat e ndritura të tij. Është tragjike, që shtypi shqiptar, media apo librushka legalë i godasin figurat historike palcore të kombit me qetësi dhe një mbështetje financiare të paimagjinueshme. Sulmi mbi Skënderbeun, që shfaqet valë-valë e herë pas here, organizohet nga një detashment shkonjësish, të cilët janë të ndarë në tre shkallë. Për të zotëruar të gjitha shtresat e popullit, një prirje e parë, e pacipë e sulmit banal mbi Skënderbeun, si emblemë, si dhe e të gjitha figurave të ndritura të historisë sonë kombëtare, është përfolja dhe bërja objekt i një humori banal, prej ca brekëpalarëve, që kuisin si zagarët në rroga të majme. Por gjithsesi, në një nivel që përpiqet të rrokë fluksin e analfabetëve, të të pakulturuarve dhe të atyre pjesërisht të arsimuar. Pastaj, vjen një bandë tjetër, e cila e ngre pazarin, me ndonjë radio, fshehur pas ndonjë karrigeje pedagogu, zyrtari çinovnik e ca zelltarëve gazetash, pronë e ndonjë trafikanti droge, e ndonjë hajduti tullash, apo edhe e ndonjë injoranti tjetër që i thotë krokodilit “lacosta”. Por gjithsesi, kjo bandë po e ngre stekën e sulmit mbi Skënderbeun, me qitje të rëndësishme, për nga dëmi që përpiqet të shkaktojë në një masë të gjerë të qytetarëve që vlejnë dhe që përpiqet të deformojë edukimin e tyre, koshiencën e tyre kombëtare. Këta sallhanë sillen katedrave apo gazetave, që nga Prishtina e në Tiranë dhe nuk e dinë se fondi i vënë në dispozicion të tyre është fare i kontrolluar dhe i lexuar nga ata që e duan realisht këtë vend dhe nga ata që Zoti i ka ngarkuar me misiuonin për ta mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por Skënderbeu është I Madhi Skënderbe, është fytyrë për flamur dhe për gur, për shpirt e përjetësi, prandaj ata që e kanë bërë projektin e sulmit mbi të, kanë krijuar edhe një batalion special, me forma të stërholluara, me grada e vlera të përqallura, dhe pasi i kanë konsoliduar, fryrë si kacek, me aftësira e kontribute që s’i kanë pasur kurrë, apo duke ua shfrytëzuar disa segmente të inteligjencës së tyre reale, i hedhin në sulm njëri pas tjetrit, përsëri kundër Skënderbeut. Të pafytyrë, ziliqarë, hajdutë, janë njësoj si ata të kategorisë së parë. Janë njësoj si ata, nga grykësia dhe shërbimi i pandershëm, që ndaj Sigurimit të Shtetit e deri tek shërbimi ndaj Serbisë dhe Rusisë. Edhe ndaj Iranit. Të gjithë janë bashkë, llumaxhinjtë e parë, rrogëtarët e dytë dhe këta elitarë-leshët e tretë.
Po pse tani? Sepse tani, Shqipëria po ndahet nga Ballabani e ballabanët, se tani Shqipëria po shkon në NATO, po shkon në Bruksel, se Kosova është e pavarur, se shqiptarët, në Ballkan e kudo që ndodhen po e ndihin kombin e tyre, po dëshmojnë vlera dhe janë përkrah e në anë të lirisë e të demokracisë. Pra, po shfaqin thelbin e tyre, identitetin e tyre perëndimor. Atëhere, o burra ta përlyejmë, o burra ta sakatojmë, të qajmë për Perandorinë Osmane, të qajmë për Iranin, Rusinë, Serbinë... Qafshi e lafshi me lot, jetën tuaj skëterrë, ju, që pasi hyni kokulur, si shërbestarë të famës shqiptare, na nxirrni dy copa letrash për të shembur Skënderbenë, shoqëruar nga një spurdhjak që kërkon lekë edhe për presjet... Dhe e gjitha është mision, mision i mbrapshtë, i turpshëm... Të tundësh ca letra për të zhbërë një histori, një mit. Nga shkencëtarë zbret në batakçi, dhe po të kërkosh ca më shumë, të gjendet edhe se ku i ke marrë ato letra e kush t’i dha.
Nuk është as zbulim, nuk pëson asgjë Skënderbeu, vetëm se sheh rigrupimin e ballabanëve, që siç dihet, u është prerë koka. Një fakt është fatlum, sa më shumë para harxhohet për të vënë në jetë këtë projekt fatzi, aq më shumë shkruhet e flitet nën këtë para. Por ndërkaq, aq më shumë lexohet dhe lexohen ballabanët.
...