E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pse qëllova mbi kunatën!

15/02/2005  Isa Hajdari rrëfen në polici tentativën për vrasje

Duket se Isa Hajdari nuk është penduar aspak për veprën penale për të cilën akuzohet. Burime zyrtare nga Komisariati nr.4, shprehen se 42-vjeçari ka rrëfyer për oficerët e policisë gjyqësore arsyet që e shtynë të qëllonte mbi kunatën e tij, Hajrien. Sipas të arrestuarit, gjendja e keqe ekonomike, nuk mund të jetë kurrsesi një motiv i mjaftueshëm që gruaja të braktisë burrin dhe më pas të kërkojë kujdestarinë e familjes. Gazeta "Metropol" ka arritur të sigurojë dëshminë e Isa Hajdarit, dhënë për grupin hetimor.

Pse qëllove mbi kunatën dhe vëllezërit e saj?

Është histori e gjatë, që e ka zanafillën muaj të shkuar. Unë e kam dashur shumë kunatën time. Hajria ishte nusja e tim vëllai dhe ne jetonim në një kulm shtëpie. E kisha si motër. Me thënë të drejtën, edhe ajo sillej shumë mirë me mua dhe gjithë njerëzit tanë. Një Zot e di se si familja jonë mori tatëpjetën. Të gjithë fajin e kanë paratë. Ato po u hanë kokën njerëzve.

Çfarë kërkon të thuash me këtë, a mund të na e shpjegosh?

Dua të them se përsa kohë që ne ishim mirë nga gjendja ekonomike, të gjitha shkonin vaj. Sherret nisën kur ne mbetëm pa punë. Im vëlla, Murati, ishte vetë i 5-i në familje, pasi ka 2 vajza dhe një djalë. Anipse kërkonim punë, nuk gjenim asgjëkundi, pasi tregu i punëtorëve është shtuar mjaft. Hajria filloi të ankohej se nuk kishin para për të jetuar. Dhe në të vërtet, im vëlla nuk kishte asnjë lek për të blerë ushqime për fëmijët.

Po më tej si rodhën ngjarjet?

Me të keq ia dilnin gjithsesi. Por, kjo nuk zgjati shumë, pasi u rritën pretendimet e fëmijëve, më e madhja e të cilëve është në klasë të tetë. Hajria i thoshte Muratit se, nëse nuk bënte përpjekje për të gjetur një punë, do ta braktiste. Isha përpjekur shumë herë që ta qetësoja. U mundova ta bind se kjo situatë ishte kalimtare dhe se Zoti do të na ndihmonte. Por, ajo duket se e kishte mbushur mendjen të largohej nga jeta e tim vëllai.

Kur u largua?

Pak javë më parë. Murati dhe Hajria patën një grindje mes tyre dhe pak më pas mësova se ajo ia kishte mbathur te njerëzit e saj. I kërkova vëllait të më sqaronte se si ishte puna. Ai më rrëfeu se gruaja i kish thënë se nuk mund ta shtyne më me të, pasi nuk qe i zoti as të gjente një copë bukë për fëmijët. Kishte ikur me rrobat e trupit, pa u përshëndetur as me të bijtë.

A tentoi më të kthehej?

Po, ditën e shtunë. Isha në shtëpi me Muratin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Fëmijët na lajmëruan se po vinte Hajria me dy vëllezërit e saj, Ardian dhe Hajredin Çelajn. Nuk durova dot më, por shkova në dhomë dhe mora pistoletën që e mbaja për raste të këqija. Ata u afruan te dera e shtëpisë dhe mesa dëgjova kishin ardhur të sqaroheshin se kur do të bënin gjyqin dhe se kush do t'i merrte fëmijët. Im vëlla, Murati, m'u dhimbs në ato momente. Punoi një jetë të tërë dhe më në fund po mbetej i vetëm.

Kur vendose të qëllosh mbi ta?

Nxora armën dhe ua drejtova krushqve. Ne e kemi zakon që në shtëpi nuk qëllojmë mbi mikun, por ata ma kishin bërë borxh. Për fat, ata u fshehën prapa gardhit e sendeve të tjera në oborr dhe arritën të shpëtonin. Me të kryer këtë akt, unë u largova me vrap nga shtëpia. E dija se do të më ndiqnin policët për të më arrestuar. Dhe, në të vërtetë, pa kaluar as gjysmë ore nga ikja, rashë në pranga në një rrugicë të Babrrusë.

A je penduar për aktin tënd?

Në njëfarë mënyre jo. E bëra për vëllain tim. Siç e thashë dhe më sipër, Murati është njeri i mirë dhe i durueshëm. Ai nuk e meriton të mbetet vetëm. Nuk braktiset burri se nuk gjen dot punë. Kjo është arsyeja që Hajria nuk më dhimbset pse desha ta vras. Ajo duhet të duronte, pasi kështu siç e bëri, shkatërroi familjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›