E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse s'duhet cenuar Triporti në Vlorë

Në Triportin e Vlorës, ku mendohet të ndërtohet kompleksi i depozitave të naftës dhe kimikateve "La Petrolifera", si dhe TEC-i me djegie nafte, projekt të cilin me të drejtë e kundërshtojnë vlonjatët dhe gjithë opinioni përparimtar, i cili lufton për ruajtjen e vlerave arkeologjike e kulturore, në shekullin e VI para Krishtit, ka qenë ngritur një qytet.
Ndërsa në shekullin e IV, po para Krishtit, ai u shndërrua në një nga qytetet kryesore të Gjirit të Vlorës dhe kishte marrëdhënie të ngushta me Apoloninë.
Muret rrethuese të kësaj periudhe dallohen për rreth 1 kilometër për gjatë bregdetit dhe dëshmojnë për një qytet me sipërfaqe prej dhjetëra hektarësh. Një pjesë e madhe dijetarësh mendojnë se pikërisht këtu ka qenë Aulona e famshme.
Qyteti filloi të braktisej pas shekullit të dytë para Krishtit, pas luftërave Iliro-Romake dhe nuk u përmend më pas fushatës së Jul Cezarit, në Gjirin e Vlorës, në vitin 48 para Krishtit. Ptolemeu e përmend si një nga tri portet më të mëdhenj të Adriatikut. Në Mesjetë shfaqen shpesh aty pranë qyteti-port i Spinaricës, ndoshta Zvërneci i sotëm dhe qendra e Kavalonës.
Në vitin 1492 aty ka zbarkuar grupi i dytë i madh i hebrenjve të përndjekur ,këtë radhë nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez prej disa qindra vetash, që u vendosën në Vlorë, në Berat dhe Elbasan. Dhe hebrenjtë këtë vend e konsiderojnë si vend të shenjtë, pse u shpëtoi jetën. Deri në kohën e Sulltan Sulejmanit të Madhërishmit, ekzistonte këtu, sipas Evlia Çelebiut, një kështjellë e madhe, gurët e së cilës sulltani i përdori për kalanë e Vlorës.
Prej vitit 1976, arkeologët shqiptarë nën drejtimin e Vasil Beretit kanë bërë kërkime disavjeçare dhe kanë zbuluar një sërë fragmentesh materiale që vërtetojnë ekzistencën e këtij qyteti.
Gërmimet dhe studimet kanë treguar praninë e një sërë monumentesh dhe banesash, në tërë sipërfaqen që shtrihet midis bregdetit dhe harkut të kodrave. Një pjesë e qytetit është e mbuluar nga deti, me ujë dhe rërë.
Rezultatet e këtyre gërmimeve ata i kanë botuar në revistën "Iliria".
Në vitin 2004 është nënshkruar edhe një marrëveshje dypalëshe midis qeverive të SHBA dhe asaj të Shqipërisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të Trashëgimisë Kulturore Historike, çka solli edhe rritjen e interesimit të hebrenjve me prejardhje sefardike, për ta ruajtur dhe mbrojtur vendin të cilin ata e konsiderojnë të Shenjtë.
Bashkë me Triportin, vlerë të jashtëzakonshme ka qyteti i Kavallonës, i përmendur nga Anna Komnena tek Aleksiada. Studiuesi dhe bizantologu i njohur frëng ,Alen Dyselje, në veprën e tij madhore "Fasada Bregdetare e Shqipërisë - Durrësi dhe Vlora gjatë shekujve X-XIV" e përmend Kavallonën si nyje e rëndësishme në betejat Normane-Bizantine të Shekullit X, në bregdetin shqiptar, si dhe vend-zbarkimin e Bohemundit gjate Kryqëzatës së Parë.
Duke mos njohur sa duhet toponiminë e zonës së Triportit, Profesori i nderuar frëng madje hodhi idenë se Kavallona a famshme ndodhej në Kavajë.
E pra, misteri i ndodhjes së Kavallonës gjendet pikërisht në truallin ku mendohet të ngrihet TEC-i famëkeq.
Për këtë qytet ekziston edhe një hartë e zonës e paraqitur nga vetë Manaxhmenti i Bankës Botërorë, që e nxjerr si objekt arkeologjik 500 metra larg vendit ku mendohet të ndërtohet TEC-i në lindje të tij, pikërisht pusin dhe kishën e famshme të Kavallonës.
Në vitin 2006 "Specialistët" e Bankës që erdhën në Triport kishin deklaruar se do ta hetojnë deri në fund këtë problem, por ata e anashkaluan krejtësisht. Triporti dhe Kavallona janë edhe në listën e Monumenteve të Kulturës që janë në mbrojtje me ligj.
Prandaj para se të ndërmerrej hapi për ndërtimin e TEC-it duhej studiuar dhe njohur historia dhe trashëgimia e pasur kulturore e zonës, gjë që dy individët autorë të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor e kanë injoruar tërësisht, në kundërshtim me ligjet e vendit, si dhe me praktikat më të mira të kreditorëve ndërkombëtarë.
Një studim gjeofizik pa shumë shpenzime ose një Vlerësim i Ndikimit Arkeologjik, do të evidentonte ekzistencën e strukturave që fshihen nën rërë dhe nën det, dhe do të evitonte masakrën arkeologjike kulturore ndaj kësaj pasurie me vlera të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare.
*Dr.Ana Kohen është izraelito-shqiptare me banim në Nju Jork / Dr.Apostol Kotani është historian dhe publicist

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›