E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Përkthimi" i sukseseve

Viti 2007, i cilësuar nga kreu i administratës shqiptare si "më i suksesshmi", do të duhej të vinte tek qytetarët e këtij vendi si një vit i ndryshimeve të mëdha, më së pari në jetën e tyre të përditshme. Për fat të keq, nuk rezulton kështu. Por ajo që është më e rëndësishme, përndryshe mund ta quanim "shenja", do të kishte të bënte veçmas me ndryshimin e mënyrës së qeverisjes; me këtë, do të kuptonim përfshirjen dhe identifikimin në këtë zonë të interesave të të gjithë qytetarëve. Pak argumente mund t'iu kundërvihen arritjeve fare modeste në këtë temë. Koncepti për një administratë teknike dhe për një shtet ligjor, degjeneroi që në fillim në përjashtimin e mijëra të punësuarve të mëparshëm dhe zëvendësimin e tyre nga mijërat e militantëve "të djathtë". Premtimi tjetër madhor për një administratë a më mirë qeveri në dietë, gjithashtu, mbeti në tribunat elektorale. Përveç mediave, është vetë KLSH që ka denoncuar herë pas here teprimet, madje abuzimet e administratës së tanishme e të institucioneve shtetërore; taksat e qytetarëve humbasin në shpenzime (pothuaj luksi) që janë të rënda për një vend të vogël, me të ardhura modeste dhe problematika sociale të ngarkuara. Ndër ndryshimet e pakta që pushteti i sotëm i tentoi me këmbëngulje, ishte reduktimi i ekonomisë informale. Po ashtu, mund të thuhet se ndryshoi disi për mirë puna e doganave (qoftë edhe vetëm përmes përmirësimit të logjistikës); ajo e tatimeve, (sidomos përsa i përket përmirësimit të elementeve të komunikimit elektronik); përgjithësisht, ka një vëmendje më të madhe të shtetit për të shtuar dhe kontrolluar të ardhurat. Ndërkaq, ka një përpjekje të disa administratave për të ndërmarrë një sërë reformash strukturore, duke përfshirë reformën e tokës, tregun financiar, liberalizimin e çmimeve dhe privatizimin. Aktualisht, të gjitha Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë privatizuar; por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për privatizimet strategjike, ku vërehet një prapambetje e pashembullt. Është patjetër një arritje, zhvillimi tërësor dhe në rritje i sektorit privat; ashtu siç është shkruar në dokumentet kryesore të disa qeverive, ai është tashmë forca kryesore lëvizëse që garanton rritjen ekonomike, (rreth 80% e të ardhurave të përgjithshme i takon këtij sektori). Administrata e ka stimuluar zhvillimin e sektorit privat dhe zgjerimin e bizneseve të reja. Midis të tjerave, është nënshkruar Karta Europiane e Ndërmarrjeve të Vogla; politika fiskale ka synuar uljen e barrës së taksave. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare është përgjithësisht e hapur, tregtia e liberalizuar; është gjithashtu shumë pozitive që faktorët bankarë janë në duart e sektorit privat.
Megjithatë, vështrime të ndryshme, e gjejnë edhe në rritje, edhe me halle të mëdha ekonominë shqiptare. Ajo ka shënuar ritme pozitive rritjeje vjetore, siç thuhet në "Opinion mbi gjendjen e ekonomisë në tremujorin e tretë"; (Banka e Shqipërisë). Në po këtë raport-opinion, nënvizohet se rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të jetë rreth 6 për qind. Mirëpo është pretenduar që rritja ekonomike, së paku deri në 2007, do të ishte me rreth 7%. Po ashtu, është pretenduar që inflacioni të mbahej nën kontroll (në nivelet 2-4%); mirëpo ky tregues i kaloi ndjeshëm këto caqe, për t'u kthyer në njëlloj normaliteti (çuditërisht) vetëm në muajin e fundit të vitit të kaluar. Një nga pistat e mos ndryshimit në tablonë ekonomike të këtij vendi, mbetet deficit tregtar, që do të thotë se ende nuk stimulohet siç duhet prodhimi vendas; raporti eksport- importe është nga më të varfrit në rajon. Për të qenë ca më të vetëdijshëm për këtë tregues, duhet të bëjmë krahasime vetëm me disa nga vendet e rajonit tonë. Kështu, Kroacia e ka totalin e eksporteve 10.61 bilionë USD, kurse totalin e importeve 21.12 bilionë USD; Bullgaria, eksportet: 15.06 bilionë USD, importet: 21.87 bilionë USD; Rumania, eksportet: 32.34 bilionë USD, importet: 47.17 bilionë USD; Bosnjë-Hercegovina, eksportet 3.382 bilionë USD, importet 7.618 USD; Maqedonia, eksportet: 2.396 bilionë USD, importet: 3.682 bilionë USD. Raportet eksport-import të këtyre vendeve, edhe pse me probleme tek-tuk, janë shumë më pozitive se ato që regjistron ekonomia shqiptare. (Disafish deficitare.) Një arsye më pak për t'u mburrur, një arsye më shumë për të punuar.
Përkthyer (në fund të fundit) si një përpjekje për të zbutur koston e jetesës, mundimi i administratës përgjatë këtij viti (cilësuar si më i miri), nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Vetëm në dhjetorin e vitit të kaluar, krahasuar me një muaj më parë, çmimet e konsumit u rritën me 3.1 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006, rritja gjithashtu ishte e ndjeshme. Është e vërtetë se GDP për frymë ka një rritje të ndjeshme; EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) e gjen këtë tregues diku tek 5.300 USD. Por përpara se të përcjellim për propagandë ndjesinë e "udhëheqjes" se ky është një nga vendet me zhvillim më të madh në kontinent apo mburrje të tjera, le të shohim se në ç'lartësi është ky tregues i fundit (sërish dhe vetëm) në disa nga vendet e rajonit tonë. Kroacia, GDP për frymë: 13.400 USD; Bullgaria, GDP për frymë: 10.700 USD; Rumania, GDP për frymë: 9.100 USD; Maqedonia, GDP për frymë: 8.300 USD; Bosnjë-Hercegovina, GDP për frymë: 5.600 USD. Më së fundi, pretendohet se papunësia gjatë dy viteve të fundit është ulur me 0,3 %; të dhënat më të reja nga Ministria e Punës flasin për një shifër edhe më pozitive, 0.5 %(!) Mbase zyrat e shtetit duhet të korrigjojnë shënjestrat, sepse vështirë ta besojë kush që papunësia tek ne është vetëm 14 për qind; patjetër që duket ndryshe pamja e drejtpërdrejtë, ajo që e shohin me sy dhe e përjetojnë individualisht të gjithë qytetarët e këtij vendi. Për t'i qëndruar edhe njëherë pranëvënies me të dhënat për disa nga vendet e rajonit, si dhe duke u lëkundur midis së vërtetës dhe nonsensit, edhe në këtë tregues, ka hapësirë për shumë diskutime. Kështu, Greqia ku shkojnë e punësohen shqiptarët (dhe jo vetëm ata) raportohet ta ketë papunësinë në nivelin 9.2 për qind, Polonia 14.9 për qind, Kroacia 17.2 për qind, Bosnjë-Hercegovina 30 për qind, Maqedonia 36 për qind(!) Statistikat tona në këtë tregues, duket sheshit, nuk janë reale dhe ngjyrosen politikisht. Për ta përmbyllur, ato pak hapa që hidhen përpara nuk duhen kilometrizuar në mënyrë të sforcuar për të parapërgatitur (më mirë, gënjyer) elektoratin se "jemi të parët". Në të njëjtën kohë, askush nuk ka pse të thotë që "jemi të fundit"; ritmet e zhvillimit në disa sektorë, që u zunë goje dhe më lart, duhen vlerësuar. Gjithsesi, publiku ka nevojë për të vështruar një pamje sa më reale të ecurisë së reformave dhe ekonomisë së këtij vendi; kjo është në interes edhe të politikës dhe administratës. Pa e ditur ku je, nuk ke si të kuptosh ku po shkon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›