Lirohen dy vajzat e shoqëruara për Bleonën
KUKES- Dy vajzat nga Zapodi, të shoqëruara për hetime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, janë lënë të lira dhe janë kthyer në fshat. Humbja e vajzës që shkaktoi jo pak tronditje te vajzat e rritura, tashmë po kalon nga dita në ditë. Madje ato po i rikthehen jetës normale, duke u mbledhur te njëra- tjetra për të parë video, apo dëgjuar muzikë. Ndaj tyre prokuroria përqendroi hetimet kryesore, pasi dyshohej se mund të kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur në bjeshkët e Zapodit. Babai i Bleonës, Zamir Mata shpreson se ende shteti mund të bëjë diçka për gjetjen e vogëlushes 6-vjeçare. Edhe pse dy vajzat janë lënë të lira, pasi mesa duket prokuroria nuk arriti të gjejë elementë të implikimit në ngjarje, Zamir Mata thekson se peshën kryesore për humbjen e të miturës e kanë vajzat e rritura, të cilat kanë qenë me bagëti në bjeshkë bashkë me Bleonën. Në prokurori u shoqërua Gentiana, kushërirë e Bleona Matës dhe Alketa, halla e saj. Në familjen e Gentianës shprehen se edhe ata po e përjetojnë njëlloj si familja e Bleonës humbjen e vajzës së vogël. Ditën e zhdukjes së vogëlushes në kullotë ishin vajza të moshës 18- 24 vjeç. Në momentin e zhdukjes së Bleonës, ato kanë pohuar se kanë qenë duke kthyer bagëtinë për në fshat, por kur u kthyen te vendi ku e kishin lënë të miturën, nuk e gjetën aty. Sot është dita e 27-të e zhdukjes së Bleona Matës, por policia nuk ka asnjë të dhënë për fatin e saj. j.h