E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet anëtari i bandës së Zani Çaushit



Etleva Delia

Arrestohet në Tiranë i dënuari për mashtrim, i akuzuar më parë si anëtar i bandës së Zani çaushit. Policia e kryeqytetit deklaroi dje se ka vënë në pranga 33-vjeçarin nga Valiasi i Tiranës, Skerdian Bajrami, i dyshuar si anëtar i bandës së Zani Caushit. Në një aksion të zhvilluar nga oficerët e Operacioneve Speciale, i kërkuari u arrestua në afërsi të banesës së tij, ku mbahej në vazhdim prej disa muajsh. Sipas policisë, 33-vjeçari i dyshuar si anëtar i bandës së Zani çaushit, nuk ishte gjetur fajtor për pjesëmarrje në krimet e saj dhe ishte dënuar përfundimisht me 5 vjet burg në mungesë, vetëm për veprën penale të mashtrimit. Disa javë para vendimit, prokuroria kërkoi dënimin e Skerdian Bajramit me 25 vjet burg, për akuzat “vrasje me paramendim”, “vjedhje me armë në bashkëpunim” dhe “krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”. Por akuzat nuk u provuan asnjëherë, duke bërë që Bajrami të dënohej vetëm për veprën penale të “mashtrimit”, me 5 vjet heqje lirie. Policia e Tiranës tha se ka referuar në Prokurori materialet për 33-vjeçarin, i cili akuzohet se pak kohë më parë ka marrë pjesë në bllokimin e lëvizjes së automjeteve tek Ura e Farkës, ku ishin grumbulluar mbështetës të Partisë Socialiste.
MASHTRIMI
Sipas vendimit që Gjykata e Tiranës mori një vit më parë, Skerdian Bajrami akuzohet se bashkë me kushëririn e tij Pëllumb Bajrami, në vitin 1997, i kanë marrë Hazir Lekës nëpërmjet mashtrimit, një makinë tip “Lançia”, dhe nuk janë kanë kthyer më. Prokuroria e akuzoi Bajramin për kryerjen e veprës penale “vjedhje me armë në bashkëpunim”, por gjykata çmoi se faktit duhet t’i jepej një përcaktim i ndryshëm juridik, sepse në këtë rast nuk rezultoi që makina të jetë marrë me dhunë fizike apo psikike nëpërmjet mbajtjes apo përdorimit të armëve. Sipas dëshmive të dy dëshmitarëve, Hazis Leka dhe Ali Koni, rezultoi se marrja e makinës është realizuar nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, duke shfrytëzuar njohjen me të dëmtuarin. Sipas dëshmitarit Hazis Leka, Skerdian dhe Pëllumb Bajrami, iu kishin kërkuar automjetin pasi do të merrnin një nuse në Tiranë dhe do ua kthenin sapo të mbaronin punë. Tre ditë pasi kishin marrë makinën, pronari i takoi duke u kërkuar që t’ia kthenin dhe ata sërish mashtruan duke premtuar se do e kthenin. Por më pas rezultoi se Skerdian Bajrami e kishte përplasur makinën dhe ia kishte shitur për 800 mijë lekë të vjetra, Ali Konit, i cili kishte një varrezë makinash.
DYSHIMET
Skerdian Bajrami i dënuar me 5 vjet burg, është i dyshuar si pjesëtar i bandës së Zani Caushit. Fillimisht 33-vjeçari u akuzua për vrasjen e Neritan dhe Edmon Dednikës, ngjarje e ndodhur në vitin 1997, por gjykata nuk e konfirmoi këtë akuzë. Skerdian Bajrami u arrestua si i dyshuar për këtë ngjarje, por u lirua disa ditë më pas, në vitin ’97. Ndaj 33-vjeçarit u ngrit edhe akuza e “krijimit të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, por edhe kjo akuzë ra poshtë, duke qenë se nuk pati prova të mjaftueshme, sipas vlerësimit të gjykatës. Gjatë pretencës, prokuroria kërkoi që Skerdian Bajrami të dënohej me 25 vjet burg. Ndërkohë Gjykata e Tiranës vendosi 5 vjet burg, vetëm për “mashtrim”. Në këtë mënyrë, deri diku u hodhën poshtë edhe dyshimet nëse Skerdian Bajrami ka qenë pjesëtar i organizatës së armatosur të drejtuar nga Zani Caushi, apo thjeshtë ka njohur ose ka pasur shoqëri me ndonjë prej anëtarëve të kësaj bande, pa marrë pjesë në krimet që ata akuzohen të kenë kryer gjatë vitit 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›