Specialisti i MEICO: Teknologjia e Gërdecit, s‘ishte provuar më parë
TIRANE – “Inspektimet” në reparte të ushtrisë shqiptare nga Patrik Henri, administratori amerikan i kompanisë që demontonte municione në Gërdec në 2007-2008, u konfirmuan dje gjatë dëshmive në procesin gjyqësor “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Dëshmitari, Martin Lazri, specialist marketingu dhe anëtar i Këshillit drejtues të ndërmarrjes MEICO, tha dje se ai vetë kishte shoqëruar amerikanin Henry në repartin e Qafë Mollës para ngjarjes së Gërdecit. Sipas dëshmitarit, të njëjtin person ai e kishte parë edhe në zyrat e MEICO-s. Ndërsa dëshmitari Sokrat Papadhima, ish-shef i sektorit të Armatimit dhe municionit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura tha se në zbatim të një vendimi të Këshillit të Ministrave ishin evidentuar 100 mijë tonë municione të FA që duhet të asgjësoheshin. Papadhima rrëfeu dhe për shkresa jozyrtare të mbërritura nga kompania amerikanë SAC, e cika kërkonte të bënte demontim municioni në Shqipëri. Dëshmitari Martin Lazri u shpreh dje se nuk e njihte personalisht Patrik Henrin, por se me çka mësuar më pas, ai e kishte shoqëruar atë në një repart ushtarak. “Patrik Henrin nuk e njoh personalisht. Por kujtoj që, personi që duhet të ketë qenë Patrik Henri, një shtetas amerikan, e kam shoqëruar në repartin e Qafë Mollës. Kemi shkuar atje së bashku me një specialist armatimi. Unë i shërbeva atij si përkthyes dhe si shofer, pasi përdora automjetin tim. Ai interesohej për blerje municionesh për demontim. Të njëjtin person e kam parë edhe në zyrat e MEICO-s”, u shpreh dëshmitari. Ndër të tjera, Lazri sqaroi dje se të gjitha kontratat mes MEICO-s dhe “personave të tretë” shqyrtoheshin në parim nga Këshilli Drejtues. Në shqyrtim ishin marrë edhe kontratat mes MEICO-s dhe SAC. “Sipas kontratës së parë do të shitej municion për demontim dhe mbaj mend që për herë të parë do të përdorej një teknologji e paprovuar më parë për demontim në vend”, tha dëshmitari. Dëshmitari Sokrat Papadhima tha dje se mbi bazën e VKM nr.617 datë 4 shkurt 2002 ishin përcaktuar 100 mijë tonë municione që duheshin asgjësuar. “Kjo sasi ishte e listuar në lloje, kalibra, vit prodhimi dhe këto ishin mbi nevojën e Forcave të Armatosura dhe për rrjedhojë duhet të largoheshin. Deri kur unë dola në dispozicion, në maj 2007, nga kjo sasi ishin asgjësuar rreth 50-60 mijë ton. Mënyra e asgjësimit ishte e deklaruar. Parësore ishte asgjësimi industrial, ndërsa pastaj radhiteshin me shpërthim, me qitje intensive dhe me djegie”, tha dëshmitari. Po dje dëshmitari mohoi të kishte dijeni se kush e përcaktoi rajonin e Gërdecit për demontim, apo se si ishte bërë përzgjedhja e firmës amerikanë SAC.